Boksierit shqiptar Bedarin Toma, i dështon lufta e ëndrrave kundër Hasim Rahman
3 min readBedarin Toma, më 25 dhjetor, ishte paraparë të luftonte me ish-kampionin e botës, Hasim Rahman. Mirëpo, një lëndim që mori Rahmani në stërvitje ka anuluar këtë sfidë. Rahman njihet edhe për fitoren ndaj legjendës Lennox Lewis më 2001, me të cilën edhe ia mori tre titujt e botës në WBC, IBF dhe IBO. Rahman u shpall kampione bote edhe më 2005. Bedarin Toma, ishte paraparë të boksonte më 25 dhjetor me ish-kampionin e botës, Hasim Rahman. Por, për fatin e tij të keq, lufta me Rahmanin u anulua, për shkak të lëndimit të amerikanit gjatë përgatitjeve.
“Është anuluar meçi me Hasim Rahmanin. Ai është lënduar në sparring dhe për këtë arsye meçi nuk do të zhvillohet. Më vjen shumë keq për anulimin e meçit. Isha i përgatitur për të bërë një paraqitje të mirë. Tani jam në pritje të njoftimit nëse do të boksojë më 25 dhjetor me një kundërshtar tjetër apo do të boksojë në muajin shkurt”, ka thënë Toma, të mërkurën për Kosovaboxing.org.
Toma me Rahmanin ishte paraparë të boksonte në dhjetë raunde në Moskë, si parameç i duelit mes rusit Alexander Bakhtin e meksikanit Mario Briones.
Toma 28-vjeçar, shpreson që dueli me Rahmanin t’i caktohet në shkurt të vitit të ardhshëm.
Boksieri nga Lezha, në ringun profesionist deri më tash ka zhvilluar gjashtë meçe. Ai ka shënuar pesë fitore (2 KO) dhe një herë ka pësuar. Ai është duke bërë karrierë në Rusi, ndërsa startoi në boksin profesionist në SHBA, ku në meçin debutues u mposht nga amerikani Joseph Rabotte. Në Rusi, ai ka fituar të pesë meçet e zhvilluara.
Këtë vit (26 korrik) ai mposhti boksierin nga Tanzania Joseph Marwa, me vendim unanim pas tetë raundeve dhe rusin Sergey Kovrigo (8 tetor) me nokaut në raundin e parë.
“Jam shumë i kënaqur me zhvillimin e karrierës në Rusi. Për ndonjë luftë për titull është ende herët të flitet. Duhet të zhvillojë edhe disa meçe të tjera”, ka thënë Toma, që në boksin amator kishte fituar “Dorëzat e Arta” të New Jerseyt.
Amerikani 39-vjeçar Hasim Rahman, dy herë ishte kampion bote në peshën e rëndë. Ai për herë të parë titullin e botës e fitoi më 22 prill të vitit 2001 kur e mposhti me nokaut në raundin e pestë legjendën, Lennox Lewis, përballje kjo për titujt WBC, IBF e IBO në peshën e rëndë. Këta tituj i humbi nga Lewisi shtatë muaj më vonë, me nokaut në raundin e katërt. Rahman fitoi sërish titullin e botës më 13 gusht të vitit 2005, pasi mposhti me vendim unanim pas 12 raundeve amerikanin Monte Barrett, por titullin e humbi një vit më vonë me nokaut në raundin e dymbëdhjetë nga rusi Oleg Maskaev.
Së fundi për titujt të botës luftoi më 13 dhjetor të vitit 2008, ku u mposht me nokaut teknik në raundin e shtatë nga kampioni në fuqi i botës, ukrainasi Wladimir Klitschko. Ky meç ishte për titujt IBF, WBO dhe IBO të peshës së rëndë. Që nga disfata prej Klitschkos, Rahmani, ka zhvilluar pesë meçe dhe që të gjitha i ka fituar para kohe. Në përgjithësi në ringun profesionist, ai ka 50 fitore (41 KO), shtatë humbje e dy barazime.
Rahman aktualisht është i renditur në pozitën e parë në renditjen e versionit WBA, ku kampion është rusi Aleksandr Povetkin, ndërsa superkampion ukrainasi Wladimir Klitschko.
Shkumbin Sekiraqa
15 Dhjetor 2011
S’ma merr mendja qe esht e qellume qysh tash me boksu me ni bokser si Hasim Rahman te pakten edhe 4,5 meqe i duhen per me qen i gatshum per Hasim Rahman tham qe esht hap i gabuar nese qysh tash ballafaqohet me ni ish kampion Bote.
Sidoqoft sukses Bedarint
pajtohem me ty arben se rahman ka ma shum pervoj edhe ka mundsi me mposht tomen . Mirpo kta i din ma mir punt e veta