Përvoja e Bajramit me “Bishën” ruse, Valuev
5 min readPas rezistencës që kosovari i bëri boksierit rus, Nikolay Valuev (213 cm), në stërvitje, atij iu ofrua një kontratë nga kompania menaxhuese e Valuevit “Sauerland”, por gjithçka përfundoi shpejt pas tri meçeve në boksin profesionist. Bajrami nuk është pishman që nuk ka mbetur në boks. Ai është “mbret” në kikboks dhe shpreson që kjo t’ia hapë rrugën edhe drejt Hollywoodit – të bëhet aktor
Shkumbin Sekiraqa, Prishtinë, 4 Mars 2010 – Koha Ditore
Xhavit Bajrami në dhjetor të vitit 2008 ishte ftuar që të bënte sparing me gjigantin rus Nikolay Valuev (213 cm). Valuev përgatitej në Zuerich të Zvicrës për të mbrojtur titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist (WBA) kundër amerikanit Evander Holyfield. Në stërvitje Bajrami i bëri rezistencë Valuevit, që njihet me nofkën “Bisha”, gati sa edhe Holyfield në meçin e zhvilluar më 20 dhjetor në Zuerich. Valuev ia pa hairin sparingut me Bajramin, mbrojti titullin e kampionit. Por keq nuk u nda as Bajrami. Nga kompania menaxhuese e Valuevit, ajo gjermane “Sauerland” iu bë ofertë që të kaloi në boksin profesionist. Bajrami atë kohë kishte rreth një dekadë e gjysmë karrierë në kikboks, por pranoi sfidën që të provohet edhe në boks.
“Pas sparingut me Vaulevin drejtuesit e ‘Sauerlandit’ më ftuan në kampin e tyre në Berlin ku stërvita për dy javë. Ata më siguruan licencën për të boksuar në profesionalizëm dhe vitin e kaluar më organizuan tri meçe. Të gjitha meçet i fitova dhe sa i përket cilësisë ata ishin të gatshëm të më ofrojnë një kontratë afatgjate. Por, televizioni që ka bashkëpunim me ‘Sauerland’ nuk ishte dakord që të më angazhojnë mua për faktin e vetëm se nuk isha gjerman. Gjermania është mbushur me boksierë të huaj dhe televizionet tani po kërkojnë vetëm boksierë me emër e mbiemër gjerman. Drejtuesit e ‘Sauerland’ më thanë se nëse gjej një sponsor që mbulon gjysmën e shpenzimeve do të më ofrojnë kontratë”, bën të ditur Xhavit Bajrami. Ai thotë se gjasat që të rikthehet sërish në boks janë të vogla. Përvojën në boks e vlerëson si shumë pozitive. Ai thotë se boksi është sport më i lehtë se kikboksi.
“Ishte përvojë shumë e mirë për mua. Në boks kam mësuar shumë gjëra. Në fakt boksi e kikboksi kanë dallime shumë të mëdha. Në boks, qëndrohet më kërrusur dhe më afër kundërshtarit, ndërsa në kikboks trupi mbahet drejt dhe distanca është më e madhe. Për shkak të përvojës së madhe në kikboks kam pasur probleme që gjatë meçeve në boks të shmang goditjet me këmbë. Gjatë stërvitjeve në Berlin më pati ndodhur njëherë që të godas një kundërshtar me gju, natyrisht pa vetëdije, por lëvizjet tashmë janë të automatizuara”.
Fitoret në K-1 dhe historia me të famëshmin, Mirko “Cro Cop” Filipoviq
Xhavit Bajrami me kikboks ka filluar të merret në vitin 1995. Ai u “zbulua” nga legjenda zvicerane e këtij sporti, Andy Hug. Nga viti 1996 deri në vitin 2000 karrierën e ka zhvilluar në Japoni. Atë kohë e vlerëson si më të mirën në karrierën e tij. Në turneun K-1 Grand Prix të mbajtur në Osaka të Japonisë para 60 mijë shikuesve u mposht nga kikboksieri i njohur botëror, holandezi Ernesto Hoost. Këtë meç e vlerëson më të mirin në karrierë. Të njëjtin vit fitoi turneun tjetër Grand Prix të serisë K-1, “Braves 1999” që u mbajt në Fukuoka të Japonisë. Në finale pati mposhtur holandezin Lloyd van Dams, ndërsa në gjysmëfinale ishte më i mirë se kroati Mirko Filipoviq. Në meçin e parë të asaj mbrëmjeje kishte mposhtur kroatin tjetër, Sinisha Andrijasheviq. Bajrami garonte dhe ende garon në kategorinë e rëndë.
“Fitorja që më bën të krenohem më së shumti është ajo kundër Filipoviqit. Nuk më ka pëlqyer kurrë ai. Fitoren kundër tij e vlerësoi ndër sukseset më të mëdha që kam pasur”, ka thënë Bajrami. Ai jeton në Zvicër ku së bashku me dy nga shtatë vëllezërit e tij drejton një klub të sporteve luftarake. Në Zvicër jeton nga viti 1990, ndërsa para kikboksit është marrë edhe me futboll. Bajrami aktualisht është kampion i botës në kikboks, në versionin prestigjioz ISKA (International Sport Kickboxing Association). Titullin e kampionit për herë të dytë do ta mbrojë më 8 maj në Prishtinë kundër anglezit Chris Knowles. Edhe mbrojtjen e parë të titullit e bëri në Prishtinë, në nëntor të vitit të kaluar, ku barazoi me francezin Freddy Kemayo. Kampion në këtë version u bë në qershor të vitit të kaluar.
Përballja e frikshme në Rusi dhe vendimi skandaloz i gjyqtarëve
Bajrami thotë se kikboksi i ka ofruar shumë kënaqësi, por kujton edhe raste kur përjetoi padrejtësi të mëdha. Më së shumti u dëmtua në një meç që e zhvilloi më 30 nëntor të vitit 2007 në Moskë. Në mbrëmjen e quajtur “Battle of Champions” Bajrami u mposht nga rusi Alexander Ustinov me pikë pas tri raundeve. Për Ustinovin ky ishte meçi i fundit në kikboks. Ai tani po zhvillon karrierë të suksesshme në boks.
“Atë meç e kam fituar bindshëm. Në raundin e parë Ustinov startoi fuqishëm dhe tentoi të më rrëzoi. Por pasi dështoi në këtë tentim, unë mora kontrollin e meçit dhe dominova plotësisht në dy raundet e tjera. Por në fund fitorja iu dha rusit, vendim i cili u kundërshtua nga të gjithë tifozët”, tregon Bajrami. Ai meç u zhvillua në stadiumin e njohur Luzhniki që ishte i stërmbushur me shikues. Kikboksierët rus përballë kishin kikboksierë nga vende të ndryshme të botës. Të gjitha meçet u fituan nga rusët.
“Më vonë mësova se ajo mbrëmje ishte organizuar nga shteti rus. Në fakt atë kohë presidenti i atëhershëm rus Vladimir Putin kishte organizuar fushatën ‘Rusia kundër botës’. Edhe ky meç shërbente si pjesë e asaj fushate. Për këtë arsye edhe ka qenë e pamundur të fitohet. Në rreshtin e parë të tifozëve qëndronin Putini dhe drejtuesit e tjerë të lartë të shtetit rus. Gjatë qëndrimit 12 ditor në Rusi kemi hasur në presione të ndryshme psikike. Por, edhe jemi paguar mirë”.
Bajrami planifikon që edhe disa vite të vazhdoi karrierën në kikboks e më pas të provoi veten në aktrim.
“Shumë njerëz më kanë thënë se plotësoi shumë kushte për të qenë aktor. Kam në plan që në të ardhmen të udhëtoi në SHBA dhe të provoi veten në këtë lëmë”.
KosovaBoxing.org e falenderon bashkëpuntorin tonë nga Koha Ditore për këtë material të përgaditur.