Turneu “Vllaznia” në Shkodër sërish dëshmohet me vlera të mëdha
4 min readShkodër, 16-19 prill – Ka përfunduar edhe një edicion i turneut memoril “Vllaznia” nga Shkodra, ku edhe këtë vit sikurse edhe tjerët u dëshmua, kualiteti dhe vlera e madhe e këtij turneu. Si çdo vit, edhe këtë herë morën pjesë disa nga shtetet më të forta evropiane dhe aziatike, me boksierët pretendues për Lojrat Evropiane që do të mbahen këtë vit në Baku të Azerbejxhanit, dhe vitin e ardhshëm në Lojrat Olimpike, Rio De Janiero të Brazilit. Shqipëria si vendëse pati numrin më të madh të boksierëve duke sprovuar boksierët që do të marrin pjesë në Baku. Ndërsa nuk munguan as boksierët e Kosovës, të cilët ishin tre pjesëmarrës duke treguar se edhe Kosova ka përfaqësues të denjë për Baku.
Shqipëria doli më e mira në“Memorial Vllaznia 2015”. Kuqezinjtë kanë fituar dy medalje ari dhe 3 medalje argjendi duke zënë kështu edhe vendin e parë. Në këtë turne të rëndësishëm vendin e dytë e fitoi Kazakistani ndërsa e treta u rendit Gjermania. Për Shqipërinë Klevis Vrapi në peshën e lehtë 46-49 kilogram humbi ndaj Serge Neumann të Gjermanisë. Në peshën 56 kilogram Krenar Zeneli zhvilloi një ndeshje të një niveli të lartë duke fituar në finale ndaj bullgarit Katin Asenov. Një ndeshje mjaft të bukur bëri edhe Rexhildo Zeneli i cili fitoi ndaj Elian Dimitrov të Bullgarisë në peshën 60 kilogram. Në këtë mënyrë kuqezinjtë marrin dy medalje ari radhazi. Alban Beqiri edhe u përpoq deri në fund nuk arriti të mposhtë boksierin e Kazakistanit Sagadat Rakhmankulov në peshën 69 kilogram. Për Shqipërinë as Aleksandër Ramon në peshën 81 kilogram nuk mundi të marrë medaljen e arit sepse përballë tij fitoi boksieri Italian Simone Fiore.
Spektakli i ndeshjeve finale u rezervua në peshën 91 kilogram. Shqiptari nga Kosova, Armend Xhoxhaj boksoi në një sfidë të një niveli botëror. Kosovari që boksoi për shtetin e tij Kosovën ekzaltoi tifozët e shumtë që ishin të pranishëm në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Xhoxhaj ishte i papërmbajtshëm përballë kundërshtarit të tij, malazezit Dilan Prasoviç. Kosovari me goditjet e tij të pastra dhe të rrufeshmë në kokën e malazezit çoi peshë tifozët duke krijuar një atmosferë tejet të ndezur. Xhoxhaj arriti që dy herë ta hedhë “knock out” kundërshtarin e tij përmes goditjeve të tij të pamëshirshme. Në knock out-in e dytë malazezi e kishte të pamundur ta vazhdonte më tej ndeshjen dhe automatikisht pa mbaruar ende roundi i tretë Xhoxhaj shpallet fitues i medaljes së arit. Tifozët shpërthejnë në brohoritjet: “Shqipëri etnike, Shqipëri etnike, Shqipëri etnike”. Thirrjet e tifozëve krijuan shumë emocione dhe lot për boksierin nga Kosova.Xhoxhaj edhe në gjysëm-finale mposhti boksierin më të talentuar që ka Evropa sot, talentin shqiptar nga Prizreni që mbron ngjyrat e Gjermanisë, Albon Pervizaj. Dueli i këtyre dy gjigandëve, ishte më i miri i zhvilluar në ndonjë turne ballkanik.
Në fund kuqezinjtë fituan si ekip vendin e pare në renditje. Boksieri më i mirë i takoi Shqipërisë, trofe të cilin e mori Rexhildo Zeneli. Boksieri më i mirë teknik u shpall italiani Simone Fiore. Ky triumf i Shqipërisë në memorialin ndërkombëtar që zhvillohet në nder të figurave të shquara të boksit shkodran e shqiptar të cilët për fatin e keq nuk jetojnë më, rrit vlerat e kësaj kombëtareje në arenën botërore të boksit.
Zef Gjoni (trajner i Shqipërisë): “Ishte një turne shumë i fortë me boksier shumë cilësorë dhe që janë fitues medaljesh në aktivitete të ndryshme botërore. Ne arritëm që të rivalizojmë fuqishëm dhe falë punës tonë arritëm që të marrim plot 5 medalje, 2 ari dhe 3 argjendi. Po ashtu fituam edhe vendin e parë si kombëtare dhe trofeun e boksierit më të mirë. Të gjitha këto suksese tregojnë nivelin e lartë të boksierëve tanë. Shpresojmë që të vazhdojmë në këtë rrugë dhe tashmë të arrijmë medalje dhe suksese të tilla edhe në aktivitete të tjera europiane dhe botërore. Jemi shumë të kënaqur qoftë me nivelin e boksierëve tanë, organizimin e “Sport Klub Vllaznia” dhe një falenderim edhe për tifozët e shumtë që e ndoqën këtë turne”.
Ndeshjet finale:
46-49 kg – Klevis Vrapi (Shqipëri) – Serge Neumann (Gjermani) – 0-3
52 kg – Gabriel Mascunano (Spanjë) – Vincenzo Picardi (Itali) – 1-2
56 kg – Katin Asenov (Bullgari) – Krenar Zeneli (Shqipëri) – 1-2
60 kg – Rexhildo Zeneli (Shqipëri) – Elian Dimitrov (Bullgari) – 3-0
64 kg – Ayrin Ismetov (Bullgari) – Almasbek Abilekov (Kazakistan) – 2-1
69 kg – Alban Beqiri (Shqipëri) – Sagadat Rakhmankulov (Kazakistan) – 1-2
75 kg – Denis Radovan (Gjermani) – Damina Bolequiua (Spanja) – 2-1
81 kg – Aleksandër Ramo (Shqipëri) – Simone Fiore (Itali) – 0-3
91 kg – Armend Xhoxhaj (Kosovë) – Dilan Prasoviç (Mali Zi) – TKO (fiton Xhoxhaj)
+91 kg – Pavel Soct (Çeki) – Kamshybek Kunkabayev (Kazakistan) – TKO (fiton Kunkabayev)
Renditja ekipore e kombëtareve:
1)Shqipëria
2)Kazakistani
3)Gjermania
Boksierët më të mirë:
Rexhildo Zeneli (Shqipëri) boksieri më i mirë i turneut
Simone Fiore (Itali) boksieri më i mirë teknik
Përgatiti: Senad Nikshiqi
Foto: Kosova Boxing