RTK

RTKLive
26 Prill, 2024

Pacquiao mposht Algierin, kërkon meç me Mayweather

2 min read

Pacquiao vs. AlgeriMakau, Kinë, 23 nëntor – Manny Pacquiao ka mbrojtur titullin e botës në kategorinë velter në versionin WBO, duke e mposhtur të dielën në Makau, amerikanin Chris Algieri, bindshëm me vendim unanim pas 12 raundeve. Juria vlerësoi luftën 119:103, 119:103 dhe 120:102 në favor të Pacquiaos.

Boksieri filipinas, që mban rekordin për fitimin e titujve të botës në tetë kategori të ndryshme, rrëzoi kundërshtarin e vet gjashtë herë dhe ia shkaktoi atij humbjen e parë në karrierë.

“Unë jam futur në meç, kam bërë më të mirën dhe mjaftoi. Unë jam munduar ta nokautoj, mirëpo ai ishte i shpejtë dhe lëvizte shumë. Ishte e vështirë të fitoja me nokaut. Unë nuk jam i befasuar që ai vazhdoi të ngrihej. Kështu bëri edhe kundër Ruslan Provodnikovit”, ka thënë Pacquiao 35-vjeçar.

Ai tash ka bilanc prej 57 fitoreve, pesë humbjeve e dy barazimeve.

Algieri në meçin e tij të kaluar kundër rusit Provodnikov u mbijetoi dy nokdauneve dhe në fund triumfoi me pikë.

Mirëpo, kështu nuk ndodhi edhe kundër Pacquiaos të dielën.

Filipinasi së pari e rrëzoi amerikanin 30-vjeçar në raundin e dytë. Më pas e rrëzoi dy herë në raundin e pestë. Pasuan edhe tri nokdaunë të tjera. Dy në raundin e nëntë dhe një në të dhjetin.

“Ai nuk e ka vetëm shpejtësinë e duarve, por në përgjithësi është luftëtar i madh. Ai bën çdo gjë mirë. Unë kurrë nuk u lëndova, mirëpo ai më zuri me disa goditje të fuqishme”, ka thënë Algieri që ka tash 20 fitore e një humbje.

Pacquiao tash ia ka vënë syrin përballjes me yllin më të madh të boksit, amerikanin Floyd Mayweather Jr, 37-vjeçar. Shpreson që kjo luftë të realizohet vitin e ardhshëm.

“Unë e dua atë përballje. Tifozët e meritojnë atë përballje. Jam i gatshëm të ndeshem me të vitin e ardhshëm”, ka thënë Pacquiao.

Deri më tash kampet e boksierëve kurrë nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë një akord për një përballje, ndërsa njëra prej pengesave kryesore ka qenë insistimi i Mayweatherit për programe strikte të testeve të gjakut gjatë stërvitjeve.

Kosovaboxing.org
24 nëntor 2014 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.