RTK

RTKLive
20 Prill, 2024

Edis Tatli dhe Dardan Morina më të mirët për 2013

5 min read

Prishtinë, 1 janar 2014 – Agjencioni ynë Kosova Boxing si çdo vit ndanë mirënjohje për më të mirët. Lauereatët e vitit 2013 janë:

Boksieri më i mirë i vitit 2013 – Edis Tatli
Kikboksieri më i mirë i vitit 2013 – Dardan Morina
Boksieri më i mirë amator: Fatlum Zhuta 

Debutuesi më i mirë në boksin amator i vitit 2013 – Ibrahim Balla 

edis tatli 1111Boksieri më i mirë i vitit 2013 – Edis Tatli
Edis Tatli është boksieri më i mirë shqiptar i vitit 2013-të. Ai në mars të vitit që lamë pas fitoi titullin e rëndësishëm WBA Inter-Continental, duke e mposhtur boksierin me shumë përvojë, Felix Lora (16-9-5) me vendim unanim pas 12-të raundeve. Me këtë fitore Tatli i rrëmbeu brezin e kampionit, boksierit nga Republika Dominikane, Lora. Pas këtij triumfi ai pati në gusht një përballje me boksierin holandez Innocent Anyanwu (21-10-3). Tatli ndaj  boksierit holandez arriti të triumfojë me nokaut në raundin e pestë. Për të përmbyllur vitin në mënyrën më të mirë, Tatli arriti të mbrojë titullin WBA Inter-Continental, duke e mposhtur ish-kampionin e botës Mzonke Fana (32-6), me vendim unanim pas 12-të raundeve. Me tri fitore të rëndësishme, Tatli renditet i 13-i në Boxrec.com, në peshën e lehtë. Ai po ashtu është në pozitën e 11-të në renditjen e versionit WBA, mirëpo në të nuk është e llogaritur edhe përballja me Fanan, dhe në renditjen  e re të WBA-së ai pritet të jetë dukshëm më lartë. Viti 2014-të pritet të jetë viti i sfidave më të mëdha për Tatlin, i cili sipas gjitha gjasave pritet të ketë edhe një përballje për titull të botës. Tatli përmbylli vitin 2013-të me bilanc prej 22 fitore (6 KO0 nga po aq meçe.

Dardan MorinaKikboksieri më i mirë i vitit 2013 – Dardan Morina
Dardan Morina ka qenë kikboksieri më i suksesshëm shqiptar i vitit 2013-të. Ai vitin që lamë pas shënoi pesë fitore. Në fillim të vitit fitoi titullin WKU, ndërsa arriti të mbrojë atë dy herë. Krahas titullit të fituar, Morina shënoi edhe dy fitore tjera, “Super-Fight”, duke shkëlqyer. Morina arriti që të mbledhë të gjithë titujt e rëndësishëm botëror, pasi vitin 2012-të kishte fituar edhe titujt botëror në versionet WKA, ISKA, etj.
Meçin e parë të vitit 2013-të e pati më 22 shkurt kundër francezit Wilfred Martin, të cilin e mposhti me vendim unanim duke fituar titullin WKU, titull që ishte vakant. Në këtë duel Morina shkëlqeu, ku dy herë e rrëzoi në dysheme kundërshtarin.

Meçin e dytë Morina e zhvilloi më 20 prill kundër turkut Mehmet Balok. në një meç të “Super-Fight”, duke arritur fitoren e dytë të vitit. Në këtë duel Morina arriti që gjatë raundit të parë tri herë ta rrëzoj turkun Balok, duke detyruar gjyqtarin që të ndërpresë përballjen.
Fitoren e tretë e arriti më 7 qershor ndaj polakut Filip Kulawaski, duke e mbrojtur titullin WKU. Këtë duel Morina arriti ta fitoj me vendim unanim pas pesë raundeve.
Meçin e katërt këtë vit e zhvilloi më 28 shtator, kundër anglezit Kade Sherlock. Këtë duel Morina arriti ta përmbyll me nokaut  në raundin e tretë. Ky meç ishte në kuadër të  “Super-Fight”.
Duelin e pestë e zhvilloi më 13 dhjetor ndaj kroatit Mario Agatiq. Ky duel ishte për titullin WKU, dhe për herë të dytë në vitin 2013-të arriti të mbrojë këtë titull, duke e mbyllur vitin në mënyrën më të mirë.

Fatlum-ZhutaBoksieri më i mirë amator: Fatlum Zhuta 
Boksieri ynë nga Struga, Fatlum Zhuta, është vlerësuar boksieri më i mirë amator shqiptar për vitin 2013-të. Zhutës këtë epitet ia ndajmë pas fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare në Mersin të Turqisë.
Zhuta pati një konkurrencë të denjë nga boksierët tjerë amator shqiptarë, që shkëlqyen në ngjarje të mëdha.
Kastriot Sopa që përfaqësoi Gjermaninë, arriti deri në çerekfinale të Kampionatit Evropian në Minsk të Bjellorusisë. Pastaj Zhutën e sfiduan edhe tre kosovarët që morën pjesë në Kampionatin Botëror në Almaty të Kazakistanit, si Armend Xhoxhaj, Liridon Zeqiri dhe Arian Gashi, por që nuk patën rezultate më të mira se Zhuta.
Boksieri strugan për shumë vite ka qëndruar në maje të ranglistave botërore dhe ka qenë ndër boksierët më të mirë shqiptar, por gjithmonë fati i ka munguar në ngjarje të mëdha si kampionate evropiane dhe botërore. Mirëpo, në vitin 2013-të arriti të thyejë “akullin”, duke e fituar medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare. Zhuta raundin e parë e kaloi pa luftë, ndërsa në çerekfinale e mposhti boksierin nga Libanio, Sallomoun Nijad 3:0 me vlerësim të gjyqtarëve. Në duelin gjysmëfinale ai u mposht nga egjiptiani Hosan Abdin me rezultatin 3:0. Por, Zhuta u bë boksieri i parë shqiptari pas plot 26-të viteve që fitoi medalje në Lojërat Mesdhetare.

Boksierët shqiptarë që fituan medalje në Lojërat Mesdhetare:
Mehmet Bogujevci – (1979 – Split, Kroaci – medalja e artë)
Aziz Salihu – (1987 – Lataki, Siri – medalja e artë)
Agim Latifi – (1987 – Lataki, Siri – medalja e artë)
Fatmir Makolli – (1987 – Lataki, Siri – medalja e argjendtë)
Afrim Majanci – (1987 – Lataki, Siri – medalja e bronztë)
Fatlum Zhuta – (2013 – Mersin, Turqi – medalja e bronztë)

Debutuesi më i mirë në boksin amator i vitit 2013 – Ibrahim Balla
Ibrahim Balla 3Boksieri shqiptar që përfaqëson Australinë, Ibrahim Balla, ka qenë debutuesi më i mirë në boksin profesionist për vitin 2013-të. Balla fitoi tri meçe në vitin që lamë pas, duke lënë prapa Arijan Sherifin i cili po ashtu pati tri fitore në po aq meçe dhe Albi Sadikajn, dy fitore në dy meçe.
Balla, pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, debutoi në profesionizëm më 21 shkurt ndaj filipinasit Jasper Buhat, duke e mposhtur me nokaut fenomenal në raund të parë. Debutimi i tij zgjoi interes jo vetëm në Australi, por në tërë botën, sepse fitorja ishte spektakolare me nokaut të bukur, ndër më të mira të vitit. Fitoren e dytë e shënoi ndaj tajlandezit Ekkalak Saenchan me nokaut teknik në raund të parë. Ndërsa fitoren e tretë e arriti ndaj tajlandezit tjetër, Anuntachai Sor Por Lor Krungthep me vendim unanim pas katër raundeve. 

Redaksia Kosova Boxing
1 janar 2014 

 

 

 

 

 

1 thought on “Edis Tatli dhe Dardan Morina më të mirët për 2013

  1. Suksese te gjithve ne te ardhmen ju uroj nje vit te suksesshem, edhe ju Z.Artan ne punen tuaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.