Boksi jonë në udhëkryq!
3 min readPrishtinë, 16 prill – Kanë filluar kualifikimet për Lojërat OIimpike “Londra 2012”, ndërsa mbesim me shpresë se do të kemi ndonjë boksierë që do të kualifikohet dhe që do të na përfaqësojë denjësisht në Londër. Kosova një vend i vogël që përbënte vetëm 10 për qind të popullatës së ish-Jugosllavisë, përkujdesej për suksese të mëdha në sportin e boksit. Djelmoshat tanë arritën të krijonin nam jo vetëm në ish-Jugosllavi, por edhe në Evropë e botë. Emrat si Bajram Hashani, Mehmet Bogujevci, Sami Buzolli, Nysret Rexhepi, Aziz Salihu, i sollën shumë medalje Kosovës. Tash sukseset e tilla i mungojnë vendit tonë. Gjithmonë duhet përmendur trajnerin legjendar Lah Nimani, i cili me punën e tij, ndihmoi që boksierët kosovarë të fitonin çdo gjë në boks. Por, sot vendit tonë i mungon një strateg siç ishte Lah Nimani, e themi me keqardhje këtë. Dihet se boksit rus i dhanë shumë medalje boksierë nga Çeçenia, Dagestani e Ingushtia, etj., por edhe Kosova e bëri ish-Jugosllavinë një prej fuqive të boksit. Meritën më të madhe për këtë e kishin boksierët shqiptarë. Gazetari i ndjerë Fehmi Sejdiu, rrëfente për një intervistë që kishte realizuar në vitet e 80-ta me ish-kampionin olimpik dhe boksierin më të mirë amator të të gjitha kohërave, Teofilo Stevensonin. Sejdiu tregonte se si ishte vështirë t’i afrohej Stevensonit, e lëre më të bënte intervistë me të. Por, kur i kërkoi intervistë, së pari Stevensoni pyeti nga vjen? Sejdiu i kishte thënë nga Jugosllavia, por Stevensoi kishte qeshur dhe i kishte thënë gazetarit të ndjerë: “Ti je shqiptar dhe je nga Kosova, sepse Jugosllavia nuk ka boksier, por ka Kosova. Dhe kur ka boksier Kosova, atëherë ka edhe gazetar”.
Sot boksi ynë gjendet në udhëkryq, sepse nga okupimi i boksit kosovar në vitet e 90-ta dhe po ashtu nga fillimi i boksit shqiptar në Shqipëri po në të 90-tat, ende nuk ka pasur ndonjë rezultat të madh. Derisa boksi në Shqipëri u lejua në të 90-tat, në Kosovë u ndalua dhe u okupua. Tash kanë kaluar 20 vite dhe si Kosova ashtu edhe Shqipëria, vazhdojnë të mos kenë asnjë boksier në Olimpiadë. Shqipëria ka gjasat e veta në kualifikimet që do të mbahen së shpejti, ndërsa Kosova ende mbetet e pa pranuar nga AIBA.
Derisa boksi në Shqipëri ishte në zhvillim e sipër, në vitin 1996 ishte një kosovar Luan Krasniqi që fitoi medaljen e bronztë olimpike me Gjermaninë në Atlanta. Të gjithë shqiptarët ishin krenar me të. Në Olimpiadat 2000 dhe 2004 nuk patëm asnjë boksier shqiptar, qoftë edhe ndonjë që garon për një shtet tjetër. Në “Pekin 2008” u paraqit një shqiptar tjetër, ai ishte Naim Terbunja. Terbunja garoi me Suedinë, por gjithë shqiptarët ishin krenar me të.
Terbunja nuk fitoi medalje, por ne së paku patëm një përfaqësuesë. Tani kur asnjë boksier i yni nuk ka arritur normën olimpike, ne shpresat në kualifikimet në Turqi i kemi te boksierët nga Shqipëria. Aty gjasa do të kenë Kristian Demaj, Asmer Bilalli, Xhulio Vrenozi.
Kosova sërish mbetet pa gjasa, sepse vazhdon të mos jetë e pranuar. Por, boksi femëror do të ketë një kosovare në kualifikime me Azize Nimanin. Nimani do të garojë për Gjermaninë, ndërsa do të synojë të nxjerrë biletën për në “Londra 2012”, në Botërorin në Kinë që mbahet më 9 maj.
Shpresojmë që së paku të kemi ndonjë shqiptar në Lojërat Olimpike, pavarësisht se për cilin shtet do të garojë ai. Duhet të kuptojmë situatat e vështira në të cilat gjendet dy shtetet tona. Sportistëve tanë ju duhet përkrahje nga të gjithë ne, e jo siç jemi mësuar në vitet e fundit të merremi me patriotizëm.
Medalje e Luan Kransiqit në Atlanta është edhe e jona. Përfaqësimi i Naim Terbunjës në Pekin ishte përfaqësim i gjithë kombit. Kualifikim i Azize Nimanit në Londër këtë vit do të ishte edhe i gjithë popullit shqiptar. Punë, suksese, krenari dhe mbi të gjitha më tepër përkrahje financiare për të gjithë sportistët.
Artan Vërbica
16 Prill 2012
ishalla mer pjes naj kush