Matjet Zyrtare: Tefik Bajrami 90.3 kg, Attila Makula 90.6 kg
1 min readTefik Bajrami dhe Attila Makula janë prezentuar sonte në konferencë për gazetar dhe matje zyrtare para meçit që do ta zhvillojnë nesër mbrëma në Podujevë. Dueli do të jetë i vlefshëm për titullin WBU të Evropës në kategorinë kruzer.
“Jam i përgatitur maksimalisht për këtë duel. Shpresoj të kem paraqitje të mirë dhe të shpallem kampion i Evropës” theksoi Tefik Bajrami.
Edhe hungarezi Attila Makula dukej optimist, ndërsa theksoi se në Kosovë ka ardhur vetëm për fitore. “Kam ardhur për fitore. E njoh Tefik Bajramin dhe e di se është boksier i mirë, por unë pretendoj që nesër të fitoj” tha Makula.
Prezent në Konferencën e sontme ishte edhe menaxheri kryesor i Federatës së boksit profesionist të Kosovës, z. Nexhi Zeka. Zeka ndër të tjera tha: “Kjo është një ngjarje e madhe në boksin e Kosovës ku për herë të parë do të jetë një meç për titullin e kampionit evropian në versionin WBU”.
Nga Zvicra si supervajzor i kësaj ngjarje ka udhëtuar edhe Mirko Skoko. Skoko tha se është lumtur që pas shumë vitesh gjendet në Kosovë. “Në Kosovë gjithmonë ka pasur boksier të dalluar. I njoh cilësit e juaja që nga ish-Jugosllavia kur Prishtina ishte dominante në boksin e Jugosllavisë. Shpresoj që nesër të shohim një spektakël të vërtetë” tha Skoko.
Përgatiti dhe fotografoi:
Shpend Ahemi