Stiverne fiton titullin vakant e WBC-së
2 min readLos Angjelos, SHBA, 11 maj 2014 – Bermane Stiverne nuk dha shumë goditje kundër Chris Arreola, mirëpo u përkujdes që ato që dha të gjenin cakun dhe të linin gjurmë, e veçanërisht një e djathtë e fuqishme në raundin e gjashtë. Ajo e djathtë e rrëzoi Arreolan dhe faktikisht ai fitoi të shtunën mbrëma në Los Angeles titullin e botës në peshën e rëndë në versionin WBC, titull që mbeti vakant pas pensionimit të Vitali Klitschkos. Pas asaj goditjeje të djathtë, Stiverne rrëzoi edhe një herë Arreolan në raundin e gjashtë, ndërsa vazhdoi furishëm dhe detyroi gjyqtarin Jack Reiss të ndërpresë luftën kur kishin kaluar 2:02 minuta në atë raund.
“Unë e kam studiuar atë. Unë e dija se mund ta nokuatoja atë. Ai kurrë nuk më lëndoi gjatë meçit. Isha i durueshëm. Kur ai u bë tepër komod unë dhashë atë goditje. E dija se mund ta nokautoja”, ka deklaruar Stiverne me sy të përlotur nga gëzimi.
Haitiani me shtetësi kanadeze, Stiverne, ia kishte thyer hundën Arreolas kur e kishte mposhtur atë në prill të vitit të kaluar me vendim unanim pas 12 raundeve, në një meç eliminator. Për Stivernen 35-vjeçar ishte fitorja e 24-t në boksin profesionist (21 KO), karshi një humbjeje e një barazimi sa i ka. Arreola pësoi humbjen e katërt në karrierë, karshi 36 fitoreve e tri barazimeve.
Deri në momentin e ndërprerjes së përballjes Arreola ishte duke udhëhequr me pikë.
“Jam shumë i dëshpëruar. Unë u futa për të fituar dhe jam i zhgënjyer që pësova”, ka thënë Arreola. “Ai ka një kokë të fortë. Unë do të vazhdoj të punojë dhe do të kthehem më fuqishëm. Ai më rrëzoi me të djathtën e njëjtë që më rrëzoi edhe në përballjen e parë. Me goditjen e njëjtë. Mendoj se arbitri ndërpreu pak shpejt këtë meç, por e respektoj vendimin e tij”.
Arreola kishte goditur saktë në 112 nga 306 goditjet sa dha, ndërsa Stiverne dërgoi në cak 90 nga 245 goditjet e tij.
Për përballjen, fituesi Stiverne ka marrë 225 mijë dollarë, ndërsa Arreola 100 mijë dollarë.
Ka gjasa që tash të vijë deri te një përballje mes Stivernes dhe Vladimir Klitschkos. Ky i fundit mban brezat e versioneve tjera të mëdha botërore (WBA, IBF dhe WBO).
Klitschko ka shprehur dëshirën të marrë edhe brezin e vetëm që i mungon.
“Është ëndrra ime më e madhe të unifikoj të katër titujt e mëdhenj. Shpresoj të kem rastin të boksoj kundër Stivernes dhe të marr brezin që e mbante Vitali më herët”, ka thënë Klitschko. Por, Klitschko po ashtu e ka të detyruar të mbrojë titullin e versionit IBF kundër bullgarit Kubrat Pulev.
Kosovaboxing.org
12 maj 2014