Azize Nimani kthehet nga Amerika me medalje të argjent
2 min readBoksierja jonë Azize Nimani është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me medalje të argjent. Nimani sot ateroi në aeroportin e Frankfurtit ku ishte pritur nga delegacioni i Federatës së Boksit të Gjermanisë dhe nga familjarët e saj. Nimani tregoi performancë të shkëlqyeshme në Colorado duke shënuar dy fitore dhe një humbje. Ajo në meçin e parë mposhti amerikanën Tyrieshia Douglas 17 me 15, ndërsa në gjysmëfinale doli më e mirë ndaj amerikanës tjetër, Cynthia Moreno 17 me 10. Në finale fati deshi që Nimani të boksoj edhe me një tjetër amerikane, me reprezentuesen Poula Estrada të cilën Nimani e humbi me një pikë epersi 13 me 12. Ajo edhe vetë theksoi se nuk e kishte ditën e saj, por me paraqitjen që bëri Nimani tregoi se është shumë afër Olimpijadës, por kualifikimin do të kërkoj në kualifikimet që mbahen në muajin Shkurt. Nimani ka pasur në plan të paraqitet edhe në turneun tonë tradicional Adem Jashari, por ka hequr dorë pas konsultimeve me trainerët e reprezantacionit të Gjermanisë, se mund të ndodh ndonjë lëndim para sprovës së madhe që e pret pas dy muajve për kualifikim. Për Nimanin nuk do të ketë pushim, pasi pas disa ditëve do të fillon përgaditjet me përfaqësuesen e Gjermanisë për kualifikime. Në këtë turne boksuan boksierët më të mira të botës, si kampionja e botës Elena Savijenjeva, pastaj e treta e cila doli në kampionat evropian në Rotterdam, Karolina Machalcuk e shumë yje tjera botërore, por Nimani u ndesh vetëm me amerikanet e grumbulluara që pas këtij turneu do të vendosin se cilën do të përzgjedhin për Lojrat Olimpike 2012 në Londër.
Artan Vërbica
20 Nëntor 2011