RTK

RTKLive
29 Mars, 2024

Shala shkëlqen me paraqitje por fatkeqësisht humb me ndërprerje

3 min read

Artan Vërbica

shala-vs-skoglundRosvalla Arena, Nykoping, Suedi, 9 dhjetor 2016 – Humbja e mbrëmshme nuk mund ta zbehë në asnjë formë paraqitjen brilante të Shpetim Shalës kundër Eric Skoglund. Shala si asnjëherë më parë ka boksuar duke qenë shumë afër triumfit të tij, por që nga një pakujdesi humbi përballjen. 

E filloi më së miri meçin duke fituar raundin e parë. Ishte dora e majtë “Jab” apo direkti që funksionoi për mrekulli për Shalën në këtë përballje. Raundi i dytë i takoi Skoglundit i cili pati disa goditje më të mira. Në raundin e tretë sërish shkëlqen Shala ku arriti me një goditje të fortë ti shpërthejë arkadën nën syrin e djathtë Skoglundit. Shala udhëhiqte meçin 29-28. Skoglund rikthehet në raundin e katërt duke barazpeshuar gjithçka dhe duke bërë edhe më interesant përballjen. Rezultati 36-36. Raundi i pestë mund të themi se ishte i barabartë, ku Shala aksidentalisht mori një goditje me kokë përmbi vetullën e majtë ku në vazhdim pati gjakosje, por kjo nuk e ndaloi atë të vazhdojë. Raundi i gjashtë u fitua nga Skoglund. Shala i patrembur rikthehet fortë në raundin e shtatë duke barazuar gjithçka duke fituar raundin ku tani rezultati ishte 65-65. Raundi i tetë ishte prapë interesant dhe sipas gjykimit tim prapë ishte si i barabartë. Tani vinin në shprehje katër raundet e fundit aty edhe ku fitohet meçi. Por, në raundet nëntë dhe dhjetë Shala humbi disi koncetrimin dhe humbi këto dy raunde shumë të rëndësishme. Nga vëllai i tij Shkëlqimi ndëgjohej zëri i tij motivues puno më shumë. Në raundin e njëmbëdhjetë hyri me gjithë forcat e tij duke qenë më i mirë në pjesën e parë të raundit dhe kur menduam që ky raund po fitohet nga boksieri ynë dhe do të mund të fitojmë përballjen, Shala nga një pakujdesi nga një kundërsulm goditet duke pësuar nokdovnin e parë në meç. Ai u zgjua menjëherë dhe ishte këndellur sepse goditja nuk ishte edhe aq e fortë. Por, në vazhdim pasuan goditjet nga Skoglund por kishte më shumë shtyerje ku Shala gjendet sërish në dysheme. I numëron gjyqëtari dhe ai vazhdon, por pëson sërish disa goditje ku pas këtij nokdovni gjyqëtari përmbyll meçin në dobi të Skoglund i cili u gëzua tej mase sepse pati punë kundër boksierit tonë. Shala ishte i dëshpëruar sepse ishte shumë pranë, por ky është sporti i boksit që është i paparishikueshëm. 

“Isha në gjendje të vazhdoja sepse goditjet nuk ishin të forta, por rregullat e meçit që nëse pëson tre nokdovn e humb meçin më dëmtuan” theksoi Shala për Kosova Boxing.

Kjo humbje me identitet na bëri krenar të gjithëve neve që ishim prezent por edhe atyre që e përcollën nëpërmejt televizionit.

Në fund të meçit në shenjë respekti iu ngritë dora boksierit tonë nga suedezi Skoglund.

www.kosovaboxing.org
10 dhjetor 2016

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.