RTK

RTKLive
29 Mars, 2024

Xhulio Vrenozi po shkëlqen me paraqitjet e tij, në boksin profesionist

3 min read

VrenoziPas shumë fitoreve dhe sukseseve në boksin amator, Xhulio Vrenozi përfundimisht i dha fund karrierës amatore këtë vit duke kaluar në boksin profesionist, i cili deri më tani është duke shkëlqyer me paraqitjet e tij, katër meçe, të gjitha fitore.

Vrenozi këtë vit u provua në klubin e boksit të Piaçenzës, “Salus Et Virtus Boxe” duke lënë gjurmë, ndërsa atij menjëherë iu ofrua kontratë dy vjeçare. Talenti i tij i ra në sy menaxherëve të dy kompanive  “DIPPA SPORT” që është firmë e madhe italiane dhe ekipit “Salus Et Virtus Boxe” të cilët shohin të ardhme te boksieri ynë.

“Kalova shumë vite në boksin amator, plot tetë dhe tani erdhi koha për një sfidë të re. Isha shumë i interesuar të kaloj në boksin profesionist dhe kërkova sfidë, ndërsa që mua mu dha mundësia të provohem në ekipin e Piaçenzës, dhe jam shumë i gëzuar që ju pëlqeva dhe që më ofruan qëndrim këtu” theksoi Vrenozi për Kosova Boxing.

22-vjeçari debutoi me 22 mars në boksin profesionist duke mposhtur gjeorgjianin me nënshtetësi italiane, Tomas Berashlivili (1-0) duke e mposhtur me pikë pas katër raundeve. Duelin dytë e pati me 19 maj ndaj rusit, Vadim Dedov (debutues) duke e mposhtur poashtu me pikë pas katër raundeve. Meçin e  tretë e zhvilloi me 27 qershor ndaj shqiptarit nga Shkodra, Spiro Sponza (1-2) duke e mundur me pikë pas katër raundeve. Ndërsa këtë fundjavë zhvilloi meçin e katërt profesionist, duke mposhtur italianin Emanuele Pinzi (5-2-1) me nakaut teknik në raund të dytë.

“Jam shumë i lumtur që karriera ime po shkon mirë. Jam në Piaçenza për gjashtë muaj dhe jam adaptuar shumë mirë. Shpresoj të vazhdoj të paraqitem denjësisht” tha Vrenozi.

Vrenozi pati suksese dhe karrierë të begatshme në boksin amator ku zhvilloi 110 meçe, duke pasur rekord brilant prej 100 fitoresh dhe vetëm dhjetë humbje. Ai përfaqësoi denjësisht klubin e boksit Apollonia nga Fieri, duke bërë qytetarët e Fierit të krenohen me të arriturat e tij. Ai disa herë ishte pjesëmarrës në kompeticione të mëdha ndërkombëtare, si në kampionatin botëror në Baku të Azerbejxhanit me 2011, pastaj kampionatin evropian për junior të mbajtur në Dublin të Irlandës, po në vitin 2011. Vrenozi edhe në vitin 2010 ishte pjesëmarrës në kampionatin botëror për kadet të mbajtur në Baku të Azerbejxhanit. Dy herë ishte fitues i memorialit Vllaznia, dhe disa herë u zgjodh boksieri më i mirë i Shqipërisë.

Kosova Boxing është njëri ndër mediumet e para shqiptare që përcjellë boksierin tonë dhe që vazhdimisht i kemi dhënë përkrahje mediale. Talenti i tij na kishte ra sy qysh në vitin 2008 në Memorialin Vllaznia në Shkodër ku Vrenozi bëri paraqitje të bukur. Dhe nga ai moment ne kemi shpresuar që një ditë sukseset dhe rezultatet do të janë të mëdha.

Përgatiti: 
Artan Vërbica
19 korrik 2015 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.