RTK

RTKLive
4 Tetor, 2024

Yll Maliqi fiton titullin e kampionit të botës në versionin WKU

3 min read

Yll Maliqi dhe Gasper KacinariCyrih, 2 prill 2016 – Askush nuk e kishte besuar që Yll Maliqi do të mposht kampionin e botës në fuqi, serbin Denis Marijanoviç. Por, mbrëmë Maliqi befasoi të gjithë me paraqitjen e tij duke e dërmuar Marijanoviçin gjatë pesë raundeve. Me këtë fitore kikboksieri ynë nga Prishtina fitoi titullin e kampionit të botës në kategorinë deri 86 kilogramë në versionin WKU.

Marijanoviç siç duket e kishte nënçmuar Maliqin, dhe për te kjo përballje dukej vetëm një ndeshje më shumë për mbrojtjen e titullit dhe ngritjes së bilancit të tij, por atij kikboksieri ynë i doli “Hëndek”, siç përdoret një fjalë popullore tek ne. Trajneri i Maliqit, Gaspër Kaçinari së bashku me Yll Maliqin vendosën për një strategji që Marijanoviç siç dukej nuk e kishte pritur. Kikboksieri ynë që nga fillimi përdori strategjinë e kundër gardit dhe kjo dha rezultatë dhe fitore bindëse të thellë. Dominimi vazhdoi nga raund në raund, ndërsa që për Kosova Boxing kikboksieri më i mirë shqiptar aktual, Shkodran Veseli, që ishte prezent deklaroi: “Ylli më ka knaqur sonte. Ai ishte madhështor. Ai ia ka thyer të dy krahët Marijanoviçit. Më erdhi mirë për prezantimin e tij, sepse gjithë shqiptarët ishin skeptikë duke më thënë që Ylli nuk do të ketë shancë, por ja që doli e kundërta dhe jam i lumtur” tha Veseli.

Në fund Maliqi fitoi me vendim unanim pas pesë raundeve.

Kjo fitore e Yll Maliqit konsiderohet më e madhja deri më tani nga ndonjë kikboksier nga trevat e Kosovës. Me gjithë kushtet e vështira në vendin tonë, kjo fitore dëshmon edhe për kikboksierët tanë që jetojnë në Kosovë se duhet punuar dhe ëndërruar dhe gjithçka në jetë mund të realizohet.

“E realizova qëllimin tim. Pas titullit evropian ky është titulli botëror që e kam synuar gjithmonë. Puna ime do të vazhdoj me hapat e tjerë dhe synimet e radhës në karrierën time” theksoi Maliqi për Kosova Boxing.

Për Maliqin kjo ishte fitorja e 14-të në karrierë, karshi 3 humbjeve dhe një barazimi në kikboksin profesionist. Ndërsa Marijanoviç pësoi humbjen e 11-të, karshi 39 fitoreve.

I gëzuar për këtë triumf dukej edhe trajneri i Maliqit, Gaspër Kaçinari. “Pas 8-viteve punë arritëm tek një titull shumë i madh. Edhe për mua si trajner është nder i madh që një kikboksier i imi të shpallet kampion i botës. Jam lumtur për triumfin” theksoi Kaçinari për Kosova Boxing.

Për fund Maliqi falenderoi të gjithë ata që e mundësuan sfidën për titull bote. “Falenderoj Skender Shahinin për rastin që më ka dhanë. Falenderoj Ridvan Vllasaliun përfaqësuesin e WKU-Kosova për mbështetjen gjatë gjithë kohës. Si dhe falenderoj trajnerin tim Gaspër Kaçinari i cili ka besuar në mua dhe më ka ndihmuar gjatë gjithë këtyre viteve”, tha Maliqi.

Përgatiti: 
Artan Vërbica
3 prill 2016

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.