Histori: Elvir Muriqi futi emrin e Kosovës në Botën e madhe të boksit botëror
3 min readData 14 gusht 2004 shënoi histori në Kosovë, ku për herë të parë u zhvillua një meç i boksit profesionist. Ishte protagonisti, boksieri ynë i shquar Elvir Muriqi, i cili shprehu dëshirë të zhvilloj një meç të boksit profesionist në vendlindje. Kosova e cila kishte vetëm pesë vite që ishte dalur nga lufta dhe nuk kishte kapacitete të zhvilloj ndonjë meç me përmasa të mëdha, por ishte familja e Elvir Muriqit me dy menaxherët Don Bilam dhe Frank Locascio që realizuan këtë ngjarje historike.
U shfaqën shumë probleme, ku në Kosovë mbas lufte kishte pas shumë meçe manipulative dhe populli e kishte humbur besimin dhe pak kush i njihte vlerat e vërteta të sporteve luftarake e gjegjësisht boksit. Probleme kishte të bollshme, ku së pari duhej një komision për mbikqyrjen e meçit ku ekipi i Muriqit takuan gjyqëtarin “Internation Hall of Fame” Steve Smoger për të sjellur atë në Kosovë. Smoger pranoi ofertën dhe erdhi për të ndarë drejtësinë e këtij meçi. Njeherit ai ishte edhe rekomandues drejtpërdrejt nga “New York State Athletic Commission” apo Komisioni Atletik i shtetit të New York-ut, edhe si gjyqëtar por edhe si mbikqyrës i meçit.
Problem ishte gjetja e një kundërshtari të denjë, sepse Kosova sapo kishte dal nga lufta dhe çdo boksier cilësor kishte frikë të udhëtonte dhe të paraqitej në Kosovë. Pas një seri bisedimesh me disa boksier, arritën marrëveshje me Tony Menefee. Menefee ishte boksier me shumë përvojë, me bilanc prej 77 fitoresh (40 KO) dhe 19 humbjeve dhe një barazimi në gjithsejt 97 meçe profesioniste. Pra ishte një boksier cilësor dhe i rrezikshëm. Dëshira e Muriqit ishte që të boksoj edhe një herë me Sam Ahmad me të cilin ishte ndeshur me 2002 ku e fitoi atë meç historik, ku Ahmad e kishte refuzuar ofertën, duke dëshiruar ta rrahë edhe në Prishtinë.
“Rivalin tim do ta presë një punë shumë e vështirë. Nuk do të lejoj Menefeen të më rrahë në vendin tim. Është e natyrshme që duhet të respektohet çdo kundërshtar, por unë do ti gëzoj tifozët e mi. Kundërshtari im është shumë cilësor, deri sa është dëshmuar deri më tani ku bilanci i tij flet për gjithçka” theksoi Muriqi para kësaj përballje.
Ky meç njëherit fitoi miratimin edhe nga Komisioni Atletik të New York-ut që të jetë për titullin NABA – National American Boxing Assosiation, pasi dy boksierët ishin me nënshtetësi amerikane.
Muriqi këtë meç arriti ta fitoj më lehtë se që e kishte menduar me nakaut teknik në raund të pestë. Para se ta përfundoj meçin në raund të pestë Muriqi kontrolloi gjithë meçin ku erdhën në shprehje goditjet “Body-Shot” duke përfunduar meçin duke kënaqur gjithë shikuesit e pranishëm dhe ata që e përcollën nga televizioni. Grushtat e fortë të Muriqit nuk arriti ti duronte amerikani Menefee, i cili u kthye në SHBA me humbje.
Kjo ngjarje shënoi histori për boksin e Kosovës dhe do të përkujtohet vazhdimisht. Tani pas 12-viteve, Kosova Boxing rikthen këtë ngjarje historike për gjithë dashamirët dhe lexuesit tonë.
Artan Vërbica
14 gusht 2016