Meriton Karaxha shënon fitoren e tetë në boksin profesionist
2 min readMeriton Karaxha po marshon duke radhitur fitoret rresht. Ai këtë fundjavë në Antverpen të Belgjikës mposhti boksierin me përvojë, franqezin Ahmed El Hamwi 12-7-2 (1 KO) me vendim unanim pas tetë raundeve.
“Ishte një luftë e fortë në çdo raund, dhe një meç i mirëseardhur për të ardhmen, sepse në vazhdim do të më vijnë duelet me shumë raunde, ndërsa unë duhet të jem i përgatitur për meçe të forta” theksoi Karaxha për Kosova Boxing.
Me këtë fitore Karaxha shënoi fitoren e tetë në karrierë, tre me ndërprerje karshi një humbje në karrierë.
Duelin e radhës Karaxha do ta ketë me 1 nëntor ku përball do të ketë belgun Mouhamed Sder i cili ka 7 fitore (2 KO), dy humbje dhe një barazim. Ndoshta Karaxha në këtë datë do të sfidoj ndonjë titull: “Pres që të boksoj për ndonjë titull, ndoshta EBU-EU e pastaj atë kryesorin të evropës, brezin e EBU-së. Ndoshta, 1 nëntori mund të jetë për titull kundër Mouhamed Sder, nuk i dihet. Jemi duke punuar dhe shikuar mundësinë” tha Karaxha.
Ndryshe nga Karaxha, boksieri tjetër shqiptar Gzim Tahiri dështoi në meçin e tij të parë në kategorinë e rëndë të zhvilluar në Leipzig të Gjermanisë. Tahiri boksier i kategorisë kruzer eksperimentoj në kategorinë e rënd duke humbur përballjen ndaj gjermanit Tom Schwarz 14-0 (9 KO) me dorëzim në raund të katërt. Për Tahirin kjo ishte humbja e dytë në karrierë karshi 11 fitoreve (6 KO).
Artan Vërbica
21 shtator 2015