RTK

RTKLive
19 Maj, 2022

Xhevdet Peci jep dorëheqje nga posti i përzgjedhësit

2 min read

Xhevdet PeciIsh-boksieri i gjeneratës së artë të Prishtinës në vitet e 80-ta, Xhevdet Peci, jep dorëheqje nga posti i përzgjedhësit të kombëtares së Kosovës në boks. Ai tha se u sos durimi dhe përfundimisht largohet nga posti i përzgjedhësit. Peci është i revoltuar shumë me drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës, i cili për gazetën kombëtare “Bota sot”, ka treguar arsyet e dorëheqjes dhe kërkon edhe kuvend të jashtëzakonshëm të Federatës së Boksit të Kosovës. “Normal se kam pakënaqësi! Si gjithmonë jemi munduar për të mirë të boksit, por kurrë nuk jam njoftuar për asgjë për në boks. Të gjitha i kanë kryer krye në vete federata, kurrë pa me treguar mua ani se unë isha përzgjedhës”, tregon fillimisht Peci.

Ajo që është edhe më e çuditshme sipas Pecit, ai çdo ditë ka qenë në federatë dhe asnjëherë nuk është konsultuar nga askush se si t’ia bëjnë për përzgjedhjen e boksierëve për kombëtare. “Për çdo ditë kam shkuar në federatë dhe kurrë nuk jam informuar as kur ka pasur seminar për trajnerë, as kur u bë përzgjedhja e boksierëve. Krejt i kam marr vesh ose nëpërmjet medieve ose përmes facebook-ut, kur ata i postoni lajmet! Kur shkoni në përgatitje me boksierë, informatën e kam marr në facebook, pa me treguar mua fare!”, thotë Peci, duke kritikuar qasjen se si kanë vepruar FBOXK-ja.

“Këta në federatë nuk meritojnë me qëndruar aty. Kërkojë kuvend të jashtëzakonshëm dhe personalisht gjërat të vijnë në vend të vetin, se federata nuk është organ privat! Kurrë në jetë as që ka diskutuar kush më mua, por cilin boksierë kanë dashtë e kanë dërguar në kombëtare”, akuzon Peci.

“E di se nuk kemi pasur edhe shumë boksierë dhe nuk jam ata për mos me shkuar, por duhet me pasur një rend, një disiplinë, konsultime, sepse përzgjedhësi është për këtë punë dhe jo të anashkalohet. Kurrë një marrëveshje nuk e kemi pasur me ta, veç informatat i kam kuptuar në medie edhe në facebook, ndërsa unë përzgjedhës e nuk dija asgjë! Nuk me intereson as boksi dhe asgjë tjetër derisa të mbahet kuvendi i jashtëzakonshëm. Jam shumë i irrituar dhe nuk kam çfarë lypi në FBOXK më, si po punojnë krye në veti edhe ia pafshin hairin.

Përmes kuvendit të jashtëzakonshëm do t’i biem gjërat në binarë”, tha Peci. Mehmet Bogujevci, sekretar i përgjithshëm i FBOXK-së, për akuzat e Pecit, tha shkurt: “Nuk kam koment”.

Marrë nga Bota Sot
4 qershor 2015 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.