RTK

RTKLive
19 Korrik, 2024

Pacquiao: Mayweather nuk ka ku të ikë

3 min read

Manny PacquiaoLegjenda filipinase e boksit, Manny Pacquiao, ka thënë se amerikani Floyd Mayweather Jr. më nuk ka se si të ikë nga përballja me të. Këto deklarata të Pacquiaos vijnë vetëm një ditë pasi që Mayweather ka thënë se është i gatshëm për përballjen e madhe me boksierin filipinas.

“Mayweather ka arritur në rrugë qorre. Ai nuk ka se ku të ikë më, pos të përballet me mua”, ka thënë Pacquiao, vetëm një ditë pasi që Mayweather kishte thënë se është i gatshëm të përballet me filipinasin më 2 maj të vitit të ardhshëm.

Të dy vlerësohen si yjet më të mëdhenj të boksit tash për tash, mirëpo përballja e ëndrrave mes tyre kurrë nuk ka ndodhur deri më tash, duke zhgënjyer adhuruesit e boksit.

“Unë do të mundohem të bëj më të mirën për të bërë këtë luftë shumë interesante dhe të dhuroj spektakël. Por dyshoj se mund të bëj këtë nëse ai vazhdon me kapjet e tij të zakonshme”, ka thënë Pacquiao, që është boksieri i vetëm që ka fituar tituj të botës në tetë kategori të ndryshme. “Të gjithë e dini se në çfarë mënyre bokson ai. Shumica e luftërave të tij të kaluara, nëse jo të gjitha, të kanë futur në gjumë”.

Nëse vërtet mbahet meçi, atëherë Pacquiao, që mbush 36 vjet, thotë se do t’i bëjë Mayweatherit atë që i bëri amerikanit Chris Algieri muajin e kaluar, duke e mposhtur me vendim unanim në luftën për titullin e botës në versionin WBO në kategorinë velter.

“Unë e di se çfarë duhet të bëj. Unë do ta ndjek kudo që të shkoj në rast se ai vendos të ikë nëpër ring. Do të bëjmë një plan të mirë për të”, ka thënë Pacquiao.

Mayweather 37-vjeçar ka thënë se dëshiron që Pacquiao të jetë kundërshtari i tij i radhës. Amerikani që mban nofkën “Money”, prapë ka thënë, se nëse do të mbahet ky meç, që pritet të jetë më fitimprurësi në histori të boksit, atëherë ai dëshiron një hise dukshëm më të madhe të parave sesa kundërshtari i tij.

Në vitin 2012 ishte spekuluar se një meç mes tyre mund të sjellë një fitim prej 200 milionë dollarëve për boksierët, më i madhi në histori, ku shumica e parave do të vinin nga televizionet me pagesë.

Në një moment Pacquiao thotë se Mayweatheri i kishte bërë atij një ofertë prej 40 milionë dollarë me kusht që vetë Mayweather të mbante paratë e televizionit me pagesë, që do të sillnin dyfish më tepër fitim sesa që Pacquiao do të merrte.

Bisedimet e kaluara po ashtu u prishën pasi Mayweather thotë se Pacquiao kishte refuzuar t’u nënshtrohej testeve të gjakut për doping gjatë stërvitjeve.

“Mayweather mund të marrë shumën që dëshiron. Madje unë në janar të këtij viti e sfidova për një meç bamirësie. Deri më tash ai nuk është pajtuar për këtë. Kështu që paraja nuk do të jetë pengesë për mua. Ky meç do të jetë për trashëgimi, për të bërë tifozët e lumtur, dhe mbi të gjitha është për të mirën e boksit”, ka thënë Pacquiao. Pacquiao në ringun profesionist ka 57 fitore (38 KO), pesë humbje e dy barazime. Mayweather ndërkohë ka fituar 47 meçet e zhvilluara deri më tash në boksin profesionist, 26 prej tyre me nokaut.

Kosovaboxing.org
19 dhjetor 2014

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.