Krasniqi bëhet “Kampion bote për bamirësi”
4 min readLudwigsburg, Gjermani, 16 nëntor 2013 – Boksieri më i madh shqiptar, Luan Krasniqi, ka fituar të shtunën përballjen me ish-kampionin e Evropës në tajboks dhe zëvendëskryetar i kompanisë së famshme të automobilave “Porsche”, Uwe Huck. Përballja mes dy ikonave u zhvillua në Ludwigsburg të Gjermanisë në tetë raunde dhe ishte për qëllime bamirësie. Krasniqi e fitoi këtë përballje me vendim unanim pas tetë raundeve, ndërsa u kurorëzua edhe me brezin “Kampion bote për bamirësi”. Përballja mes Krasniqit 42-vjeçar dhe Huckut nëntë vjet më të vjetër, kishte mbledhur pranë ringut shumë personalitete të njohura gjermane.
Fitimet nga kjo përballje janë ndarë për projekte bamirësie. Gjysma e fitimeve kanë shkuar në SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë, projekt në të cilin angazhohet Krasniqi.
“Jam i lumtur që kam takuar Uwe Huckun”, ka thënë Krasniqi pas meçit në konferencë për media.
“Dua t`i falenderoj të gjithë të pranishmit që kanë përkrahur këtë projekt dhe poashtu ato që erdhën të na përkrahin” tha Krasniqi. Ndërkohë Huck ka kërkuar një revansh me Krasniqin.
Krasniqi nga boksi profesionist është pensionuar në fund të vitit 2011. Ai gjatë karrierës profesioniste kishte fituar dy herë titullin e Evropës, dhe kishte luftuar edhe për titull të botës në kategorinë e rëndë.
Në parameç të përballjes mes Krasniqit dhe Huckut, në ring janë paraqitur edhe boksierë të tjerë shqiptarë.
Boksieri kosovar i kategorisë velter, Festim Kryeziu, që në ringun profesionist njihet si Timo Schwarzkopf, ka mposhtur ish-kampionin e botës, britanikun Junior Witter me pikë pas dhjetë raundeve. Kryeziu e rrëzoi një herë Witterin në raundin e dhjetë.
Dy nga anëtarët e jurisë vlerësuan luftën në favor të Kryeziut (98:91 dhe 96:94), ndërsa njëri e vlerësoi si të barabartë, 95:95. Për Kryeziun 22-vjeçar ishte fitorja e 13-të në boksin profesionist nga po aq meçe, shtatë prej tyre i ka fituar me nokaut. Kundërshtari i tij Witter, ka pësuar humbjen e shtatë në karrierë, karshi 41 fitoreve e dy barazimeve.
“Jam shumë i lumtur që kam shënuar fitore. Kur i dëgjoja gjithë shqiptarët duke brohoritur, më vlonte gjaku, më jepte shtytje të madhe. Pas kësaj fitoreje, tash e kam synim që vitin e ardhshëm të luftoj për titull të Evropës”, ka thënë Kryeziu për gazetën. Britaniku 39-vjeçar, Witter, kishte qenë më herët kampion bote në kategorinë gjysmëvelter. Madje ai kishte boksuar edhe me yje të boksit si Timothy Bradley e Devon Alexander.
Butrint Rama fitoi përballjen e kategorisë super të mesme ndaj hungarezit Janos Varga me pikë pas gjashtë raundeve. Ai ishte meriotr duke e rrëzuar tre herë hungarezin në raundin e parë, dy dhe të katërt, por Varga kishte ardhur për fitore dhe deri në fund e kërkoi fitoren, por Rama arriti me pjekuri të përmbyll fitoren në favor të tij. Për Ramën kjo ishte fitorja e tetë në boksin profesionist nga po aq meçe, pesë prej tyre me nokaut.
Rama në vitin 2014 do të jetë me plotë duele dhe ai do të sfidoj një titull.”Nuk jam duke nxituar. Titujt do të vijnë shumë shpejtë dhe kam oferta që në 2014 të boksoj për dy tituj të rëndësishëm, por unë dua që të boksoj për titullin EBU që mendoj ka vlerën më të madhe në Evropë” theksoi Rama për Kosova Boxing pas meçit.
I kënaqur me paraqitjen e Ramës ishte edhe trajneri i tij, Agim Krasniqi. “Jam i kënaqur. Butrinti e din çka të kërkoj dhe çfarë të bëjë në ring. Ne patëm një kundërshtar me shumë përvojë, të rëzikshëm, i cili në çdo çast dëshiroi luftë dhe nuk u dorëzua duke kërkuar fitoren. Ai ishte tre herë në dysheme dhe kërkoi fitore deri në fund. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me atë që tregoi Rama. Duelet e tilla do të rrisin nivelin e tij. Ne së bashku me hapa të sigurt po ecim drejt suksesit” tha Krasniqi për Kosova Boxing.
Arijan Sherifi fitoi në një përballje në gjashtë raunde në kategorinë gjysmë të rëndë ndaj lituanit Egidijus Kakstys me pikë pas gjashtë raundeve. Për Sherifin ishte fitorja e tretë nga po aq meçe.
Më shumë rreth kësaj ngjarje do t`ju japim në Magazinën periodike që do të dal në fund të muajit dhjetor.
Nga Ludwigsburgu:
Artan Vërbica
17 nëntor 2013