RTK

RTKLive
23 Korrik, 2024

Guerrero boksieri i parë që do të mposhtë Floyd Mayweatherin

4 min read

Më 4 maj në Las Vegas do të zhvillohet dueli i shumëpritur mes Robert Guerreros e Floyd Mayweather Jr.

Përgatiti: Artan Vërbica

Robert "The Ghost" Guerrero Media DayPrishtinë, 29 Prill – Dy kampionët e mëdhenj botëror, Floyd Mayweather dhe Robert Guerrero do të takohen më 4 maj në MGM Grand Arena në Las Vegas. Ky do të jetë super dueli i vitit ku shpresojmë të dy boksierët do të japin më të mirën. E parashikojmë si duelin më të mirë të vitit sepse të dy boksierët gjatë viteve të fundit kanë shfaqur meçe të mëdha. Duel interesant këtë vit ishte edhe ai ndërmjet Manny Pacquiao dhe Juan Manuel Marquez, të cilët për herë të katërt u takuan mes vete, ku Marquez befasoj Pacquiaon, por dueli Mayweather kundër Guerrero do të jetë më interesant për faktin se këta ndeshen për herë të parë mes vete.

Arsye tjetër pse ky meç do të quhet super meç është sepse ekspertët botëror mendojnë që Guerrero mund të mposhtë Mayweatherin, duke ia shkaktuar atij humbjen e parë në karrierë. Të këtij mendimi jemi edhe ne, ku Guerrero ka gjasa reale dhe do të jetë më i fokusuar se Mayweather, ndërsa Mayweather vitet e fundit ka kalkuluar me tërheqje, rikthime, me pak duele dhe ky mund të jetë rezultati i humbjes së tij.

Mayweather deri më tani ka zhvilluar 43 meçe, duke fituar të gjitha, 26 me ndërprerje. Ndërsa Guerrero ka zhvilluar 33 meçe, me bilanc prej 31 fitore (18 KO), ka një humbje dhe një barazim.

Statistika tjetër është kjo:

Mayweather ka fituar titullin e kampionit botëror në pesë kategori të ndryshme: Super-pendël, lehtë, gjysmë velter, velter dhe gjysmë të mesme.

Guerrero ka fituar titullin e kampionit botëror në katër kategori: pendël, super pendël, lehtë dhe velter.

Mayweather për herë të parë është bërë kampion bote në versionin WBC me 1998 në kategorinë super pendël, kur mposhti meksikanin Genaro Hernandez me dorëzim në raund të 8-të. Për tre vite me radhë mbrojti tetë herë titullin WBC, duke sfiduar pastaj titullin e kampionit botëror në kategorinë e lehtë në versionin WBC duke mposhtur legjendën e boksit Jose Luis Castillo me vendim unanim pas 12 raundeve. Pas një dominimi dy vjeçar në kategorinë e lehtë, ai sfidoi titullin e kampionit botëror në kategorinë gjysmë velter kundër Arturo Gatit duke e fituar me dorëzim në raund të 6-të. Pas pesë muajve kalon përsëri një kategori më lartë në kategorinë velter ku mposht Zab Judah me vendim unanim duke fituar titullin botëror në versionin IBF. Një vit më vonë me 2007, mposhti Oscar De la Hoya-n për titullin e kampionit botëror në versionin WBC në kategorinë gjysmë të mesme duke u shpallur kampion bote në pesë kategori të ndryshme. Nga viti 2007, Mayweather zhvilloi vetëm pesë duele duke fituar ndaj boksierëve të çmuar si Shane Mosley, Juan Manuel Marquez, Ricky Hatton dhe Miguel Cotto, por asnjëherë nuk u takua me boksierin e dekadës Manny Pacquiaon.

Robert Guerrero është i njohur për opinionin shqiptar pasi me 2007 boksoi me boksierin tonë Shpend Abazi në Kopenhagë të Danimarkës për titullin e kampionit botëror në versionin IBF në peshën pendël, duke triumfuar me ndërprerje në raundin e nëntë. Guerrero para se të përballej me Abazin kishte qenë kampion i botës në versionin IBF, ku kishte triumfuar ndaj amerikanit Eric Aiken me dorëzim në raund të tetë. Guerrero kur boksoi me Abazin ishte vetëm një kampion bote, por para tij ishte karriera e tij e cila duhej të dëshmohej. Dominimi i tij në kategorinë pendël vetëm sa u shtua, duke mbrojtur titullin plotë gjashtë herë për dy vite. Në vitin 2009 sfidoi titullin e kampionit të botës në versionin IBF, një kategori më lartë në atë super pendël, duke triumfuar ndaj Malcom Klassen me vendim unanim pas 12 raundeve. Pas kësaj Guerrero zhvilloi dy duele tjera në kategoritë e lehtë duke mposhtur Joel Casamayor dhe Vicento Escobeto me vendim unanim, duke u përgatitur për sfida tjera. Një vit më vonë triumfoj për titullin e kampionit të botës në kategorinë e lehtë ndaj Michael Katsidis me vendim unanim. Pas kësaj la titullin vakant në kategorinë e lehtë duke boksuar për titullin e kampionit botëror “Interim” në kategorinë velter ndaj turkut Selcuk Aydin duke fituar atë me vendim unanim. Titullin Interim në WBC e mbrojti ndaj Andre Berto po ashtu me vendim unanim. Këto rezultate të mëdha i dhanë mundësinë të boksoj ndaj Floyd Mayweather.

Data 4 Maj do të na jap një meç të paparë dhe të paparashikueshëm. Gjasat janë tek dy boksierët dhe do të kemi një meç madh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.