RTK

RTKLive
28 Mars, 2024

Muriqi kundër Blake Caparello me 31 janar

2 min read

elvir muriqi 3Boksieri i njohur kosovar i kategorisë gjysmë të rëndë, Elvir Muriqi, më 31 janar në New Jersey do të përballet me australianin Blake Caparello. Këtë e ka konfirmuar vetë Muriqi për Kosova Boxing. Muriqi 34-vjeçar ishte paraparë që në këtë mbrëmje të ndeshej me ish-kampionin e botës në dy kategori të ndryshme, hungarezin Zsolt Erdei, mirëpo ky i fundit refuzoi duelin. “Unë jam i zhgënjyer me njerëzit në Amerikë. Nuk kam asgjë kundër Muriqit dhe do të pëlqeja të boksoja me të. Por, nuk do të boksoj më në SHBA”, ka thënë Erdei për Kosova Boxing.

Por, Muriqi është i lumtur që është gjetur një kundërshtar i denjë. “Meçi me Zsolt Erdein nuk u realizua dhe nuk e di se cila është arsyeja, por është mirë se kemi gjetur një kundërshtar të përshtatshëm dhe mjaft të ranguar. Blake Caparello është boksier i mirë, por unë do t’ia shkaktoj humbjen e parë. Përgatitjet po ecin mjaft mirë. Jam duke u ndier mjaft mirë. Kam pasur dëshirë të ndeshem me Erdein, pasi ai ka shumë merita dhe ka qenë kampion bote në dy kategori të ndryshme. Por, prapë jam i lumtur që do të ndeshem me një boksier të fortë dhe tash duhet vetëm të fitoj”, ka deklaruar Muriqi.

Muriqi përballjen e fundit e ka pasur më 15 mars të vitit të kaluar, kur e mposhti me pikë pas tetë raundeve amerikanin Paul Vasquez. Ai vlerësohet ndër boksierët më të mirë profesionistë kosovarë. Deri më tash ka zhvilluar 45 meçe, ku i ka fituar 40 prej tyre (24 KO) dhe ka pësuar pesë humbje. Muriqi ka synime të mëdha për vitin 2014.

“Nëse do Zoti dhe çdo gjë shkon mirë, atëherë në vitin 2014 synoj të boksoj për titull të botës. Më kanë thënë që të fitoj këtë përballje dhe më pas do të më vij mundësia për të luftuar për titull bote”, ka deklaruar Muriqi.

Australiani Blake Caparello 27-vjeçar në boksin profesionist ka 18 fitore (6 KO) dhe një barazim. Ai aktualisht është i 34-ti në renditjen e versionit WBC. Meçi me Muriqin do të jetë i pari për të që e zhvillon jashtë Australisë. Caparello së fundi boksoi më 17 tetor kur e mposhti me vendim unanim pas 12 raundeve amerikanin Allan Green.

Kosovaboxing.org
6 janar 2013 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.