RTK

RTKLive
26 Prill, 2024

Donjeta Sadiku siguron medalje në Botëror

2 min read

Sadiku është përkujdesur për fitimin e medaljes së parë të botës për Kosovën në boks që nga paslufta. Sadiku në konkurrencën deri në 16 vjet në Botërorin e femrave që po mbahet në Tajvan ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale dhe së paku medaljen e bronztë. Të mërkurën, në sfidën çerekfinale, ajo mposhti bindshëm boksieren nga Taxhikistani, Idimokh Kholova, me 3:0. Në gjysmëfinale do të përballet me rusen Ekaterina Dynnik

Donjeta SadikuTajvan, 20 maj 2015 – Donjeta Sadiku ka shkruar një faqe të re të historisë për sportin që shumë vite më parë ishte më i suksesshmi në Kosovë. Ajo ka fituar medaljen e parë botërore për Kosovën në boks, që nga paslufta. Sadiku në Botërorin për të reja dhe juniore që po mbahet në Tajvan, mposhti në çerekfinale të kategorisë deri 60 kilogramë, grupmosha U16, boksieren nga Taxhikistani, Idimokh Kholova me 3:0 sipas vlerësimit të jurisë pas tri raundeve luftë. Pra, të tre anëtarët e jurisë i dhanë fitoren Sadikut.

Me fitoren e shënuar, 16-vjeçarja ka siguruar së paku medaljen e bronztë, por ka rrugën hapur edhe për medalje të argjendtë dhe të artë.

Arritja e Sadikut në çerekfinale ishte vlerësuar si befasi. Ajo në meçin e 1/8 së finales kishte mposhtur 2:1 boksieren zvicerane Naomi Gertsch. Federata Botërore e Boksit (AIBA) në faqen e saj zyrtare e kishte vlerësuar këtë si befasi të ditës, pasi Gertsch kishte më tepër përvojë dhe po ashtu kishte fituar disa turne ndërkombëtarë.

Donjeta Sadiku në gjysmëfinale të Botërorit në Tajvan do të përballet me boksieren ruse Ekaterina Dynnik të premten. Dynnik të mërkurën në sfidën e saj çerekfinale fitoi ngushtë 2:1 ndaj boksieres irlandeze, Shauna O’Callaghan.

Dynnik është kampione e Rusisë dhe ka rreth 57 meçe në karrierë me bilanc prej 55 fitore dhe dy humbje.

Për Donjeta Sadikun është hera e parë që merr pjesë në një kampionat të madh. Në Evropianin për të reja vitin e kaluar në Itali kishte pësuar në sfidën e parë.

Kosova në Botëror po përfaqësohet edhe me Dafina Abrashin, që u eliminua qysh në sfidën e parë.

Në të vërtetë, më herët për Kosovën kishte siguruar medalje për juniore në Evropian, Albulena Gubetini, mirëpo ajo xhiron e parë e kishte kaluar pa luftë, ndërsa në gjysmëfinale kishte pësuar bindshëm. Pra fitoi medalje pa asnjë fitore.

Në konkurrencën e seniorëve, më së tepërmi që boksierët e boksieret kanë arritur të bëjnë pas luftës, ka qenë fitimi i një sfide në këso garash.

Artan Vërbica
20 maj 2015

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.