RTK

RTKLive
16 Prill, 2024

I mbijetuari nga kanceri Pianeta sfidon nesër mbrëma Klitschkon

2 min read

Wladimir Klitschko and Francesco Pianeta at press conferenceMannheim, 3 Maj 2013 – Luftën me kancer e ka fituar boksieri profesionist Francesco Pianeta. Tash italiani i kategorisë së rëndë synon të mposhtë edhe kampionin e botës ukrainasin Wladimir Klitschko.

“Unë isha fizikisht dhe psiqikisht në fund, por doja me çdo kusht të kthehesha”, ka treguar Pianeta në një intervistë për “WAZ”. Italianit 28-vjeçar para tri viteve i ishte diagnostifikuar kanceri në testise. Ai arriti të mbijetojë këtë. Pianeta thotë se në përballjen me Klitschkon do të tregojë forcën e vërtetë të tij.

“Unë kam një mundësi dhe do ta shfrytëzoj atë”, ka deklaruar Pianeta.

Më 4 maj në Mannheim të Gjermanisë, ai do të ndeshet me Klitschkon për titujt WBA Super, IBF dhe WBO në peshën e rëndë.

Ai thotë se pasi i ishte diagnostifikuar kanceri nuk kishte menduar se më do të ishte në gjendje të luftonte e lëre më të ndeshej me kampionin e botës.

“Do ta quaja të çmendur atë që do të më kishte thënë se një ditë do të përballesha me Wladimir Klitschkon. Kisha dhembje të mëdha dhe me ato dhembje as që më shkonte në mendje boksi. Mirëpo, ajo përvojë më ka bërë edhe më të fortë. Unë jam shumë i lumtur që tash kam tejkaluar këtë dhe jam i koncentruar në synimin tim madhor: fitoren ndaj Wladimir Klitschkos”, ka thënë Pianeta.

Për Pianetan do të jetë përballja e 30-të në boksin profesionist. Ai ka 28 fitore (15 KO) e një barazim. Ukrainasi Wladimir Klitschko ka bilanc prej 59 fitore (50 KO) e tri humbje.

“Unë kam respekt të madh për Francesco Pianetan. Ai është i ri, është boksier i papërshtatshëm dhe ka një dëshirë të madhe për të fituar. Ai do të jap çdo gjë për të realizuar synimin. Unë jam i gatshëm dhe nuk do ta nënçmoj”, ka thënë Klitschko 36-vjeçar.

Klitschko vlerësohet favorit absolut për të fituar edhe këtë përballje dhe në rast të fitores atëherë ai pritet të ndeshet me rusin Alexander Povetkin. Në versionin WBA ku Klitschko është super-kampion, Povetkin është kampion.
Të drejtën e organizimit të përballjes mes Klitschkos e Povetkinit e ka fituar më 23 prill, promotori rus Vladimir Hrunov, që ka ofruar 23.33 milionë dollarë. Kjo përballje pritet të mbahet më 31 gusht, ndërsa si vende të mundshme janë Moska, Berlini dhe Las Vegasi.

Kosovaboxing.org
3 Maj 2013

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.