RTK

RTKLive
28 Mars, 2024

Abril e quan Tatlin kundërshtar të lehtë

2 min read

Helsinki, Finlandë, 12 gusht 2014 – Boksieri kuban, Richar Abril, e ka vlerësuar boksierin prizrenas Edis Tatli si kundërshtar të lehtë. Abril 32-vjeçar do të mbrojë titullin e botës në versionin WBA në kategorinë e lehtë në një duel me Tatlin, më 20 shtator, në Helsinki. Të martën, është mbajtur konferenca e parë për media për këtë përballje në Helsinki. Abril ka insistuar se do ta përfundojë me nokaut përballjen me Tatlin. “Do të jetë një meç i lehtë për mua. Do t’ia vështirësoj jetën Tatlit”, ka thënë Abril, përcjellin mediumet finlandeze.

Tatli 27-vjeçar është optimist në triumfin e tij. Ai po synon të bëhet shqiptari i parë që fiton njërin prej katër titujve më të mëdhenj të botës në boksin profesionist (WBC, WBA, IBF dhe WBO).

“Është mirë kur dëgjoj se ai do të më nokautojë. Por mendoj se ai do të ikë si lepur. Unë jam në formë shumë të mirë dhe ka ende kohë deri te meçi. Unë jam i koncentruar vetëm në stërvitje”, ka thënë Tatli.

Abril ka premtuar se do të hesht tifozërinë në Helsinki më 20 shtator, mirëpo Tatli mendon ndryshe. “Ai nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë. Do të jetë një atmosferë fenomenale, vetëm mund ta paramendojë atë atmosferë”, thotë Tatli.

Tatli, karrierën e tij profesioniste po e zhvillon në Finlandë. Ai është boksieri i parë me shtetësi finlandeze që lufton për titull të botës pas plotë 52 vjetësh. I fundit për titull bote kishte luftuar babai i promotorit të tij Pekka Maki, Olli.

Deri më tash tre shqiptarë kanë luftuar për tituj të katër versioneve më të mëdha të boksit profesionist. Luan Krasniqi në kategorinë e rëndë, Haxhi Krasniqi në atë gjysmë të rëndë dhe Shpend Abazi në kategorinë pendël. Që të tre kanë humbur luftërat e tyre të jetës.

Kosovaboxing.org
13 gusht 2014 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.