RTK

RTKLive
14 Dhjetor, 2024

Shqipëria rrëmben tre të arta në “Memorialin Vllaznia 2011”. Xhulio Vrenozi zgjedhet boksieri më i mirë

4 min read

Palestra Qazim Dervishi, Shkodër, 3 Prill 2011 – Xhulio Vrenozi, Asmer Bilali dhe Kristjan Demaj kanë bërë që shqiptarët të ndjehen krenar. Të tre këta boksier janë triumfues për Shqipërinë në “Memorial Vllaznia 2011”. Boksierët shqiptarë fitojnë 3 medalje ari secili në peshën përkatëse. Janë zhvilluar 3 ndeshje spektakolare, ku gjithçka ka kulmuar me duelin Demaj – Stermbayev, teksa shkodrani ka fituar shumë thellë 14-1. Në ditën e tretë të “Memorial Vllaznia 2011” që u zhvillua në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi”, Kazakistani ka bërë paraqitjen më të mirë si ekip duke fituar 5 medalje ari, ndërkohë që e dyta është pikërisht Shqipëria me tre medalje ari dhe vendi i tretë për Italinë me dy medalje ari.

Janë zhvilluar ndeshje të bukura dhe me shumë rivalitet. Ndeshjet finale kanë dhuruar emocione për tifozët të cilët kanë mbushur plot e për plot pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” të qytetit të Shkodrës. Për Shqipërinë sfida e parë është ndeshja e pestë në radhë. Me ngjyrat kuqezi në peshën 64 kilogram është Xhulio Vrenozi që përballë ka Munkh të Mongolisë. I gjithë publiku është në këmbë në mbështetje të fierakut. Vrenozi nuk zhgënjen. Jep goditje të forta, di të mbrohet dhe administron i qetë ndeshjen. Vërteton edhe njëherë së është ndër boksierët më të mirë shqiptarë. 9-0 fiton fieraku që fiton medaljen e arit dhe në fund të aktivitetit me meritë merr edhe trofeun si boksieri më i mirë i aktivitetit. Një vlerësim i madh ky për Vrenozin duke qënë se në këtë turne pjesëmarrës ishin boksier me nivel botëror.

Menjeherë pas Vrenozit, adrenalina është në kulm sepse sërish në ring është një shqiptar. Kësaj here në peshën 69 kilogram Asmer Bilali i Shqipërisë ka sfidën me Ceretin të Italisë. Zhvillohet një ndeshje e fortë dhe me ritëm të lartë. Në raundin e parë Bilali jep një goditje duke kaluar në avantazhin e një pikë. Pikë të cilën e ruan thuajse deri në fundin e raundit të dytë teksa nuk merr asnjë goditje nga kundërshtari. Në raundin e tretë Bilali është shpërthyes teksa dominon plotësisht ndaj kundërshtarit të tij duke fituar 6-1 dhe duke arritur të jetë fitues i medaljes së arit.

Për Shqipërinë emocionet më të mëdha ruhen në peshën 91 kilogram. Është shqiptari Kristjan Demaj që ka sfidën më të fortë të mbrëmjes për Shqipërinë ndaj Stermbayev të Kazakistanit. Demaj është krejtësisht spektakolar. Surprizon të gjithë të pranishmit teksa në ring është i papërmbajtshëm. Tepër i sigurtë në mënyrën se si e zhvillon ndeshjen. Lëviz bukur në ring dhe “mbyt” kazakistanezin me grushte të njëpasnjëshëm. Demaj ekzalton tifozët të cilët brohorasin përgjatë tre raundeve emrin e tij. Është një fitore e madhe, ndoshta më e bukura në karrierën e tij. Nuk ka se si të mungojë medalja e arit për Demaj sepse kënaq pa masë të gjithë. Rezultati është shumë i thellë, 14-1. E thënë ndryshe 14 grushte të saktë në fytyrën e kazakistanezit. Demaj e feston bukur fitoren teksa mbulohet më flamurin kuqezi. Përshëndet tifozët duke valëvitur flamurin shqiptar, duke krijuar çaste impresionuese.

Në fund të këtij aktiviteti të gjithë janë të lumtur e të gëzuar, sepse Shqipëria tejkalon objektivat e saj duke fituar 3 medalje, ndërkohë që trajneri Zef Gjoni më përpara është shprehur se edhe dy medalje për Shqipërinë nuk do të ishin keq. Pas mbylljes së ndeshjeve, boksierët fitues kanë marrë medaljet përkatëse, ku kanë rënë në sy 5 medaljet për Kazakistanin, 3 për Shqipërinë dhe dy për Italinë. Kupa ekipore natyrisht që i është dorëzuar Kazakistanit. Nuk kanë munguar edhe mirënjohjet. Indonezia ka dorëzuar një trofe mirënjohjeje që është dorëzuar nga Presidenti i asaj Federate, Sekretarit të Federatës Shqiptare të boksit Edmond Kabashi, po ashtu i njëjti trofe është dorëzuar nga indonezianët për të deleguarin e Federatës Europiane të Boksit, turkun Garip Erkojumsung. Për Erkojumsung edhe Shqipëria përmes sekretarit të Federatës të Boksit Kabashi ka dorëzuar trofeun e mirënjohjes për Erkojumsung. Pas të gjithave ekipi Kombëtar i Shqipërisë ka festuar gjatë sukesin e arritur prej tre medaljesh ari të fituara, ndërkohë që ka marrë përgëzime të shumta që kanë ardhur në drejtim të tyre për festën e bukur që i dhuruan Shkodrës e Shqipërisë.

Rezultatet e ndeshjeve finale :

49 kg – Cappai (Itali) vs. Hitarihun (Indonezi) – 6-3
52 kg – Koshegulov (Kazakistan) vs. Puavdors (Mongoli) – 4-3
56 kg – Telegenov (Kazakistan) vs. Enkhjargal (Mongoli) – 4-2
60 kg – Amirzakov (Kazakistan) vs. Mandiangan (Indonezi) – 8-3
64 kg – Vrenozi (Shqipëri) vs. Munkh (Mongoli) – 9-0
69 kg – Bilali (Shqipëri) vs. Cereti (Itali) – 6-1
75 kg – Elensinov (Kazakistan)  vs. Zhuta (Maqedoni) – RCO 2
81 kg – Fidri (Itali) vs.  Serimov (Kazakistan) – 10-6
91 kg – Demaj (Shqipëri) vs. Stermbayev (Kazakistan) – 14-1
+91 kg – Ospanov (Kazakistan) vs. Rossano (Itali) – 7-1

Përgaditi :
Senad Nikshiqi
4 Prill 2011

4 thoughts on “Shqipëria rrëmben tre të arta në “Memorialin Vllaznia 2011”. Xhulio Vrenozi zgjedhet boksieri më i mirë

  1. Urimet me te perzemerta per boksieret shqipetar,dhe ju uroj qe dhe ne turnet te tjera te ken rezultate te tilla, ku dhe shpresoj ne rezultatet e boksiereve shqipetar dhe besoj se se shpejti dhe do te na gezojn dhe me medalje nga kampionatet Ballkanike e Europiane.
    Me vjen mire per pjesmarrjen e te gjitha ketyre shteteve e besoj se vitin tjeter do te ket dhe me shume pjesmarres.

  2. Ndeshjet dhe rezultatet ishin vertet te bukura . Suksese te metejshme
    Nje kryqezim ne sportin shqipetar!!!Ne Fudboll KOSOVA ndihmon SHqiperin.Ne box SHqiperia ndihmon Kosoven,kombinim i bukur

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.