RTK

RTKLive
23 Prill, 2024

Tatli, me dorë të lënduar, fitoi titullin e Evropës

2 min read

Boksieri kosovar kthehet në rrugën e sukseseve

Edis Tatli vs. Yvan MendyBoksieri prizrenas, Edis Tatli, ka arritur të fitojë titullin e Evropës (EBU) në kategorinë e lehtë, pasi të shtunën mbrëma në Helsinki mposhti francezin Yvan Mendy me vendim unanim pas 12 raundeve. Dy anëtarë të jurisë vlerësuan luftën 116:112 në favor të Tatlit, ndërsa një tjetër 117:111 po në favor të boksierit kosovar. Fitorja është edhe më impresionuese për faktin se Tatli boksi, ani pse kishte të lënduar dorën e djathtë. “Kam kaluar shumë mirë dhe jam i lumtur me fitoren. Është një titull i rëndësishëm dhe jam shumë i kënaqur. Meçi kaloi mjaft mirë, por më duhet të them se me një dorë kam boksuar gati gjithë meçin, pasi dorën e djathtë e kisha të lënduar dhe ndieja dhembje”, ka thënë Tatli. “Lëndimin e mora gjatë sparingut në Los Angeles. Para meçit mora dy injeksione kundër dhembjes, mirëpo prapë nuk bënë punë dhe nuk isha në gjendje të përdorja dorën e djathtë shumë”.

Në të vërtetë Tatli 27-vjeçar kishte bërë sparing me yllin e boksit Manny Pacquiaon në palestrën Wild Card Gym në Los Angeles. Në këtë palestër kishte bërë përgatitjet për meçin për titull të Evropës. Ai ishte paraparë të boksojë me italianin Emiliano Marsili për titullin e Evropës, pasi boksieri italian e kishte në pronë titullin. Por, Marsili hoqi dorë nga përballja me pretekst se është i lënduar dhe kështu që titulli EBU mbeti vakant dhe Tatli luftoi për të me francezin Mendy.

Tatli është bërë boksieri i tretë shqiptar që ka fituar titullin e Evropës, EBU. Më herët këtë titull e kishte fituar Luan Krasniqi në kategorinë e rëndë dhe Shpend Abazi në kategorinë bantam.

Për boksierin prizrenas fitorja e së shtunës ishte e 25-ta në karrierën profesioniste (8 KO), karshi një humbjeje.

Humbjen e pësoi në shtator të vitit të kaluar në meçin për titull bote në versionin WBA ndaj kubanit Richar Abril. Tatli kishte pësuar me pikë pas 12 raundeve.

“Planet janë që në tetor të mbroj titullin e Evropës, ndërsa nëse vjen ndonjë mundësi për titull bote atëherë do ta pranojmë. Shpresoj së shpejti të fitoj edhe titullin e botës”, ka thënë Tatli që karrierën e zhvillon në Finlandë.

Kosovaboxing.org
28 prill 2015

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.