Andre Ward synon Genady Golovkinin
3 min readMbreti i kategorisë super të mesme, Andre Ward synon një emër të madh të boksoj nga fund viti. Ward i cili u rikthye pas 18-muajve pushimi, mposhti britanikun Paul Smith me ndërprerje në raund të nëntë. Me këtë fitore ai dëshmoi se është akoma ai i vjetri duke treguar performancë të shkëlqyeshme, dhe pushimi i gjatë nuk kishte lënë asnjë gjurmë tek ai.
Kush është Andre Ward
Andre Ward është njëri ndër boksierët më të talentuar në planet. Nëse e analizojmë karrierën e tij të begatshme, që nga boksi olimpik e deri më sot në profesionizëm, shihet suksesi i këtij djaloshi që pas Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao, ai është figura më emblematike në botë.
Ward u shqua në boksin olimpik duke fituar medaljen e artë në Lojrat Olimpike në Athinë të Greqisë me 2004. Ai në Athinë mposhti italianin Clemento Russon, rusin Evgeny Makarenko, uzbekun Uktirbek Haydarov si dhe bjellorusin Mogamed Aripgadijev duke debutuar po atë vit në boksin profesionist.
Suksesi i tij vazhdoi edhe në ringun profesionist ku Ward deri më tani ka zhvilluar 28 meçe, të gjitha fitore, ndër to 15-të me ndërprerje.
Ndërmjet viteve 2009 dhe 2012, Ward mposhti boksierët më të mire në kategorinë super të mesme duke filluar nga Mikhael Kessler, Allen Green, Carl Froach, Arthur Abraham, Sakio Bika, Chad Dawson etj. Ai është fitues i turneut “Super Six Super Middleweight” i mbajtur për dy vite ku i fitoi boksierët më të mirë, të lart përmenduar.
Me suksesin e tij,Ward vlerësohet ndër boksierët më të mirë jo vetëm të kohës sonë, por i të gjitha kohërave.
Çeshtjet kontraktuale dhe lëndimet e shumta e lanë Wardin për të ngecur pa zhvilluar asnjë meç për 19-muaj, por ai u rikthye duke u dëshmuar se është ai i vjetri, duke mposhtur britanikun Paul Smith me nakaut teknik në raund të nëntë.
Por, tani Ward nëse dëshiron ti kthej titujt dhe të jetë në maje sërish, duhet të përballet me disa yje tjerë që janë shquar në këto dy vitet e fundit sa Ward ishte jo-aktivë. Ai duelin e radhës mund ta ketë kundër disa emërave të mëdhenjë që janë sot në kategorinë e mesme, super të mesme dhe gjysëm të rënd. Ata janë: Genady Golovkin (kampion botëror në kategorinë e mesme në versionin WBA), pastaj fituesi e meçit Badou Jack dhe George Groves që do të zhvillohet me 22 gusht në Las Vegas për titullin WBC në kategorinë super të mesme. Emër tjetër që duhet konsideruar është britaniku tjetër James DeGale, kampion botëror në kategorinë super të mesme në versionin IBF. Një tjetër emër që duhet konsideruar është rusi Artur Beterbiev, i cili vlerësohet kërcnim për çdo kundërshtar. Si dhe dy kampionët e botës në kategorinë gjysëm të rënd, Adonis Stevenson në WBC, dhe Sergey Kovalev në WBA, IBF dhe WBO.
Por, lajmet që po çarkullojnë këto ditë janë se Ward do të boksoj Genady Golovkinin? Do të shohim se ky meç a do të realizohet, dhe nëse zhvillohet do të jetë njëri ndër meçet më të mira të kohës por edhe i gjithë historisë së boksit.
Artan Vërbica
30 korrik 2015