RTK

RTKLive
30 Prill, 2024

Analizë nga skandali i meçit të fundjavës Froch dhe Groves

6 min read

Natyra drithëruese dhe shkatëruese që po e shkatron boksin.

Boksi çdo ditë po bëhet më i korruptuar!

Froch vs. GrovesBoksieri britanik, Carl Froch, ka mbrojtur titujt e botës në kategorinë super të mesme në versionet WBA e IBF përballë bashkëkombësit George Groves, në një meç ku arbitri John Foster, ishte pika kryesore e kritikave. Arbitri Foster ndërpreu luftën në raundin e tetë, pas një ofensive të Frochit. Mirëpo, shumica e vlerësoi këtë vendim të tij të nxituar, duke përfshirë edhe vetë Grovesin. Deri në momentin e ndërprerjes Groves ishte duke udhëhequr me pikë te tre anëtarët e jurisë, ndërsa kishte rrëzuar Frochun në raundin e parë. “Jam shumë i dëshpëruar. Kam bërë punën time dhe pasi kam parë xhirimet më duhet të them se arbitri mori një vendim të tmerrshëm. E duam rimeçin”, ka thënë Groves 25-vjeçar që ka pësuar humbjen e parë në karrierë pas 19 fitoreve. Në të vërtetë të dëshpëruar me vendimin ishin edhe tifozët e pranishëm në palestrën në Manchester, të cilët fishkëllyen. Për Frochin 36-vjeçar ishte fitorja e 32-të (23 KO) karshi dy humbjeve. Froch thotë se është i gatshëm t’i jap rimeç Grovesit, ndërsa e vlerëson vendimin e arbitrit si të drejtë. “Arbitri pati një sekondë për të marrë vendimin dhe mund të jetë dallimi mes marrjes së lëndimeve serioze dhe arritjes së një të ardhme fantastike. Foster bëri punë fantastike. Nëse ka kuptim dhe promotori Eddie Hearn pajtohet, atëherë natyrisht se do t’i jap George Grovesit një rimeç dhe natyrisht se ai e meriton”, ka thënë Froch.

Shumë njerëz kishin qeshur kur disa kishin thënë se George Groves ka gjasa kundër Carl Frochit. Kishin qeshur edhe më tepër kur e kishin quajtur këtë rivalitet një përsëritje të përballjes epike mes Chris Eubankut e Nigel Bennit, e cila kishte përfunduar me barazim më 9 tetor të vitit 1993. Por, cili është duke qeshur tash? Në fakt, askush.

“Ka disa gjëra që duhet të mendoj. Është vështirë për t’u kapërdirë. Do të shkoj në shtëpi dhe do të qaj”, ka thënë Groves, pasi lufta e tij e të shtunës mbrëma kundër Frochit për titujt e botës të versioneve WBA dhe IBF në peshën super të mesme, ishte ndërprerë nga arbitri në raundin e nëntë në mënyrë kontroverse.

Groves kishte qenë duke udhëhequr në momentin e ndërprerjes.

Froch ndërkohë duket i lënduar. I është ënjtur buza, sytë i janë bërë të mavijosur. Por, më shumë është lënduar në krenari.

“Jam shumë i dëshpëruar që jam fishkëllyer. Çfarë donte tifozëria të shihte? A dëshironte të shihte djaloshin të largohej nga arena pa ndjenja dhe me ndihmën e barelës?” – tha Froch.

Është e vërteta e errët e boksit se kur është në momentin më imponues – më interesant dhe heroik – është edhe më i frikshëm dhe më i rrezikshëm. Pra, derisa askush nuk dëshironte të shihte dikë të largohej pa ndjenja dhe me barelë, shumë tifozë dëshironin të shihnin më tepër.

“Natyra e njeriut është se e adhurojnë anën barbare të boksit. Kjo daton qysh nga periudha e gladiatorëve. Askush nuk dëshiron të shohë askënd të lënduar keq. Por njerëzit duan të shohin dikë të përfundojë në ring”, thotë Froch.

Ishte e vërteta e errët me të cilën u përball arbitri Howard Foster të shtunën mbrëma. Por kur është barbarizmi në ringun e boksit së tepërmi barabar? Nuk është një shkencë ekzakte. Asgjë nuk është ekzakte kur je aq afër sa të shkatërrohesh.

Ish-arbitri Richard Steele, ka referuar disa nga meçet më të dhunshme të boksit në histori, përfshirë edhe tetë minuta sakatim mes Marvin Haglerit e Tommy Hearnsit, përfshirë edhe luftën e parë mes Chris Eubankut dhe Nigel Bennit. Shumë kohë pas pensionimit, Steele është ende i ndikuar nga ato luftëra.

“Më ka ndikuar shumë. Puna e referit të boksit është shumë e rrezikshme. Ke jetët e dy djelmoshave në duart tua, por duhet t’i japësh edhe secilit çdo mundësi për të treguar talentin. Boksierët luftojnë me zemër, jo me mendjen e tyre, dhe nganjëherë ata duhet të shpëtohen nga vetja e tyre”, thotë Steele.

Arbitri Foster, që u desh të largohej me ndihmën e sigurimit nga arena në Manchester, nuk e meritoi gjithë atë tërbim.

Por nëse pranon se boksi është sport legjitim, atëherë duhet të pranosh edhe një nivel të caktuar të barbarizmit. Foster, nëse asgjë, ishte fajtor që tregoi tepër keqardhje. Ka gjëra dukshëm më të rënda se kjo.

Me faktin se ka sfiduar Frochin për titujt WBA dhe IBF të kategorisë super të mesme, Groves, sipas definicionit, është boksier i nivelit botëror. Pra, nëse kishte një gabim në gjykim nga ana e arbitrit Foster, ishte se e trajtoi Grovesin sikur të ishte një fillestar.

Foster nuk tregoi keqardhjen e njëjtë për Frochin kur ishte në pozitën e njëjtë në fillim të luftës, duke u mbështetur në litarë dhe madje edhe i rrëzuar në raundin e parë nga Groves.

“Carl Froch ishte i lënduar, vazhdimisht. Në kohën e Howard Fosterit, ishte në rregull, pasi Frochi është luftëtar me një mjekër të granitit. Por, kur George u lëndua, arbitri tha ‘ai ka mjekër qelqi, të futem në mes e ta shpëtoj'”, ka deklaruar Paddy Fitzpatrick, trajneri i Grovesit. “Kur futesh dhe ndërpret një luftë të tillë, atëherë është shumë amatore. Ke dy meshkuj që po godasin njëri-tjetrin. Por, ky është biznes dhe kështu ata e sigurojnë jetesën”.

Reputacioni i arbitrit Foster mund të mos rregullohet më kurrë. Richard Steele kishte referuar plotë 167 luftëra për tituj të botës, por ai mbahet në mend si njeriu që vodhi amerikanin Meldrick Taylor kundër legjendës meksikane Julio Cesar Chavez në vitin 1990. Duke u futur në raundin e fundit të luftës, Taylor ishte duke udhëhequr dukshëm me pikë, por Chavez e rrëzoi atë dhe arbitri e ndërpreu meçin dy sekonda pa mbaruar. Nuk pati rëndësi se Taylor mori frakturë në fytyrë dhe po ashtu se urinoj gjak ditë të tëra. Steele kurrë nuk u lejua të harrojë se e ndërpreu luftën.

Groves së paku ka ngushëllimin se të shtunën mori simpatinë e gjithë tifozërisë. Boksieri 25-vjeçar u përcoll me fishkëllima me t’u futur në ring, dhe me duartrokitje kur u largua, kjo për shkak të performancës që tregoi.

“Unë e kam ditur se me mënyrën se si jam sjellë para luftës, sigurisht se do të fishkëllehem kur futem në ring. Por isha shumë i pafat, dhe 20 mijë tifozët u pajtuan me mua. Fitova respektin e tyre dhe kjo më gëzon. Fakti se Carl Frochi u fishkëllye mund të jetë motivim për të për të më dhënë rimeçin. Ai mund të fitojë shumë para duke luftuar me mua sërish”, thotë Groves.

Promotori i Frochit, Eddie Hearn, pajtohet se lufta u ndërpre padrejtësisht, dhe mendon se duhet të vijë te një rimeç.

“Luftërat bëhen nëpërmjet kërkesave të tifozëve dhe transmetuesve. Çdokush dëshiron të shohë këtë luftë sërish”, thotë Hearn.

Ky material është kompletuar nga analistët më të mëdhenjë britanik dhe atyre botëror të boksit. 

Kosovaboxing.org
26 nëntor 2013

1 thought on “Analizë nga skandali i meçit të fundjavës Froch dhe Groves

  1. Pra munde te konkludojme se ne pregatitjen e ketije materiali ka marre pjese edhe analisti jone i nivelite boteror Zt. Artan Verbica….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.