RTK

RTKLive
29 Mars, 2024

Histori: Xhevdet Peci ishte i pamëshirshëm për boksierët amerikan

8 min read

Artan Vërbica
7 shkurt 2020


Njëri ndër boksierët më të famshëm shqiptar i të gjitha kohërave në boksin amator Xhevdet Peci ka pasur një karrierë të shkëlqyeshme në shekullin e kaluar. Peci i cili me vite të tëra ishte i pamposhtur në ish-Jugosllavi, suksese ka pasur edhe me kundërshtar të huaj. Për lexuesit tanë do te veçojmë meçet e tij kundër amerikanëve, ku ishte i pamëshirshëm, ku në pesë meçe kundër amerikanëve, i realizoi katër fitore dhe pësoi një humbje.

Xhevdet Peci vs. Scott Frank – Memphis, SHBA, 1978
Me 1978 në Memphis në SHBA, Peci u grumbullua në përfaqësuesen e ish-Jugosllavisë ku zhvilloi duelin miqësor kundër vendasit Scott Frank. Frank atë botë ishte 20-vjeçar, ndërsa Peci 23-vjaçar. Pra, te dytë cilësoheshin boksier perspektiv të kategorisë së rënd. Duelin e tyre e fitoi Frank me vendim të gjyqëtarëve pas tre raundeve. Peci edhe pse humbi, ai la gjurmë se me të vërtetë do të jetë njëri ndër boksierët më të mirët në botë. Ai këtë e dëshmoi në duelet e tij të tjera kundër boksierëve amerikan.
Kush ishte Scott Frank?
Frank ishte njëri ndër boksierët më të mirë amerikan në atë kohë. Ai zhvilloi vetëm 28-meçe në boksin amator, me bilanc prej 25 fitoresh dhe tre humbjeve. Fitorja më e madhe e tij ishte kundër gjermanit, Peter Hussing (fituesin e medaljes së bronzt olimpike – Mynih 1972). Karriera e tij në boksin amator ishte e shkurt, sepse si 20-vjeçar kaloi në boksin profesionist. Në profesionizëm ishte i jashtzakonshëm duke shënuar 22 fitore (16 KO), një humbje dhe një barazim në 24 meçe. Pati rezultate kulminante duke qenë kampion i Amerikës me 1979 dhe duke e mbrojtur titullin amerikan një herë. Kulminacioni i tij erdhi me 1983 kur boksoi për titullin e kampionit të botës, legjendën, njërin ndër boksierët më të mirë të gjitha kohërave Larry Holmes, por që Holmes e mposhti me ndërprerje në raund të pestë. Pra, kjo ishte humbja e vetme në karrierë nga Scott Frank. Ai gjatë karrierës së tij mposhti emra të mëdhenjë të boksit botëror, si George Chuvalo, Mark Lee, etj.

Xhevdet Paci vs. Michael Arms – Novi Sad, 1981
Në vitin 1981 sërish pati përballje miqësore ndërmjet ish-Jugosllavisë dhe SHBA-ve, por kësaj radhe duelet u zhvilluan në Novi Sad dhe Kragujevc. Peci ishte i përzgjedhur nga Reprezentacioni i ish-Jugosllavisë. Ai do të kishte dy sfida të mëdha, një pas një, kundër dy pretenduesve amerikan, që njësoj si Peci dyluftonin për vendin e më të mirit në përfaqësuese.
Në meçin e parë me 6 dhjetor, Peci përball pati Michael Arms. Ky duel pritej me padurim nga adhuruesit. Raundi i parë shkoi mirë duke qenë i barazpeshur. Në këtë raund Peci kuptoi dobësit e Armsit, ku arriti të gjejë formulën e fitores. Funksionoj gjithçka mirë tek ai dhe pas disa direkteve të sakta, Peci gozhdon me një kroshe të fuqishme, ku Marks u gjet në dysheme. Ai u zgjua, por Peci rreshtoi goditjet, ndërsa që Marks nuk kishte forcë të përballonte goditjeve dhe gjyqëtari ndali meçin. Ishte kjo një fitore e madhe, e aq më shumë kundër një boksieri mjaft cilësor.
Kush ishte Michael Arms?
Në vitin 1980 Michael Arms fitoi turneun më të madh në botë “National Golden Gloves”. Të bëhesh kampion i gjithë kampionave në Amerikë, nga 50-shtete sa kanë SHBA-të, nuk është e lehtë. E kjo e tregon superioritetin që kishte Arms. Ai kur fitoi turneun prestigjioz, ishte 28-vjeçar. Dy vite më vonë kaloi në boksin profesionist. Zhvilloi gjithsejt 15 meçe në boksin profesionist, duke pasur bilanc prej 10 fitoresh (7 KO) dhe 5 humbje.

Xhevdet Peci vs. Mark Mahone – Kragujevc, 1981
Katër ditë më vonë me 10 dhjetor në Kragujevc, Peci do të kishte punë me amerikanin tjetër Mark Mahone. Sikur se Arms edhe Mahone ishte kundërshtar dinjitoz i cili dëshironte të kallzohej. I frymëzuar nga fitorja kundër Arms, Peci hyri me vetëbesim maksimal. Mahone nga fillimi dëshironte në stilin amerikan, “Clinch-punch”, apo “Kapu-mbaju dhe godite”, por kjo nuk i funksionoj. Peci u tregua se edhe në klinç din të boksoj. Pas një kapje Peci goditi fortë në stomakun e Mahones duke e detyruar të ulet në gjunjë. Goditja nga mbrenda e Pecit ishte e fuqishme. Mahone u zgjua por me vështirësi merte frymë, ku Peci sërish e godet fortë në stomak duke e përfunduar meçin.
Kush ishte Mark Mahone?
Mahone karrierën e boksierit e kishte zhvilluar në Ushtrinë Amerikane. Duke ditur se ushtria amerikane e ka të zhvilluar mjaft shumë boksin, Mahone u shpall katër herë me radhë kampion siç e quajnë ligën e ushtrisë “U.S. All-Navy”. Ndërsa me 1981 u shpall kampion i SHBA-ve.
Debutoj në boksin profesionist me 1983, duke zhvilluar 13 meçe, 7 fitore (4 KO) dhe 6 humbje.

Xhevdet Peci vs. Henry Milligan – Rijekë, 1983
Eksperienca e Pecit me amerikanët vazhdon me 1983. Sërish me një fitore, ndaj një kundërshtari me renome. Ai ishte Henry Milligan. Ky meç i zhvilluar në Rijekë të Kroacisë pati emocione, sepse dy boksierët njiheshin si nokauter. Duke dashur që njëri-tjetrin ta plandosin në dysheme, Milligan godet Pecin pas koke në raund të dytë dhe diskualifikohet. Pati reagime të shumta nga kampi amerikan, por si nikoqir që ishte Jugosllavia e atëhershme, i dhanë rastin Milliganit të boksoj pas tre dite me një tjetër pretendues, bëhej fjalë për Milenko Andriqin. Milligan që në raund të parë e nokauton Andriqin.
Kush ishte Henry Milligan?
Milligan ishte njëri ndër boksierët më të mirë amator në atë botë në SHBA. I ishte njëri ndër pretenduesit për Lojrat Olimpike “Los Angjelos 1984”. Ai në kualifikimet për të fituar të drejtën për pjesëmarrje në Los Angjelos, pati rrugë të vështirë. Turneu që ishte caktuar nga 8 boksier, vetëm fituesi mund të fitonte të drejtën të përfaqësonte SHBA-në. Në çerekfinale mposhti Charles Dried me TKO 1. Ndërsa në gjysëmfinale u mposht nga i madhi Mike Tyson me nokaut teknik në raund të dytë. Ai pati karrierë të bujshme si boksier amator duke zhvilluar 41 meçe, 31 fitore, 6 humbje dhe 4 barazime. Dy herë ishte finalist në “National Golden Gloves”, por në të dyjat humbi në finale. Ka mposhtur kampionin e botës Orlin Norris, njërin ndër boksierët më të mirë amerikan i të gjitha kohërave, kampion i botës në kategorinë kruzer. Pasi nuk arriti të kualifikohet në Lojrat Olimpike, Milligan me 1985 kaloi në boksin profesionist. Zhvilloi gjithsejt 21 meçe duke shënuar 17 fitore (15 KO), 3 humbje dhe 1 barazim duke u penzionuar me 1998.
Ishte I suksesshëm edhe jashtë ringut duke pasur rol edhe në Hollywood. Pati rol përkrah artistëve të mëdhenjë si Robert De Niro dhe Jessica Lange në filmin “Night and the City” me 1992. Sot punon si trajner i suksesshëm në Williamngton në Delaware, ndërsa Kosova Boxing ka miqësi dhe kontakte të mirë me ish-boksierin e njohur.

Xhevdet Peci vs. Craig Payne – Sarajevë, 1985
Dueli i pestë i Pecit dhe fitorja e katërt në karrierë kundër amerikanëve ishte ajo me 1985 në Sarajevë, Bosne dhe Hercegovinë. Atë botë Peci boksoj me Craig Payne. Payne ishte një emër i madh botëror. Ai në Sarajevë erdhi si njëri ndër boksierët më të mirë i kohës, i cili kishte mposhtur shumë boksier të mëdhenjë, dhe askush nuk e besonte që Peci do t`ia dal kundër tij. Dhe Peci befasoi jo vetëm adhuruesit e tij në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, por ai befasoi gjithë botën duke e nokautuar Paynen në raund të parë. E gjithë bota filloi të pyes së kush ishte ky burrë, që nokautoj njëriun që kishte mposhtur tre herë fituesin e medaljes olimpike, Teofilo Stevenson.
Kush ishte Craig Payne?
Payne ishte i argjendtë në kupën e botës me 1983 në Romë dhe poashtu kampion i Amerikës Veriore po atë vit fitues në Hjuston. Ai gjatë karrierës së tij mposhti shumë emra të mëdhenjë të boksit botëror, si tre herë fituesin e Lojrave Olimpike, Mynih 1972, Montreal 1976 dhe Moskë 1980, Teofilo Stevenson. Ai mposhti edhe kubanezin tjetër, Felix Savoni, tre herë kampion olimpik Barcelonë 1992, Atlanta 1996 dhe Sydnej 2000 dhe pesë here kampionin e botës, Reno 1986, Moskë 1989, Sidnej 1991, Tempere 1993 dhe Berlin 1995. Savon u penzionua me një bilanc prej 362 fitoresh dhe 21 humbje, në gjithsejt 383 meçe të zhvilluara, e njëra nga humbjet ishte pikërisht nga amerikani Payne. Payne pati mposhtur edhe Mike Tysonin në boksin amator, poashtu njërin ndër boksierët më të mirë të gjitha kohërave.
Ndryshe nga boksi amator ku Payne ishte i suksesshëm, në boksin profesionist nuk ishte edhe aq shumë i dalluar. Zhvilloi 31 meçe duke shënuar 11 fitore (8 KO) dhe pati 20 humbje. Vdiç shumë i ri me 2017 si 55-vjeçar.

Kështu përfundon ekspedita e Xhevdet Pecit kundër pesë amerikanëve, me bilanc prej 4 fitoresh, tre me nokaut dhe një humbje. Xhevdet Peci është njëri ndër ata boksier që i kanë dhënë më së shumti përparim boksit tonë në kohërat më të vështira, kur populli shqiptar ishte i shtypur nga represioni dhe politika serbe. E të jesh i përzgjedhun ska qenë lehtë, por Peci kishte vlera dhe ka lënë gjurmë duke u përkutjuar gjithmonë për sukseset e arritura.

Ka më shumë se 10-vite që kemi gjurmuar rezultatet e Xhevdet Pecit ndaj boksierëve amerikan. Por, ishte e vështirë sepse mungojnë të dhënë dhe Federata e Boksit të Kosovës asnjëherë nuk e ka parë të arsyeshme të krijoj një databazë me rezultate të secilit boksier. Prandaj ndjej edhe një kritikë që kjo dukuri të zhvillohet dhe historia e boksit tonë mos të harrohet.

Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Kosova Boxing. Shfrytëzimi i këtj materiali nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Kosova Boxing, është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. 

Agjencioni Kosova Boxing
www.kosovaboxing.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.