RTK

RTKLive
24 Prill, 2024

Rezultatet dhe storiet nga dita e dytë e kampionatit shqiptar

4 min read

Ka nisur dita e dytë e Kampionatit Kombëtar të Boksit Amator që po zhvillohet në qytetin e Shkodrës. Edhe në ditën e dytë është shfaqur nivel i lartë nga ana e boksierëve. Ashtu si një ditë më parë edhe e dyta është dominuar nga skuadrat pretendente si: Vllaznia, Tirana, Apollonia dhe Teuta. Në ditën e dytë nuk ka patur ndonjë suprizë gjatë ndeshjeve të zhvilluara sepse kanë fituar boksirët më me eksperiencë. Ndryshe nga dita e parë vetëm takimi i parë ka përfunduar me tërheqje të njërit prej boksierëve ndërsa takimet e tjera janë mbyllur të gjitha deri në përfundim të raundit të tretë. Kanë qenë pikët ato që kanë vendosur për fituesit. Në ditën e dytë nuk kanë munguar ndeshjet e bukura dhe me rivalitet. Nga 8 sfidat e zhvilluara në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” në Shkodër ka rënë në sy përballja e peshës 81 kilgram ku shkodrani i rikthyer në radhët e Vllaznisë, Sulejman Dashi ka fituar mes emocionesh ndeshjen kundër Beratasit Irfan Azizi. Edhe përballja e fundit mes Nelson Hysës të Vllaznisë dhe Fatjon Sorrës të Partizanit ka dhënë emocione teksa ky duel që e shohim prej disa vitesh në ring si zakonisht është mbyllur me fitoren e Hysës. Kështu në një analizë të përgjithshme të dy ditëve të para Kampionati dominohet nga Vllaznia e cila në pesë ndeshje ka marrë pesë fitore dhe nga Tirana e cila edhe ajo deri tani ka arritur pesë fitore. Më pas renditen Apollonia dhe Teuta që kanë nga katër fitore dhe janë në ndjekje të Vllaznisë e Tiranës.

Edhe në ditën e dytë nuk kanë munguar protestat. Është sërish trajneri i Apollonisë i cilë pretendon se ndeshja e peshës 60 kilogram duhej të ishtë fituar nga boksieri i tij Marjo Braisha ndërkohë që fitorja i është dhënë Tiranasit Elton Cenaj. Ndërsa trajneri i Partizanit, shkodrani Sead Bushati në sfidën e fundit të peshës së rëndë ka kërkuar ndryshimin e njërit prej arbitrave në një prëj tavolinave të gjykimit. Kështu si rrallë herë për të shmangur dyshimet, Kryegjyqtari Rahmi Sadushi është ulur duke në një prej tavolinave poshtë ringut në ndeshjen mes Nelson Hysës të Vllaznisë dhe Fatjon Sorrës të Partizanit. Kanë qenë dy moment që nuk janë kaluar lehtësisht nga gjyqtaria.

Në përfundim të ditës së dytë trajneri i Vllaznisë Zef Gjoni është shprehur i kënaqur dhe optimist për skuadrën që drejton teksa ka thënë: “Ky Kampionat po zhvillohet me sukses, deri tani nuk kemi problem të mëdha. Ekipet, boksierët dhe trajnerët janë të disiplinuar. Vllaznia ka marrë pesë fitore në pesë ndeshje, gjë e cila patjetër na gëzon dhe na jep shpresë për fitimin e titullit Kampion nga Vllaznia siç është bërë zakon të paktën 20 vitet e fundit” theksoi per Kosovaboxing.org. . Ndërkohë që trajneri i Tiranës Skenderr Kurti është i kënaqur me ecurinë e Kampionatit. Për “Kosova Boxing” tekniku i Tiranës është shprehur: Është një zhvillim i bukur dhe i mbarë i Kampionatit në këto dy ditë të para. Vllaznia dhe Tirana ime deri tani janë shfaqur dy pretendentet kryesore teksa pas ditës së dytë qëndrojnë në krye me nga 5 fitore secila. Megjithatë Vllaznia duhet thënë se ka 9 pesha ndërsa ne kemi ardhur me 7 pesha  gjë e cila mund të na privojë nga fitimi i titullit Kampion. Gjej rastin të falenderoj organizatorët dhe në veçanti mikëpritjen e ngrohtë nga shkodranët. Komplimentet më të mira për Klubin ShumëSportesh Vllaznia dhe ekipin e boksit të Vllaznisë. Vllaznia dhe Tirana janë ekipet më të mira dhe sëbashku me trajnerin shkodran Zef Gjoni po përpiqemi që të nxjerrim në pah elementët më cilësorë në mënyrë që të përfaqësohemi denjësisht në Kampionatin Botëror të Koresë së Jugut që mendohet të jëtë në muajin tetor të këtij viti”.  Edhe Kryegjyqtari Rahmi Sadushi ka folur duke u përqendruar tek gjykimi i dy ditëve të para. “Ka patur disa momente ku trajnerët kanë protestuar por që nuk kanë qenë shumë problematike dhe nuk ndikojnë në rezultatin përfundimar. Gjykimi i gjyqtarëve mendoj se ka qenë i rregullt dhe jo problematik. Ato pak raste të vogla të kundërshtimeve janë zgjidhur me sukses. Çdo ekip dhe çdo boksier ka marrë atë që meriton dhe kështu do të jetë deri në përfundim të ndeshjeve finale” – ka përfunduar Kryegjyqtari Sadushi. Dita e tretë ka të planifikuara 7 ndeshjet gjysëmfinale, në përfundim të cilave do të përcaktohen boksierët finalist. Ndeshjet zhvillohen në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” në ora 18:00.

Rezultatet nga dita e dytë:
57 kg – Moren Rokaj (Apollonia) – Leonard Zekja (Tirana) fiton Rokaj AB (tërheqje e kundërshtarit)
60 kg – Elton Cenaj (Tirana) – Marjo Braisha ( Apollonia) – fiton Cenaj me 3 – 2
64 kg – Xhuljo Vrenozi (Apollonia) – Eridon Kikri (Teuta) – fiton Vrenozi me 5 – 0
69 kg – Faslli Selimaj (Teuta) – Gentjan Zaimi (Lushnje) – fiton Selimaj  me 5 – 0
75 kg – Xhek Paskali (Enea) – Mërgim Byberi (Teuta) – fiton Paskali me 5 – 0
81 kg – Sulejman Dashi (Vllaznia) – Irfan Azizi (Berati) – fiton Dashi me 5 – 0
91 kg – Leonard Zeqiraj (Tirana) Xuljano Mataj (Flamurtari) – fiton Zeqiraj me 5 – 0
+91 kg – Nelson Hysa (Vllaznia) – Fatjon Sorra (Partizani) – fiton Hysa  me 4 – 1

Drilona Hoxhaj
10 Shtator 2010

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.