RTK

RTKLive
3 Nëntor, 2024

Dita e dytë nga “Memoriali Vllaznia 2011”. Vrenozi tregon edhe një herë cilësit e një boksieri perspektiv

6 min read

Palestra Qazim Dërvishi, Shkodër, 2 Prill 2011 – Turneu Ndërkombëtar i boksit “Memorial Vllaznia 2011” ka zhvilluar ditën e tij të dytë në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” të qytetit të Shkodrës ku edhe po zhvillohet ky aktivitet. Në ditën e dytë Shqipëria ndonëse ka marrë dy humbje ka arritur të realizoj edhe dy fitore. Me këtë rezultat shqiptarët janë brenda objektivave dhe synimeve në këtë turne të rëndësishëm duke arritur që në finale të përfaqësohen me tre pesha. Edhe në ditën e dytë në “Memorial Vllaznia 2011” janë zhvilluar ndeshje të bukura. Ka patur rivalitet të fortë në disa prej ndeshjeve. Të gjithë kanë kërkuar një vend në takimet finale por në fund kanë triumfuar më të mirët. Dita e dytë nis me peshën e lehtë 49 kilogram.

Turneu fillon me sfidën që zhvillohet mes Ganselam të Mongolisë dhe Hitarihun të Indonezisë. Ndeshja fitohet nga indoneziani 6-3.

Në peshën 60 kilogram sfida luhet mes Mandiaga të Indonezisë dhe Zeqirit të Maqedonisë. Maqedonasi nuk ka asnjë shans për në finale sepse nuk jep asnjë goditje të saktë për kundërshtarin e tij duke e humbur ndeshjen 0-9. Po në këtë peshë në 60 kilogram, Dariadi i Mongolisë humbet me Amirzakov të Kazakistanit 6-8.

Ashtu si një natë më parë edhe kësaj here tifozët e shkodran duhet të presin ndeshjen e katërt në mënyrë që në ring të ngjitet një boksier me ngjyrat kuqezi të Shqipërisë. Bëhet fjalë për peshën 64 kilogram. Në ring ngjitet fieraku Xhulio Vrenozi. I gjithë publiku është në këmbë dhe kërkon medoemos fitoren nga ana e shqiptarit. Por kjo nuk është e lehtë sepse përballë ka boksierin e Kazakistanit Sharibar. Vrenozi bën maksimumin dhe futet në ring me besimin për ta fituar ndeshjen pavarësisht shkallës së madhe të vështirësisë. Shqiptari dhuron një ndeshje të madhe. Ka fuqi dhe gjatë gjithë ndeshjes është agresiv. Në asnjë çast nuk gabon. Vrenozi bën disa goditje të forta që gjejnë fytyrën e Sharibar. Deri në fund të takimit shfrytëzon të gjitha anët pozitive të tij dhe jep kënaqësi për tifozët duke e fituar duelin 11-3 dhe duke siguruar finalen. Sfida e dytë e peshës 64 kilogram sërish është e rezervuar për një boksier të Shqipërisë. Është Kristian Shytani që përballë ka Munkh të Mongolisë. Shkodrani e ka të qartë se përballë ka një boksier shumë të fortë. Megjithatë në ring është për të dhënë maksiumin dhe për të synuar finalen. Por kësaj radhe Shytani nuk mundet të kalojë boksierin mongolez. Deri në fund të raundit të tretë gjithnjë është në sulm por mongolezi është më i saktë. Ka më shumë eksperiencë, gjë të cilën e shfrytëzon për të mundur shqiptarin. Shytani edhe pse humb 7-3, bën një ndeshje të bukur si dhe merr edhe duartrokitjet e tifozëve. Natyrisht pas ndeshjes është i mërzitur sepse nuk arrin finalen.

Në peshën 69 përballë Brivç të Sllovenisë është italiani Cereti. Ndeshja fitohet nga boksieri Italian 4-0 që siguron në këtë mënyrë një vend në finale në këtë peshë. Gjysmëfinalja tjetër është për shqiptarin Asmer Bilali që përballë ka boksierin nga Kazakistani Svarv. Ky boksier në vitin 2009 në këtë peshë është shpallur kampion i Botës. Ky fakt nuk e tremb aspak shkodranin, i cili ka një arsye më shumë për të triumfuar. Absolutisht që është sfida më e bukur e mbrëmjes në “Qazim Dërvishi”. Shkodrani dhuron emocione në këtë duel. Bilalli tregohet spektakolar. Një boksier me teknikë të admirueshme, qetësi olimpike, i fuqishëm dhe preçiz me grushtet e tij. Shqiptari edhe pse në disavantazh, në gjysmën e raundit të dytë kthen gjithçka në favorin e tij. Gjyqtari në ring jep një faull për Svarv gjë e cila favorizon tepër Bilalin. Raundi i dytë është i barbartë 4-4. raundi i tretë pritet me shumë kureshtje. Boksieri shkodran gjen momentin për të treguar vlerat e tij teksa mjafton një goditje në fytyrën e kazakistanezit për të bërë që fitorja të jetë vetëm për të. Sekondat e mbetura i administron mirë duke mos marrë asnjë goditje. Me një pikë avantazh dhe me një ndeshje që do mbahet mend gjatë për publikun, Bilali fiton 5-4 dhe është një nga finalistët.

Në peshën 75 kilogram përballë janë Elevsinov i Kazakistanit dhe Tumprkavyg i Mongolisë. Ndeshja fitohet nga boksieri i Kazakistanit 10-2. Një sfidë e bukur dhe me shumë rivalitet bën edhe shqiptari Emiljano Çekini që në ditën e dytë të “Memorial Vllaznia 2011” zhvillon ndeshjen e fundit gjysmëfinale për Kombëtaren e Shqipërisë po në peshën 75 kilogram. Shkodrani përballë ka Fatlum Zhutën të Maqedonisë, edhe ky një shqiptar por që jeton në Maqedoni dhe përfaqëson këtë vend. Zhvillohet një sfidë e fortë. Edhe pse të dy njihen me njëri – tjetrin dhe e dinë se janë pjesë e një Kombi, në ring janë kundërshtar të vërtetë dhe japin maksiumin për të arritur në finale. Çekini është vetëm 18 vjeç, e megjithatë deri në një moment kryeson ndeshjen 6-5, kur raundi i dytë kishte pak sekonda për të mbaruar. Shkodranit Çekini i mungon eksperienca gjë të cilën e vuan në ring. Zhuta ka më tepër forcë për ta mbyllur ndeshjen dhe e kthen në favorin e tij duke fituar 8-6 dhe duke qënë një nga finalistët e peshës 75 kilogram.

Në peshën 81 kilogram Fidri i Italisë ndeshet me Erdenegayer të Mongolisë. Boksieri Italian fiton 5-3. Stermbayer i Kazakistanit në peshën 91 kilogram në gjysmëfinale përballet me Radoniç nga Mali i Zi. Kazakistanazi fiton 9-3 duke shkuar në finale ku përballë do të ketë shqiptarin Kristian Demaj. Patjetër do të jetë një nga sfidat më të bukura në takimet finale.

Në peshën super të rëndë + 91 kilogram Urbane i Sllovenisë humb 2-5 ndaj Rossano të Italisë. Po në këtë peshë Mimovskv i Maqedonisë humb 0-2 ndaj Ospanov të Kazakistanit. Shqipëria në “Memorial Vllaznia 2011” vazhdon të jetë brenda objektivave sepse ka arritur që në finale të ketë 3 boksierë, ndërkohë që objektivi i trajnerit të Shqipërisë Zef Gjoni kërkon nga ky aktivitet me rëndësi të madhe dy medalje ari dhe tashmë ka të gjitha mundësitë për t’ia arritur sepse dy boksierët Vrenozi dhe Bilali kanë kaluar pengesën më të vështirë që janë boksierët e Kazakistanit.

Ndeshjet finale do të zhvillohen sot në ora 17:00 gjithnjë në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi”. Patjetër që ndeshjet finale kanë rëndësinë më të madhe. Janë kualifikuar boksierët më të mirë të cilët tashmë do të luftojnë me njëri – tjetrin për të fituar medaljet e arit në peshat përkatëse, ku skuadrat që do të kenë rivalitetin më të madh janë Kazakistani, Shqipëria dhe Italia, shtete të cilat kanë numrin më të madh të boksierëve në sfidat finale.

Rezultatet e gjysmëfinalës :
49 kg – Ganselam (Mongoli) vs. Hitarihun (Indonezi) – 3-6
60 kg – Mandiaga (Indonezi) vs. Zeqiri (Maqedoni) – 9-0
60 kg – Dariadi (Mongoli) vs. Amirzakov (Kazakistan) – 6-8
64 kg – Vrenozi (Shqipëri) vs. Sharibar (Kazakistan) – 11-3
64 kg – Shytani (Shqipëri) vs. Munkh (Mongoli) – 3-7
69 kg – Brivç (Slloveni) vs. Cereti (Itali) – 0-4
69 kg – Bilalli (Shqipëri) vs. Svarv (Kazakistan) – 5-4
75 kg – Elevsinov (Kazakistan) vs. Tumprkavyg (Mongoli) – 10-2
75 kg – Zhuta (Maqedoni) vs. Çekini (Shqipëri) – 8-6
81 kg – Fidri (Itali) vs. Erdenegayer (Mongoli) – 5-3
91 kg – Stermbayer (Kazakistan) vs. Radoniç (Mali i Zi) – 9-3
+91 kg – Urbane (Slloveni) vs. Rossano (Itali) – 2-5
+91 kg – Mimovskv (Maqedoni) – Ospanov (Kazakistan) 0-2

Finalet në program janë sot këto :
52 kg – Puarvdors (Mongolia) vs. Koshegulov (Kazakistan)
60 kg – Mandiaga (Indonezi)  vs. Amirzakov (Kazakistan)
64 kg – Vrenozi (Shqipëri) vs. Munkh (Mongoli)
69 kg – Cereti (Itali) vs. Bilali (Shqipëri)
75 kg – Elevsinov (Kazakistan)  vs. Zhuta (Maqedoni)
91 kg – Stermbayer (Kazakistan) vs. Demaj (Shqipëri)
+91 kg – Rossano (Itali) – Ospanov (Kazakistan)

Përgaditi :
Senad Nikshiqi
3 Prill 2010

1 thought on “Dita e dytë nga “Memoriali Vllaznia 2011”. Vrenozi tregon edhe një herë cilësit e një boksieri perspektiv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.