Ministri Krasniqi takoi boksierin Nuri Seferi
2 min readPrishtinë, 16 tetor – Pas pritjes dhe konferencës për gazetar Nuri Seferi u prit edhe nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi. Ai ka pritur sot në një takim boksierin nga Maqedonia, Nuri Seferi, i cili para disa ditësh fitoi titullin kampion të Evropës në WBO, duke mposhtur boksierin serb Nenad Stankoviq. Ai mundi me nokaut serbin Stankoviq, duke e mbyllur luftën qysh në sekondat e parë të raundit të parë.
Ministri Krasniqi uroi boksierin Nuri Seferi për sukseset e shënuara deri tash, sidomos në meçin e fundit. Ai tha se karriera shumë e suksesshme e boksierit Seferi është një pasqyrim i potencialit të madh që kanë shqiptarë në boks, dhe shtoi se sukseset e boksierëve janë një arritje e përgjithshme.
Boksi, tha ministri është një nga sportet që Kosova ka arritur shumë suksese në të kaluarën dhe ka potencial të madh për të ardhmen. Ai tha se shteti do të jetë gjithnjë pranë boksierëve, për të ndjekur rrugën e suksesit, duke promovuar kështu në përgjithësi potencialet që ka shteti i Kosovës. Ministri shtoi se tashmë edhe për boksin dhe sporte të tjera në Kosovë po hapen rrugët ndërkombëtare dhe sportistët e rinj do të kenë rastin që të tregojnë talentin tyre dhe njëherësh të prezantojnë shtetin.
Nga ana e tij boksieri Nuri Seferi ka përgëzuar ministrin Krasniqi për punën që ka bërë në mbështetje të sportit dhe e falënderoi atë po ashtu për pritjen. Seferi tha se përkrahja nga institucionet dhe populli është një motiv shtesë për të, që të vazhdojë të punojë për të shënuar rezultate edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare.
Artan Vërbica
16 Tetor 2012
urime nuri maj mir je pershendes nga prizreni mahmut gorda