RTK

RTKLive
9 Tetor, 2024

Hopkins pa telashe mposht Muratin

2 min read

hopkins vs. muratNew Jersey, 27 tetor 2013 – Bernard Hopkins, që mban rekordin për kampionin më të vjetër të botës në histori të boksit profesionist, ka përmirësuar këtë rekord, duke e mbrojtur me sukses të shtunën mbrëma titullin IBF në kategorinë gjysmë të rëndë, ndaj boksierit me shtetësi gjermane Karo Murat.

Hopkins, që mbush 49 vjet në janar, ndonëse nisi ngadalë meçin, mori kontrollin në ring dhe triumfoi në fund me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj Muratit që është 18 vjet më i ri.

Për Hopkinsin ishte fitorja e 54-t në karrierën karshi gjashtë humbjeve e dy barazimeve.

“Plani ishte të lërë qenin ta ndjekë ashtin deri në një rrugicë të errët”, ka thënë Hopkins, që mbrojti titullin të cilin e kishte fituar në mars duke e mposhtur me vendim unanim pas 12 raundeve amerikanin Tavoris Cloud. “Unë kam dashur të fitoja me nokaut dhe u desh të merrja ca rreziqe. Unë dhuroj spektakël dhe njerëzit duan të shohin spektakël”.

Ndonëse nuk ishte në gjendje të fitonte me nokaut, prapë ai fitoi bindshëm. Dy nga anëtarët e jurisë vlerësuan luftën 119:108 në favor të Hopkinsit, ndërsa i treti vlerësoi luftën 117:110 në favor të kampionit.

Meçi në “Boardwalk Hall” u përcoll nga mbi 6000 shikues, ndërsa Hopkinsi në raundin e pestë ia kishte dhënë një puthje në qafë Muratit, derisa të dy ishin në kapje.

Murati, që është me origjinë nga Iraku, pësoi humbjen e dytë në karrierë, karshi 25 fitoreve e një barazimi. Ai i ka lënë fajin një lëndimi që mori në syrin e majtë, për humbjen e pësuar.

“Bernardi është boksier i mirë. Por, po të mos kisha marrë atë dëmtim në syrin e majtë, atëherë do të isha në formë më të mirë dhe do të fitoja”, ka thënë Murat.

Hopkinsi ka edhe 14 muaj deri te ditëlindja e tij e 50-të, mirëpo ai refuzon të mendojë për pensionim. Ai ka debutuar në boksin profesionist në vitin 1988.

“Katërmbëdhjetë muaj deri te të 50-tat, dhe asnjë shenjë në fytyrë, kjo tregon se ende jam i aftë për boks”, ka thënë Hopkins, që një dekadë kishte qenë edhe kampion bote në kategorinë e mesme.

Në parameç të Hopkinsit me Muratin, amerikani Peter Quillin mbrojti titullin e botës në versionin WBO në kategorinë e mesme, duke e mposhtur me nokaut teknik në raundin e dhjetë bashkëkombësin Gabriel Rosado.

Ndërkohë talenti i peshës së rëndë, amerikani Deontay Wilder, shënoi edhe fitoren e tij të 30-të me nokaut nga po aq meçe të zhvilluara në profesionalizëm, duke e mposhtur me nokaut në raundin e katërt bashkëkombësin Nicolai Firtha.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.