RTK

RTKLive
26 Qershor, 2022

Dita e parë nga “Memoriali Vllaznia 2011”. Shkëlqen Zhuta duke demoluar Pesiçin

4 min read

Palestra Qazim Dervishi, Shkodër, 1 Prill 2011 –Katër fitore dhe vetëm një humbje për Shqipërinë në boks në ditën e parë të turneut ndërkombëtar “Memorial Vllaznia 2011”. Mes shteteve të forta në sportin e boksit, shqiptarët nuk janë ndjerë aspak inferior. Kanë zhvilluar ndeshje të bukura dhe kanë dhuruar emocione për publikun. Në këtë aktivitet boksojnë skuadra me nivel të lartë si Kazakistani, Italia, Mongolia apo Indonezia. “Memorial Vllaznia 2011” po zhvillohet në qytetin e Shkodrës në nder të boksierëve shkodran që nuk jetojnë më. Në këtë turne që tashmë është pjesë e kalendarit të Federatës Europiane të boksit, EUBC dhe AIBA, pjesëmarrja është e madhe.

Aktiviteti nis me emocione dhe me një kureshtje të madhe të publikut shkodran. Në ditën e parë janë të parashikuara 13 ndeshje. Sfida e parë në peshën 52 kilogram është mes boksierit të Mongolisë Puarvdors dhe maqedonasit Mymin, që fitohet nga mongolezi 1-0. Po në këtë peshë Koshegulov nga Kazakistani ka fituar ndaj boksierit të Indonezisë Bria, 3-0.

Në peshën 60 kilogram Mustafa i Maqedonisë nuk arrin ta mbyllë ndeshjen deri në fund sepse tërhiqet përballë boksierit të Kazakistanit Amirzakov.

Publiku shkodran duhet presë ndeshjen e katërt që në ring të shijojë sfidën e një shqiptari. Është përballja e parë në peshën 64 kilogram. Është fieraku i talentuar Xhulio Vrenozi që bokson ndaj maqedonasit Leskoroski. Vrenozi është i qetë, i matur dhe i sigurtë. Boksieri i Apolonisë tregon vlerat e tij. Zhvillon një ndeshje të bukur dhe merr një fitore të pastër 5-0 duke e nisur mbarë këtë turne të rëndësishëm për Shqipërinë. Po në peshën 64 kilogram boksojnë Montolalo i Indonezisë dhe Sharibar i Kazakistanit. Fitorja është për Kazakistanin 8-4. Dueli i tretë në peshën kilogram rezulton ndeshja më e bukur dhe me rivalitet. Tifozët ekzaltohen në masë. Është Kristian Shytani i Shqipërisë që bën një fitore të madhe. Edhe pse është në disavantazh të dy pikëve, në raundin e tretë arrin shumë mirë të rekuperojë. Lëshon grushte pa fund për kundërshtarin Dragan Pesiç nga Mali i Zi dhe fiton 7-5. Sfida e fundit në 64 kilogram është mes italianit Vangeli dhe mongolezit Munkh që fitohet nga i fundit me rezultatin e ngushtë 6 -5.

Në peshën 69 kilogram në ring ngjitet Asmer Bilali i Shqipërisë për të boksuar ndaj maqedonasit Risterci. Shkodrani që po rrit gjithnjë e më shumë nivelin e tij, ndeshjen e parë nuk e ka të vështirë. Mjafton të studiojë kundërshtarin në raundin e parë dhe më pas shpërthen në raundin e dytë. Është në avantazhin e 8 pikëve dhe akoma pa filluar raundi i tretë e detyron maqedonasin të tërhiqet duke fituar pa probleme. Ndeshja e dytë e peshës 69 kilogram është mes boksierit të Kazakistanit Svarv dhe mongolezit Jorehl që fitohet nga sportisti i Kazakistanit 9-4.

Në peshën 75 kilogram tiranasi Alban Bermeta është i pafat teksa përballë një boksier cilësor Tumprkavyg nga Mongolia. Megjithatë Bermeta jep maksimumin por nuk arrin të fitojë sepse mongolezit i mjafton një pikë diferencë për të mundur shqiptarin 3-2. Në ditën e parë kjo është disfata e vetme për Shqipërinë. Interesant është takimi i dytë në 75 kilogram mes malazezit Pesiç dhe Zhutës të Maqedonisë. Zhuta është një shqiptar i Maqedonisë që bokson për këtë shtet. Publiku natyrisht i jep suport shqiptarit që e shpërblen duke detyruar kundërshtarin të tërhiqet në raundin e tretë.

Emocionuese është edhe përballja e fundit në peshën 57 kilogram mes indonezianit Aleks dhe shkodranit Emiljano Çekini. Edhe pse ka përballë një kundërshtar shumë të fortë Çekini di t’ia dalë mbanë. Shqiptari në fillim merr një goditje të fortë që i bllokon frymëmarrjen, por nuk e mendon fare tërheqjen. Ka shpirt gare dhe qëndron në ring. Arrin të përmirësohet. Jep goditje të sakta që shënohen në pikë dhe në fund del triumfues duke mbyllur ndeshjen në 8-4 në favorin e tij.

Ndeshja e fundit në ditën e parë është në peshën super të rëndë teksa fitohet nga boksieri i Kazakistanit 12-1 ndaj mongolezit Ideral. Shqipëria përfaqësohet me 8 boksier në “Memorial Vllaznia 2011” prej të cilëve 5 prej tyre janë pjesë e Vllaznisë. Në këtë garë të rëndësishme i pranishëm është edhe i deleguari i Federatës Europiane të boksit, Garip Erkojumsung. Pas katër fitoreve në ditën e parë duket se objektivi i trajnerit të Shqipërisë Zef Gjoni për të fituar dy medalje ari është i arritshëm. Aktiviteti do të ketë edhe dy ditë të tjera ku sërish janë të rezervuara ndeshje të bukur dhe me rivalitet. Në “Memorial Vllaznia 2011” Shqipëria synon një paraqitje sa më pozitive dhe synon rezultate të larta gjë të cilën po e arrin edhe pse ka përballë sportistë kanë fituar trofe si kampionë bote, Europe apo medalje në olimpiada. Ky turne mundësohet nga financimi i Bashkisë Shkodër me mbështetjen e disa donatorëve.

52 kg – Puarvdors (Mongolia) vs. Mymin (Maqenodia) – 1-0
52 kg – Koshegulov (Kazakistan) – Bria (Indonezia) – 3-0
57 kg – Çekini (Shqipëri) vs. Aleks (Indonezi) – 9-4
60 kg – Amirzakov (Kazakistan) – Mustafa (Maqedonia) – RSCO 3
64 kg – Vrenozi (Shqipëri) vs. Leskorovski (Maqedoni) – 5-0
64 kg – Sharibar (Kazakistan) vs. Montolalo (Indonezi) – 8-4
64 kg – Shytani (Shqipëri) vs. Pesiç (Mali i Zi) – 7-5
64 kg – Munkh (Mongoli) vs. Vangeli (Itali) – 6-5
69 kg – Bilalli (Shiqëri) vs. (Maqedoni) – RSCO 3
69 kg – Svarv (Kazakistan) vs. Jorehl (Mongoli) – 9-4
75 kg – Tumprkavyg (Mongoli) vs. Bermeta (Shqipëri) 3-2
75 kg – Zhuta (Maqedoni) vs. Pesiç (Mali i Zi) – RSCO 3
+91 kg – Ospanov (Kazakistan) vs. Ideral (Mongoli) – 12-1

nga :
Senad Nikshiqi
2 Prill 2011

6 thoughts on “Dita e parë nga “Memoriali Vllaznia 2011”. Shkëlqen Zhuta duke demoluar Pesiçin

  1. Urime e suksese F.Zhuta e dhasht zoti qe te fitosh dhe kete trofe e di qe je punetor i madh dhe nuk do te mungojn fitoret.

    URIME URIME me te vertet ugezova shume per kete fitore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.