RTK

RTKLive
5 Dhjetor, 2021

Xhavit Bajrami: Kikboksi është si shahu

6 min read

Xhavit Bajrami, 36-vjeçari nga Luzerni i Zvicrës, mbron sërish titullin e kampionit të botës në kikboks, të cilin e ka marrë me sukses që në vitin 1999. Ai është nxënësi i mjeshtrit të famshëm luzernian Andy Hug.
Gjatë rinisë së tij të hershme, Xhavit Bajramit nuk i ka shkuar kurrë ndërmend të merret me sportet marziale. Në fillim të karrierës së tij ai rrëfen: «Unë kam ardhur që 13 vjeç nga Kosova në Zvicërr dhe atëherë ndiqja gjimnazin. Qëllimi i ardhjes sime ishte të vazhdoja studimet këtu. Asokohe jetoja në Gisikon dhe luaja futboll me skuadrën SK Root. Rastësisht, në moshën 18 vjeçare u njoha me kampionin botëror të kikboksit, Andi Hug-un.»
Si ndodhi?: Në atë kohë, Bajrami punonte gjatë fundjavës në një klub nate në Luzern, për të fituar ndopak para. «Pronarët e klubit më treguan se kishin një mik që jetonte në Japoni dhe ishte kampion bote në karate. Ai do të vinte së shpejti për vizitë dhe kështu u takova me Andi Hug-un, i cili më njohu me sportin dhe jetën e tij në bisedat private që pata me të. Atëherë nuk qe sporti ai që më befasoi më shumë, por personaliteti i tij, koncepti i të jetuarit, qetësia dhe botëkuptimi i tij. Ai më ka dhënë të kuptoj se, artet marciale janë një rrugë e mirë për të patur një pikëpamje të shëndoshë ndaj sfidave të jetës dhe për të fituar urtësi. Këto biseda me të, më kanë lënë mbresa të thella. Nuk zgjati shumë derisa unë ndoqa mësimin e parë në Dojo-n e Andi Hug-ut (dojo: nga japon. “vendi i arteve marciale”; shën. i përkth.) në Baselstrasse. Ai nuk ka mësuar vetëm karate dhe kikboks nga Andi, por shumë më tepër gjëra, që e kanë ndihmuar atë në jetë, – thotë Bajrami. Në fund, ai e ka shoqëruar Andin në Japoni, ku dhe ka ndërtuar atje karrierën e tij sportive. Ngritjen e tij në sportin e kikboksit Bajrami e ka përjetuar në Japoni. Ndërkohë, ai është për të disatën herë kampion bote në dy organizata botërore.

Kikboksi nuk të shkakton dhimbje
Pyetjes nëse kikboksi të shkakton dhimbje, Xhavit Bajrami i përgjigjet spontanisht me Jo. Ai thotë se “Kikboksi – ashtu si çdo lloj tjetër sporti në artet marciale – është një sport, që ushtrohet vetëm nga meshkuj dhe femra të trajnuar më së miri. Trajnimi i përditshëm të aftëson të mos marrësh goditje, që të shkaktojnë dhimbje. Në kikboks, lëndimet janë më të rralla se, për shembull, në futboll apo hokej. Gjithashtu, kikboksi është më pak i rrezikshëm se boksi.

Kikboksi te zhvillon shume inteligjencen
Me inteligjencën nuk nënkuptoj profesionalizmin në sport, por aftësinë për ta njohur, zotëruar dhe mbrojtur trupin tënd deri në majat e gishtave. «Kjo e forcon ndjenjën e vetëvlerësimit, të bën të ndjehesh mirë mentalisht dhe fizikisht dhe të jep vetësiguri.» Bajrami e krahason kikboksin me shahun, ku parimi kryesor është  njohja e dobësive të kundërshtarit dhe shfrytëzimi i aftësive vetjake në momentin e duhur.

Kikboksi nuk është për personat agresivë
Sipas Bajramit, kikboksi nuk është për njerëzit agresivë. Ai, i cili ka njohur shumë shkolla të arteve marciale në Europë dhe Azi dhe drejton një shkollë të tijën në Luzern, thotë se, «Në shkollat e arteve marciale nuk pranohen aspak njerëzit agresivë, ata i flakin jashtë që në stërvitjen e parë. Kush do vërtet të fillojë artet marciale, duhet të mësojë njëherë vetëpërmbajtjen.» Disiplina në vetvete dhe kundrejt partnerëve në stërvitje përbën parimin kryesor në artet marciale. «Kundërshtarët gjatë stërvitjes dhe ndeshjeve nuk trajtohen si kundërshtarë, por si partnerë. Pa ata unë nuk mund të zhvilloj as trajnimin dhe as ndeshjen time, dhe pa ata nuk mund t’i dalloj as dobësitë apo forcat e mia. Prandaj, për mua ata kanë rëndësi absolute», thekson Bajrami. Këtu nuk bëhet fjalë për ta «rrahur paq» dikë, por për të qenë më i miri.

Edhe për fëmijët dhe vajzat
Në shkollën e arteve marciale në Luzern, të kampionit botëror të kikboksit Xhavit Bajrami, nuk stërviten vetëm meshkuj, por edhe femra e fëmijë.

«Vazhdimisht përjetoj ndjesinë që brenda një kohe të shkrutër, nxënësit e mi shndërrohen në njerëz aktivë, të ndërgjegjsëhm, të kujdesshëm dhe me të zgjuar.», thotë Bajrami.
Dhe më pas, duke filozofuar, ai shton: «Në kulturën tonë, mundësitë e trupit lihen tërësisht pas dore. Ne këtu jetojmë vetëm me kokën. Kikboksi është një formë e kulturës së trupit. Ai nxit jo vetëm trupin, por edhe shpirtin.»
Felix von Wartburg
______________________________________________________
K1: Kampioni dhe nxënësi i tij shembullor

Gazetari sportiv René Leupi është njohës i mirë i skenës së arteve marciale. Ai është i bindur se K1 do të mbetet një sport i dashur në Zvicërr, falë Andy Hug dhe Xhavit Bajramit.
René Leupi, pas vdekjes së Andy Hug, Zvicrra paraqet sërish një njeri të klasit botëror ne K1 përmes “Gentleman-it” Xhavit Bajrami. Si mund t’i krahasoni me njëri-tjetrin këta dy atletë?
René Leupi: Xhavit Bajrami ishte për vite me radhë nxënësi shembullor i Andy Hug-ut dhe ka kaluar shumë vjet me të në Japoni. Kjo e ka karakterizuar edhe stilin e tij të ndeshjes. Megjithatë niveli i Hug-ut mbetet absolut. Në aspektin teknik të boksit Bajrami mund të barazohet me Hug-un, por në kikboks teknikisht Hug ishte më i miri, për kohën që jetoi.
Andy Hug ishte një yll i madh në Japoni. Kujtimet e zvicerranëve në vendlindjen e K1 janë ende të freskëta. Si e shpjegoni këtë dukuri?
Në atë kohë, Andy Hug ishte në majën e këtij sporti, kur artet marciale-K1 fituan popullaritetin më të madh, fillimisht në Japoni, më pas në mbarë botën. Lidhja e mirë me themeluesin e K1, Kazojushi Ishi dhe me faktin që ai jetonte në Japoni, mentalitetin e së cilës mishëronte, e bëjnë Hug-un të pavdekëshëm në vendlindjen e skenës së K1.
Fama e Andy Hug-ut, e ka kthyer Zvicrën në një nga kryeqendrat e këtij sporti. Si parashikohet e ardhmja e këtij lloj sporti tek ne?
K1 do të mbetet gjithmonë një sport i kufizuar në Zvicër. Këtë nuk mund ta ndryshojë as Bajrami, apo edhe shootingstar-i i ardhshëm Janosh Nitlispah nga Cham-i, i cili mund të shkaktojë ndërkohë një eufori në artet marciale në rajon, por Zvicra nuk do mund të bëhet kurrë Japonia e K1-it.

Ju keni marrë pjesë në shumë ndeshje live: Si jeni ndjerë në ato çaste?
Boksi është në vetvete një sport i vështirë, ndërsa kikboksi e tejkalon atë shumë më tepër. Një kikboksier duhet të ketë aftësi të mëdha, në mënyrë që t’i ruhet goditjeve njëkohësisht me këmbë, gjunjë dhe grushta. E gjithë kjo më ngjall keqardhje gjatë shikimit të ndeshjes. Ky është vërtet një sport vetëm për burra të fortë.
Po, por edhe femrat dalin në ring – Çfarë mendoni për këtë?
Me dorë në zemër, ka lloje sportesh më të bukura dhe më estetike për femrat. Kikboksi tek femrat sapo ka filluar dhe ka mangësira të mëdha. Megjithatë, nuk besoj se do të bëhem ndonjeherë fans i femrave, që ushtrojnë një disiplinë të tillë të arteve marciale.
René Leupi, Gazetar sportiv dhe ekspert i arteve marciale-K1

Këtë intervistë Xhavit Bajrami e kishte dhënë për një medium në Zvicër deri sa ekzkluziisht e ka dhënë për te ne në Kosovë për “Koha Ditore”  dhe Kosova Boxing.

E falenderojmë për respektin
Stafi i Kosova Boxing
17 Gusht 2012


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.