RTK

RTKLive
16 Maj, 2024

Ching Kuo WU: Sporti kosovar, i gatshëm që të bëhet pjesë e AIBA-s

5 min read

Prishtinë, 19 Nëntor 2012 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në një takim Ching Kuo WU, Kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Boksit dhe zyrtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Kryeministri Thaçi e falënderoi z. WU për vizitën e tij në Kosovë, dhe përkrahjen që i ka dhënë deri më tani ndërkombëtarizimit të sportit. Duke përmendur boksierët e njohur kosovar, që mbrojnë ngjyrat e kombëtareve të ndryshme evropiane e botërore, kryeministri Thaçi tha se do të angazhohet maksimalisht që sportistëve të rinj kosovar t’iu mundësohet përfaqësimi i shtetit të Kosovës.

“Besoj në talentin e gjithë këtij brezi të ri sportistësh, që kanë treguar edhe në ditë të vështira përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi. Sportistët tanë kanë dëshmuar suksesin e tyre, prandaj ne do të vazhdojmë të punojmë në realizimin e ëndrrës së tyre, atë që sporti kosovar të pjesë e garave ndërkombëtare, me theks të veçantë pjesë e garave olimpike” ka thënë kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij, kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Boksit, z. WU, tha se gjatë kësaj vizite pa shumë ndryshime pozitive, dhe se beson që tashmë sporti kosovar është i gatshëm që të bëhet pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Boksit me të drejta të plota.

“Dua t’iu përgëzoj për punën që keni bërë si Qeveri e Kosovës, pasi keni arritur të krijoni një imazh ndryshe promovimit të sportit në botë. Besoj se keni talent të shumtë në boks, prandaj do të angazhohem edhe personalisht që t’iu ndihmoj në ndërkombëtarizim” ka thënë WU.

Poashtu,  z. WU ka premtuar edhe ndihmë për Komitetin Olimpik të Kosovës, për t’u bërë anëtare e Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ku është edhe anëtar i bordit.

Poashtu Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka takuar sot kryetarin e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit, dhe njëherësh anëtar i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Ching Kuo Wu. Kjo është vizita e parë një zyrtari të lartë të KON-it në Kosovë. Ministri Krasniqi ka falënderuar zotin Wu për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në fushën e sportit, në veçanti Federatës së Boksit, e cila sivjet është pranuar në AIBA. Po ashtu ministri falënderoi WU-në për lobimin e vazhdueshëm që po bën për Kosovën në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.  Wu gjatë vizitës së tij në Kosovë ka marrë pjesë në finalen e turneut ndërkombëtar në boks, ‘Adem Jashari’, e po ashtu bashkë me ministrin Krasniqi  mbrëmë ka përcjellë ndeshjen basketbollistike mes Prishtinës dhe Pejës. Kjo, tha ministri Krasniqi, dëshmon për ndryshimin e qasjes së KON-it ndaj Kosovës, duke shfaqur kështu interesimin e sinqertë për sportistët tanë. Ministri tha se Kosova është e gatshme të aplikoj për pranim në Komitet Olimpik Ndërkombëtar, por shtoi se kjo çështje do të bëhet më shumë kujdes.

“Është inkurajuese fakti që tashmë Kosova po krijon komunikim zyrtar me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe vizita e zotit Wu dhe e zotit Pere Miro janë një konfirmim i fuqishëm se kërkesa jonë për të qenë pjesë e barabartë e garave ndërkombëtare, po shqyrtohet shumë seriozisht. Ne e kemi diskutuar shumë gjatë dhe gati në çdo aspekt, çështjen e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe vërtetë tashmë e kemi shumë më të qartë gjithë rrugën që do ta ndjekim. Ne e kemi thënë disa herë se do të jemi të kujdesshëm në hapat tonë, duke ndjekur përgjithësisht edhe aspektin e njohjeve, i cili siç e dini ka avancuar. Unë besoj se aplikimi ynë, që do të ndodh shumë shpejtë, do të marrë përgjigje siç dëshirojmë të gjithë, pozitive dhe me këtë sportistëve tanë do t’iu hapën dyert”, ka thënë ministri Krasniqi, në konferencën për shtyp pas takimit. Të dielën në mbrëmje ministri Krasniqi me bashkëpunëtorë dhe me kryetarin e KOK-ut, Besim Hasanin kanë pasur një darkë pune me zotin Wu, ku kanë diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me ndërkombëtarizimin e sportit.

Në fjalën e tij, në konferencën për shtyp, kryetari i AIBA-s dhe njëherësh anëtari i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik, Ching Kuo Wu ka shprehur impresionet e tij me punën dhe vullnetin e madh që kanë sportistët në Kosovë. Ai ka përgëzuar në veçanti ministrin Krasniqi, të cilin e ka takuar edhe më herët, për punën që ka bërë në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në komunitetin e sportit botëror. Wu tha se AIBA kishte marrë një vendim shumë të drejtë kur kishte pranuar Kosovën.

“Vitin e ardhshëm është ngjarja kryesore. Dua të shoh boksierët tuaj të paraqiten në Kampionatin Botëror 2013 dhe tërë bota le të sheh lojën e shkëlqyer të boksierëve tuaj. Dy ditë më parë isha dëshmitarë për cilësinë shumë të mirë. Kështu që i porosis boksierët tuaj që të vazhdojnë të ushtrojnë dhe të përgatiten për ngjarjen kryesore të vitit të ardhshëm. Gjej rastin të uroj Qeverinë, Ministrin e Sportit dhe Kulturës në veçanti. Mendoj absolutisht që është personi i duhur për të promovuar jo vetëm sportin por edhe anën sportive dhe kulturore, kështu që mendoj se ju duhen vendimmarrës të rëndësishëm për të dhënë këso lloj mbështetje. Mund të them se unë jam i gatshëm, shumë të tjerë janë të gatshëm dhe ju duhet të jeni të gatshëm që të ballafaqoheni me shumë ngjarje të rëndësishme dhe vërtet Kosova të njihet”, ka thënë ai. Wu ka shprehur përgëzime edhe për punën që ka bërë kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani në ndërkombëtarizim të sportit.

Pas vizitës së zotit Wu, në Kosovë për dy ditë do të qëndrojë Pere Miro, drejtor për marrëdhënie me Komitete kombëtare në kuadër të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Të dy këto vizita shënojnë një hap të rëndësishëm në afirmimin e sportit të Kosovës në botë, me theks të veçantë në procesin e anëtarësimit të KOK-ut në KON.

Përgatiti:
Artan Vërbica
19 Nëntor 2012

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.