RTK

RTKLive
16 Prill, 2024

Pacquiao i nxjerr hakun Bradleyt

3 min read

Pacquiao 2Las Vegas, 13 prill 2014 – Në vlerësimin e shumicës, Manny Pacquiao kishte mposhtur bindshëm Timothy Bradleyn, kur ata u takuan dy vite më parë. Të shtunën mbrëma, në rimeç, Pacquiao fitoi sërish, por kësaj radhe edhe në vlerësimin e atyre që vendosin, në vlerësimin e jurisë. Pacquiao triumfoi në MGM Grand Garden Arena të Las Vegasit ndaj Timothy Bradleyt me vendim unanim pas 12 raundeve, duke nxjerrë hak për humbjen kontroverse në meçin e parë të këtyre të dyve. Lufta ishte për titullin WBO në kategorinë velter.

Të tre anëtarët e jurisë vlerësuan luftën në favor të boksierit filipinas. Njëri vlerësoi luftën 118:110, ndërsa dy tjerë 116:112. Për Pacquiaon 35-vjeçar ishte fitorja e 56-të në karrierë (38 KO), karshi pesë humbjeve e tri barazimeve. Bradley pësoi humbjen e parë në karrierë, pas 31 fitoreve.

“Unë e dija se duhet të bëj më tepër në këtë përballje sesa bëra në përballjen e parë”, tha Pacquiao, i cili demonstroi se ende nuk ka mbaruar.

Bradley kishte premtuar një fitore me nokaut, dhe atë tentoi të bënte. Mirëpo, nuk ia doli. Shumica e grushteve të tij godisnin në duar Pacquiaon.

“Ai ofroi një meç të mirë. Nuk është boksier i lehtë për t’u mposhtur. Unë dëgjova trajnerin tim dhe isha i kujdesshëm. Ai godiste shumë dhe nuk doja të merrja ndonjë nokaut për shkak të pakujdesisë”, ka thënë Pacquiao.

Bradley tha se ishte i penguar nga një lëndim i pulpës së këmbës së djathtë që mori në raundin e parë, mirëpo ai nuk deshi të jepte arsyetime. Ai pranoi se Pacquiao ishte fitues me meritë.

“Unë nuk kam arsyetime. Këto gjëra ndodhin. Nuk mund të thuash asgjë kundër Mannnyt. Unë kam humbur nga luftëtari më i mirë në botë. Manny luftoi me zemër. Përgëzoj atë dhe gjithë stafin e tij, përfshirë trajnerin Freddie Roach”, ka thënë Bradley. “Unë jam munduar vërtet. Kam dashur atë nokaut. Manny është luftëtar i madh, më i miri në botë. Unë kam humbur nga njëri prej boksierëve më të mirë në histori. Jeta vazhdon. Unë do të kthehem në palestër dhe do të marr veten”.

Trajneri i Bradleyt, Joel Diaz, ka treguar se si lëndimi i pulpës ka penguar boksierin e tij të aplikojë strategjinë që kishin.

“Pas raundit të parë Tim erdhi në kënd dhe më tha, ‘Mendoj se kam këputur pulpën time të djathtë’. Unë nisa t’ia masazhoja. Ai ishte me shumë dhembje nga ai moment dhe nuk mundi të bënte shumë”, ka thënë Diaz.

Me të nisur meçi, Pacquiao filloi edhe ofensivën, ndërsa pjesa më e madhe e tifozërisë në Las Vegas nisën të përkrahnin atë. Pacquiao fitoi 20 milionë dollarë nga kjo luftë, duke mos përfshirë këtu edhe fitimet që do të marrë nga të hyrat e televizionit me pagesë. Ndërkohë Bradley fitoi gjashtë milionë dollarë.

Pacquiao ka nisur tash të mendojë për sfidat e radhës, ndërsa një mundësi është përballja e pestë me meksikanin Juan Manuel Marquez. Përballjen e fundit mes këtyre dyve e fitoi Marquez me nokaut në raundin e gjashtë në dhjetor të vitit 2012.

“Unë mund të luftoj edhe së paku dy vite. Jam shumë i lumtur që sërish kam fituar titull bote”, ka thënë Pacquiao, që është boksieri i vetëm që ka fituar tituj bote në tetë kategori të ndryshme të boksit profesionist.

Kosovaboxing.org
13 prill 2014

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.