RTK

RTKLive
28 Mars, 2024

Tatli mposht bindshëm ish-kampionin e botës

2 min read

Edis TatliEspoo, Finlandë, 7 dhjetor 2013 – Edis Tatli, ka dëshmuar se është i gatshëm për të boksuar për titujt më të mëdhenj në boksin profesionist. Tatli, që bokson në kategorinë e lehtë, të shtunën mbrëma në Espoo të Finlandës mbrojti titullin WBA Inter-Continental. Ai mposhti me vendim unanim pas 12 raundeve, ish-kampionin e botës, jug-afrikanin Mzonke Fana.

Tatli u tregua mjaft bindës në këtë përballje, duke dominuar tërësisht. Në fund juria vlerësoi luftën me rezultatin 118:110, 118:110 dhe 117:111, në favor të Tatlit. Për 26-vjeçarin kjo ishte fitorja e 22-të në karrierë (6 KO), por dukshëm fitorja më e madhe. “Ishte një përballje mjaft e vështirë. Gjatë gjithë meçit u desh të koncentrohesha, pasi kisha përballë një ujk të vjetër”, ka thënë Tatli për Kosova Boxing. 

Tatli para përballjes me Fanan ishte sfiduesi i dhjetë në renditjen e WBA-së, në të cilën kampion është kubani Richard Abril. Me fitoren e shënuar ai do të ngjitet në Top 5 dhe pritet që vitin e ardhshëm të sfidojë titullin e botës në këtë version apo titullin e Evropës (EBU).

“Kam treguar se jam i gatshëm për luftëra të mëdha. Pasi e kam mposhtur Fanan, tash mund të përballem me çdo kundërshtar”, tha më tutje thënë Tatli.

Kundërshtari i tij, Fana 40-vjeçar kishte qenë kampion i botës në versionin IBF në kategorinë super-pendël nga prilli i vitit 2007 deri në prill të vitit 2008. Ai para përballjes me Tatlin ishte shprehur mjaft optimist. Madje edhe kishte ngacmuar boksierin prizrenas, duke thënë se nuk ka mposhtur asnjë boksier të madh. Mirëpo, Fana humbi bindshëm përballjen. Për të ishte humbja e shtatë në karrierë, karshi 32 fitoreve (13 KO).

Tatli në mediumet finlandeze ka thënë se në rast se do të fitojë titullin e botës, atëherë do të festojë me flamurin e Finlandës dhe atë të Kosovës.

“Unë jam mysliman dhe kultura ime është e ndryshme nga ajo e finlandezëve. Përndryshe, jam finlandez. Kam qenë këtu një kohë të gjatë, jam shkolluar dhe kam kryer edhe ushtrinë. Po qe se fitoj titullin e botës, atëherë do të festoj me flamurin e Finlandës dhe atë të Kosovës”, tha Tatli në konferencë për gazetar, para meçit me Fanan.

Me këtë fitore Tatli është ngritur në pozitën numër 13-të në botë në boxrec.com.

Kosovaboxing.org
9 dhjetor 2013

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.