RTK

RTKLive
29 Mars, 2024

Muriqi sfidon titullin WBC të Amerikës me 14 qershor

2 min read

elviri muriqiiiiiFoto: Fadil Berisha

Boksieri kosovar i kategorisë gjysmë të rëndë, Elvir Muriqi, më 14 qershor në New York do të përballet me amerikanin Sean Monaghan, për titullin WBC Continental Americas. Dueli mes Muriqit e Monaghanit që do të jetë në dhjetë raunde, do të jetë parameç në mbrëmjen ku meçi kryesor do të jetë ai mes rusit Ruslan Provodnikov dhe amerikanit Chris Algieri, ndërsa mbrëmja do të transmetohet nga kanali televiziv HBO.

“Unë kam firmosur kontratën për t’u përballur me Monaghanin. Kam edhe gjashtë javë për t’u përgatitur. E njoh mirë kundërshtarin dhe ai nuk është aq i mirë, por është punëtor dhe nuk ka humbje. Nëse e shikojmë talentin, atëherë unë jam më i mirë, por ai është më i disiplinuar dhe është boksier punëtor. Kam ende kohë për t’u përgatitur dhe besoj se do të jem në formën më të mirë kur të vij deri te përballja dhe synoj të fitoj këtë duel, që do të më ngrejë në renditjen e versionit WBC”, ka thënë Muriqi për Kosova Boxing.

Për Muriqin 34-vjeçar kjo do të jetë përballja e 47-të në boksin profesionist. Ai ka 40 fitore (24 KO) dhe ka pësuar gjashtë humbje. Muriqi së fundi në ring është ngjitur më 31 janar, kur pësoi në New Jersey nga australiani Blake Caparello me vendim unanim pas dhjetë raundeve.

Kundërshtari i tij i radhës, Monaghan, 32-vjeçar, ka fituar 21 duelet e tij të deritashme në boksin profesionist, 14 prej tyre me nokaut. Ai është kampion aktual i titullit WBC Continental Americas, ndërsa në renditjen botërore në versionin WBC zë vendin e dhjetë. Në versionin WBO, Monaghan është i 15-ti, në versionin WBA është i gjashti, ndërsa në versionin IBF i shtati.

“Jam i bindur se do të kem përgatitje të mira dhe jam optimist se do të fitoj. Me një fitore do të më hapen rrugët drejt një lufte për titull bote, të cilin e kam synim”, ka thënë Muriqi.

Artan Vërbica
6 maj 2014

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.