Kovalev vazhdon të impresionojë
2 min readBoksieri rus Sergey Kovalev ka mbrojtur me sukses titullin e kampionit të botës në peshën gjysmë të rëndë në versionin WBO
New Jersey, SHBA, 30 mars 2014 – Kampioni në fuqi i botës në peshën gjysmë të rëndë Sergey Kovalev e ka arsyetuar nofkën e tij “shkatërruesi”, duke e dërrmuar të shtunën mbrëma në Atlantic City të New Jerseyt, sfiduesin e tij Cedric Agnew. Kovalev e rrëzoi Agnewin tri herë, përfshirë këtu goditjen me të majtën në trup në raundin e shtatë e cila i dha edhe fund përballjes. Kovalev ka mbrojtur për herë të dytë titullin e botës në versionin WBO. Ishte një përformancë impresionuese e boksierit rus, ndonëse ai mori lëndime rreth dy syve dhe u detyrua që për herë të parë pas shtatë luftërave të shkojë mbi katër raunde. Mirëpo, mund të jetë arsyeshme shpërqëndrimi i Kovalevit në këtë luftë. Një fitore ishte paraparë të dërgonte Kovalevin drejt një përballje në vjeshtë me kampionin e versionit WBC, Adonis Stevenson, në rast se ky i fundit do të mbronte titullin më 24 maj ndaj polakut Andrzej Fonfara. Mirëpo, pak ditë më parë, Stevenson firmosi marrëveshje me gjigantin televiziv “Showtime” dhe iu shmangë përballjes me Kovalevin. Kovalev u pyet vazhdimisht për Stevensonin, para përballjes së tij me Agnewin, mirëpo ai refuzoi të fliste. Ai foli pas përballjes. “Nuk dua të flas për Adonis Stevensonin. Ai është një copë m…Më vjen keq për anglishten time. Ai ka ikur nga unë. Nuk brengosem, do të kem një kundërshtarë tjetër. Nuk kam menduar për Adonisin fare”, ka thënë Kovalev. Për Kovalevin 30-vjeçar kjo ishte fitorja e 24-të në ringun profesionist (22 KO) karshi një barazimi. Ndërkohë amerikani Agnew 27-vjeçar ka pësuar humbjen e parë në karrierë, pas 26 fitoreve (13 KO). Agnew u rrëzua një herë në raundin e dytë, një herë në të gjashtin dhe një herë në të shtatin, kur edhe përfundoi meçi. “Ishte e vështirë sonte, pasi mora dy të qara rreth syrit, një nga koka e tij dhe një nga bërryli i tij. Unë e gjeta çelësin, goditja me të majtën në trup të tij. Isha i gatshëm të shkoja edhe 12 raunde”, ka thënë Kovalev.
Kosovaboxing.org
31 mars 2014