Armend Xhoxhaj boksieri më i mirë amator për 2015
4 min readArmend Xhoxhaj me paraqitjet e tij me plot meritë zgjedhet boksieri i vitit në boksin amator nga Kosova Boxing. Xhoxhaj është shquar në të gjitha aktivitetet duke fituar disa turne ndërkombëtar si turneun më të madh në vendin tonë “Adem Jashari”, pastaj turneun me renome rajonal, “Gong i Artë”në Shkup, pastaj turneun më të vlefshëm shqiptarë, “Memoriali Vllaznia” në Shkodër, si dhe pati paraqitje të shkëlqyeshme në Lojrat Evropiane në Baku duke arritur deri në çerekfinale. Xhoxhaj u paraqitë edhe në Kampionatin Evropian në Samokov të Bulgarisë por që u eliminua në xhiro të parë.
Xhoxhaj fitues në turneun “Memoriali Vllaznia” –
Prill – Fati deshti që dy boksierët më perspektiv shqiptarë, Armend Xhoxhaj dhe Albon Pervizaj të takohen në gjysëmfinalen e turneut “Memoriali Vllaznia 2015” në Shkodër. Ky meç nuk u pritë nga spektatorët dhe adhuruesit e boksit sepse Armend Xhoxhaj bokson në kategorinë deri 81 kg, ndërsa Albon Pervizaj në kategorinë deri 91 kg. Por, Xhoxhaj kishte hasur në probleme me mbipeshë dhe vendosi të boksoj në kategorinë deri 91 kg. Dhe shorti deshi që dy talentët tanë të takohen në gjysëmfinale. Dueli u karakterizua si një duel me cilësi botërore, ndonëse adhuruesit asnjëherë në 15-vitet nuk kanë pasur rastin të shohin meç sfidues sikur që ishte përballja e tyre. Meçi ishte mjaft i përafërt ndonëse cilit ti ipej fitorja nuk do të ishte gabim, ndërsa që sipas gjyqëtarëve në fund fitues u shpall Armend Xhoxhaj. Qindra tifozë kishin udhëtuar nga Prizreni për të bërë tifo për boksierin e tyre,e kjo e bëri edhe më interesant pasi te dytë vijnë nga qyteti i Prizrenit. Tifozët krijuan atmosphere madhështore duke brohoritur: “Shqipëri etnike, Shqipëri etnike, Shqipëri etnike”. Në finale Xhoxhaj mposhti malazesin Dilan Prasoviq me nakaut në raund të dytë. Dy herë Xhoxhaj e hedhi në dysheme Prasoviqin, që për herë të dytë e la shtrirë.
Lojrat Evropiane, Baku 2015 –
Qershor – Armend Xhoxhaj ishte shumë pranë që të fitoj medalje në Lojrat Evropiane në Baku të Azerbejxhanit, por atij iu bë padrejtësi e madhe në çerekfinale ndaj ukrainasit Oleksandr Khyzhnijak. Gjyqëtarët ishin ata të cilët gjykuan në të mirë të Khyzhnijak edhe pse duhet të jemi real se Xhoxhaj pati më shumë goditje në këtë përballje sidomos në raundin e dytë dhe të tretë ku ishte më i mirë. Nëse i shikojmë se si kanë gjykuar gjyqëtarët, mund të shohim se asnjëri nuk ishte pranë njëri-tjetrit. Gjyqëtarët, Mario Rizzardo nga Italia vlerësoi me 29-28 dhe Dante De Castro nga Filipina me 30-27 për Khyzhnijak, ndërsa që gjyqëtari nga Tunesia, Mohamed Braham vlerësoi me 29-28 për Xhoxhaj. Pra ishte dallim i madh në gjykim dhe pati ndikime politike kundër boksierit tonë.
Xhoxhaj xhiron e parë e kishte kaluar pa luftë, ndërsa që në të tetën e finales e kishte mposhtur boksierin nga Hungaria, Norbert Harcsa me vendim unanim, 3 me 0 (29-28, 29-28 dhe 29-27).
Kampionati Evropian në Samkhov, Bullgari –
Gusht – Xhoxhaj qysh në fillim të Kampionatit Evropian hasi në short të vështirë. Ai që në xhiron e parë u takua me britanikun Joshua Buatsi. Xhoxhaj nisi dobët meçin ku Buatsi pati me shumë gjuajtje se Xhoxhaj, ndërsa që Xhoxhaj boksonte në stilin e boksierit profesionist dhe kjo i fali boksierit britanik raundin e parë. Në raundin e dytë sërish skenar i njejtë ku Buatsi pa probleme fitoi raundin. Xhoxhaj e kuptoi se dy raundet e para i ka humbur dhe boksoi më mirë në të tretin ku e fitoi këtë raund, por ishte shumë vonë për të përmbysur rezultatin. Në fund gjyqëtarët vlerësuan rezultatin real, 2 me 1 për Buatsi.
Xhoxhaj fitues i turneut “Gongu i Artë –
Nëntor – Xhoxhaj ishte fitues i këtij viti i turneut Gongu i Artë. Ai në finale fitoi boksierin nga Vellsi, Dejvis Kodi. Pas një lufte të fortë dhe të paqartë deri në fund, Xhoxhaj u zgjodh fitues nga gjyqëtarët në fund që i dhanë edhe epitetin e boksierit më të mirë të turneut.
Xhoxhaj fitues i turneut “Adem Jashari” –
Nëntor – Muaji nëntor solli edhe një trofe për Armend Xhoxhajn. Ai në finale të turneut “Adem Jashari”, triumfoj ndaj reprezentuesit nga Shqipëria, Kristian Demaj. Me performance e treguar Xhoxhaj u zgjedh boksieri më i mirë i turneut.
Foto: Shpend Ahmeti
Kosovaboxing.org
4 janar 2016