Vrenozi, Paskali dhe Shala triumfojnë në fundjavë
2 min readKrahas dy boksierëve tanë Robin Haxhi Krasniqit dhe Sefer Seferit, paraqitje të mirë në fundjavë patën edhe disa nga boksierët më të mirë shqiptarë që janë në ngritje të karrierës së tyre.
Xhuljo Vrenozi (12-2-0, 2 KO) i cili 13-meçet e para në boksin profesionist i zhvilloi në Itali, duelin e 14-të e zhvilloi në ishull. Ai në Londër boksoi kundër bullgarit Angel Emilov (9-23-0, 5 KO) duke triumfuar me vendim unanim pas gjashtë raundeve.
“Kisha emocione të papara. Po boksoja në Angli në një ambient krejt ndryshe dhe para një publiku krejt tjetër. Shumë shqiptarë kishin ardhur të më përkrahnin. Emocionet e bërën të vetën dhe kjo bëri që unë mos të fitoja këtë meç me nokaut. Si do që të jetë, po kthehem nga lëndimi dhe një fitore si kjo është e mirë se ardhun” theksoi Vrenozi për Kosova Boxing.
Xhek Paskali (5-0) shënoi edhe një fitore të madhe. Ai kësaj radhe zhvilloi një meç në tetë raunde në Goppingen të Gjermanisë duke triumfuar kundër franqezit Joseph Mulema (6-5-1, 2 KO) pas tetë raundeve. Nga fillimi deri në fund Paskali demonstroi një meç mjaft të bukur. Të tre gjyqëtarët vlerësuan fitoren e boksierit tonë, 80-70, 79-71 dhe 78-72. Me pesë fitoret e para në boksin profesionist, Paskali tani renditet i 100-ti në boxrec. Ai shumë shpejt po ecën drejt suksesit personal i cili do të shpallet debutuesi më i mirë në boksin profesionist për 2018.
Paskali pritet që edhe me 15 dhjetor të paraqitet në Hamburg të Gjermanisë.
Granit Shala (5-0, 1 KO) po shkëlqen në paraqitjet e tij. Shala këtë fundjavë në Munih të Gjermanisë mposhti serbin nga Bosnje e Hercegovina, Daso Simeunovic (2-3-0, 1 KO) me vendim unanim pas katër raundeve. Shala edhe në boksin amator kishte boksuar me Simeunovic duke e mposhtur në dy diciplinat. Ai me punën që është duke bërë me trajnerin dhe menaxherin shqiptarë Agron Kurtishi, pritet të ketë mjaft suksese në të ardhmen.
www.kosovaboxing.org
19 nëntor 2018