Meriton Karaxha do të prek majën e boksit botëror
2 min readDisa kanë ndëgjuar për te, disa akoma do të ndëgjojnë, por kjo ka pak rëndësi për boksierin tonë Meriton Karaxha i cili për katër vite në boksin profesionist ka shënuar rezultate kulminante, duke shënuar 11 fitore (4 KO) dhe katër humbje në gjithsejt 15 meçe. Edhe pse ka pësuar 4 humbje me pikë, ai ka pasur guximin ti dal përballë boksierëve më të mirë në Belgjikë dhe Evropë duke fituar respekt të madh. Drenicaku nga Çikatova e vjetër, i rritur në Belgjikë nuk harron asnjëherë nga vjen. Ai është i motivuar dhe i vendosur të prek majën e boksit botëror dhe për këtë ka kapacitete.
Katër humbjet e tij janë aksidentale për shkakë të menaxhimit të keq, por për këtë Karaxha nuk e qanë kokën pasi ai është i pjekur si boksier dhe si personalitet. “Kam boksuar me më të mirët si Jean Pierre Bauwens që kishte 37 fitore, 2 humbje dhe një barazim dhe ishim afër dhe nuk tregova respekt aspak për te. Pastaj dy humbjet nga një boksier i respektuar si Ahmad El Ahmwi me të cilin u dëmtova nga gjyqëtarët, pasi boksova në vendin e tij, por unë vazhdova dhe nuk e qajë kokën, pasi jam edhe më i fortë” thekson Karaxha për Kosova Boxing.
Karaxha nesër mbrëma ka një tjetër duel të rëndësishëm. Ai bokson kundër franqezit, Bibi Ondoua (12-6-1, 1 KO). Ky meç do të zhvillohet në Gent të Belgjikës dhe do të jetë në tetë raunde. Bastoret favorizojnë franqezin i cili mban koutën 1.45, ndërsa Karaxha 2.50. Barazimi kap shifrën 13.0.
“Më pëlqen që mos të jam favoritë. Por, unë nesër do t`ju tregoj të gjithëve se e kanë pasur gabim” tha Karaxha.
Për të vlerësuar më shumë Meriton Karaxhën ne kontaktuam ish-boksierin e mirënjohur, Selajdin Koxhën, dikur kampion i Belgjikës dhe shteteve të Benelux-it. Ai njeh rrethanat mirë në boksin belg dhe e njeh mjaft mirë boksierin Meriton Karaxha. “Meritoni është një trim i vërtetë. Një boksier i cili asnjërit nuk i ka thanë jo. Ai ka mbuluar tri kategoritë, super bantam, të lehtën dhe super të mesmën. Është boksier shumë i mirë. Humbjet që i ka të rregjistruara nuk janë reale. Nesër pres fitore, ai do të dëshmohet” tha Koxha për Kosova Boxing.
Artan Vërbica
30 mars 2017