RTK

RTKLive
28 Mars, 2024

Vllaznia kampionë për herë të 18-të

3 min read

Shkodër, 30 Shtator 2012 – Ka bërë atë që pritej Vllaznia në kampionatin e 20-të të boksit për të rritur. Ekipi i drejtuar nga trajneri kampion, Zef Gjoni, ka arritur të shpallet për të 18-tën herë kampion i Shqipërisë, jo një rastësi e ringut kombëtar. Vllaznia siguroi me meritë në 10 pesha 6 kampionë kombëtarë, duke qenë një nga skuadrat më të mira të këtij aktiviteti. Madje kuqblutë kanë arritur të shpallin edhe boksierin më të mirë të këtij evenimenti, kampionin e peshës 64 kg, Kristian Shytanin. Një arritje kjo për boksin shkodran dhe për trajnerin e mirënjohur Zef Gjoni, i cili në mbyllje të këtij aktiviteti është shprehur tepër i entuziazmuar për arritjet e të tijve. “E kemi merituar dhe besoj se askush nuk mund të thotë ndryshe. Humbja e Bilalit në ditën e parë i motivoi edhe më tepër boksierët për ta fituar medoemos këtë titull kampion, dhe që nga ajo ndeshje nuk kemi humbur më asnjë tjetër. Në fund arritëm të nxirrnim 6 boksierë kampionë dhe ky është një sukses i jashtëzakonshëm, por unë e kam thënë edhe më përpara se nuk ishte çudi të nxirrnim 9 kampionë. Sa për titullin tim të 18-të personal, jam shumë i lumtur dhe mendoj se kam punuar për këtë ditë”, – do të deklaronte trajneri i Vllaznisë, Zef Gjoni. Por në ceremoninë e zhvilluar në fund të kampionatit, një vlerësim i veçantë pati edhe për boksierin vendës Kristian Shytani që është shpallur boksieri më i mirë i kampionatit. Realisht, boksieri nuk e kishte pritur një vlerësim të tillë dhe këtë e ka shprehur edhe për gazetën “Panorama Sport” kur ka deklaruar: “Sinqerisht që nuk e prisja të vlerësohesha si boksieri më i mirë i kampionatit, pasi objektivi im ishte të shpallesha kampion në peshën time. Megjithatë, edhe kjo kupë natyrisht që do më motivojë akoma më shumë për të ardhmen”. Vllaznia kësisoj është vlerësuar edhe njëherë si mbretëreshë e ringut shqiptar. Një dominim absolut i boksierëve të saj në të katër ditët e kampionatit. Me diferencë të dukshme nga kampionët kuqeblu, me 12 pikë, vendin e dytë e zuri Tirana, kurse Dardania do të nderohej me vendin e tretë.

Finalistët
Nga 10 pesha finaliste, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Zef Gjoni shpalli kampionë 6 boksierë, përkatësisht: Rexhildo Zeneli (52 kg), Ronildo Piranej (56 kg), Fatjon Arapi (60 kg), Kristian Shytani (64 kg), Kristian Dema (81 kg) dhe i fundit Nelson Hysa i peshës +91 kg. Ndërsa bardheblutë do të kurorëzoheshin me 3 kampionë: Denis Nurja (69 kg), Alban Beqiri (75 kg) dhe Aleksandër Rama (91 kg).

KAMPIONËT në kategori:

TAULANT ZAJMI (DARDANIA) 49 kg
REXHILDO ZENELI (VLLAZNIA) 52 kg
RONILDO PIRANEJ (VLLAZNIA) 56 kg
FATJON ARAPI (VLLAZNIA) 60 kg
KRISTIAN SHYTANI (VLLAZNIA) 64 kg
DENIS NURJA (TIRANA) 69 kg
ALBAN BEQIRI (TIRANA) 75 kg
KRISTIAN DEMA (VLLAZNIA) 81 kg
ALEKSANDËR RAMA (TIRANA) 91 kg
NELSON HYSA (VLLAZNIA) +91 kg

RENDITJA EKIPORE
1. VLLAZNIA 33 pikë
2. TIRANA 21 pikë
3. DARDANIA 15 pikë

Boksieri më teknik: Arnold Kuqari (Apolonia)
Boksieri më teknik: Denis Nurja (Tirana)
Boksieri më i mirë: Kristian Shytani (Vllaznia)

Admir URUCI
Panorama Sport

10 thoughts on “Vllaznia kampionë për herë të 18-të

  1. Nuk po lexoj komente te Sorrave. Me sa duket mbas 14 vjet e kusur qe hane grushta prej Nelson Hyses me shoke e kane kuptu se nuk jane ne nivelin e tyne. Urime Vllazni se ia mbyll gojen gjithkuj. Me vjen keq edhe per shkodranet qe hedhin balte ne kte forum kundra Zef Gjonit e Vllaznise per arsye personale. Hajt se dikur do tju plotsohet deshira se Tirana pervec se ka 1 milion banore po mbledh boksiere nga gjithe vendi. Kte vit kishte marre 2 boksiere vlonjat. Heret a vone do t’ja arrije qellimit me mposht Vllaznine qe garon vetem me shkodrane

  2. Shkodrra kihte marr 2 boksieri te huaj nje nga lezha nje nga vlora kshuqe mos flisni kur sdini gje 🙂 Pesha 52 kg dhe pesha 60 kg qe dolen kampion pa ato mund te fitonte tirana 🙂

  3. Alban Beqiri, eshte e ardhmja e sigurt e boksit Shqiptar, boksier i ekipit Tirana stervitur nga trajneri Sead Bushati, kampion me kadete, 2 here me rradhe kampion me junior, boksieri me i mire per junior, tashme kampion apsolut me senjore.

  4. robert faleminderit per lajmin se skena ndergju najher per kete por alban bermeta a spo dul kampion ksaj radhe

  5. Fitorja e Alban Beqirit diten e pare ishte skandali i kampionatit. Shikoni videon e ndeshjet e vleresoni vete. Vete Albani dhe Seadi mbeten te surprizuar pas vendimit te gjyqtareve.

  6. Ka bo me Bekim Vjerdhen e Shkodres, ndeshje e diskutueshme por me paster beri Albani, per mendimin tim nuk ka qene skandali tek kjo ndeshje por tek Serxho Sina me boksierin e Durrsit dhe Esild Kalemi me boksierin e Shkodres ku ju mohua fitorja.

  7. rober te elsid kalemi e pranoi rezultatin edhe sportisti edhe traineret. tani dalin gjithqfare specialistesh duke vlersu ndeshjet e vendimet e gjygjtaris.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.