RTK

RTKLive
10 Shtator, 2024

Laureatët e vitit: Haxhi Krasniqi dhe Shemsi Beqiri më të mirët për 2012

6 min read

Kosova Boxing si çdo vit, edhe këtë vit sjell më të mirët dhe më të sukseshmit. Ata janë:

Boksieri më i mirë i vitit 2012 – Haxhi Krasniqi
Kikboksieri më i mirë i vitit 2012 – Shemsi Beqiri
Debutuesi më i mirë në boksin amator i vitit 2012 – Naim Terbunja
Boksieri më i mirë amator: Ibrahim Balla
Boksierja e vitit: Azize Nimani

Ndërsa këtë vit kemi lënë anash luftëtarin MMA për shkak se nuk ishte rezultate kulminante.

Boksieri më i mirë i vitit 2012 – Haxhi Krasniqi
haxhi krasniqi - 2
Haxhi Krasniqi ka treguar vlerat e tij të boksierit duke fituar çmimin e boksierit më të mirë të vitit për herë të dytë me radhë. Krasniqi sikurse në vitin 2011 që e fitoi çmimin e boksierit të vitit, ashtu edhe këtë vit ka qenë dukshëm më i miri.

Tri duele të forta i kishte zhvilluar brenda vitit 2012. Ai mbrojti titullin WBO të Evropës ndaj francezit Hakim Zoulikha me nokaut teknik në raundin e 12-të. Ky duel edhe u zgjodh nga versioni WBO si më i miri i vitit 2012 në kategorinë gjysmë të rënd. Më pastaj Krasniqi e la vakant titullin WBO të Evropës duke sfiduar titullin WBO Internacional, një titull më me peshë. Për kundërshtar kishte boksierin turk me nënshtetësi gjermane, Serdar Sahin. Në këtë duel Krasniqit iu deshën vetëm katër raunde për të triumfuar.

Derisa Krasniqi kërkonte sfidën për titull bote kundër Nathan Cleverly, britaniku iu shmang dy herë. Krasniqi nuk deshi të presë dhe shënoi edhe një fitore të rëndësishme duke mbrojtur titullin WBO Internacional ndaj amerikanit Max Heyman me nokaut teknik në raundin e tretë. Këto përballje, kjo përformancë me tri fitore me ndërprerje e bëjnë Haxhi Krasniqin, boksierin më të mirë shqiptar të vitit 2012.

Haxhi Krasniqi fiton për herë të dytë radhazi epitetin e boksierit më të mirë nga Kosova Boxing.

Kikboksieri i vitit 2012 – Shemsi Beqiri
shemsi beqiriNë vitin 2011 kikboksieri më i mirë shqiptar sipas agjencisë tonë Kosova Boxing është Shemsi Beqiri. Këtë vit Beqiri ishte edhe më i suksesshëm se vitin e kaluar. Vetë prania e tij në mesin e tetë kikboksierëve më të mirë në botë, në turneun që u mbajt në Romë “Glory Middleweight Slam Final 8”, ia siguron atij edhe këtë vit epitetin e më të mirit. Beqiri edhe pse humbi në luftën e parë ndaj gjeorgjianit Davit Kiria, ai la gjurmë të mira në turne. Humbja në nismë të turneut final nuk e zbeh vitin e suksesit të Beqirit. Ai në vitin 2012 shënoi edhe tri fitore shumë me vlerë.

Titullin e parë e fitoi në mars në Bazel të Zvicrës ku e mposhti japonezin Hirono Yu, në luftën për titullin WFCA në kategorinë gjysmë të mesme. Beqiri fitoi me vendim unanim pas pesë raundeve. Pas kësaj në muajin maj, Beqiri në Stokholm të Suedisë iu revanshua Yoshiro Satos, për humbjen që ia kishte shkaktuar ai vitin e kaluar në “Super 8 Max” në Japoni. Beqiri fitoi me vendim unanim.

Fitorja e tretë e vlefshme e Beqirit këtë vit ishte ajo ndaj francezit Steeve Valente, duel të cilin e fitoi me vendim unanim pas tri raundeve.

Beqiri këtë vit e përmbyll me tri fitore e një humbje. Paraqitjet e tij të mrekullueshme ia sigurojnë atij epitetin e kikboksierit më të mirë shqiptar të vitit 2012.

Shemsi Beqiri fiton epitetin e kikboksierit më të mirë radhazi për herë të dytë nga Kosova Boxing.

Debutuesi më i mirë në boksin profesionist për 2012 – Naim Terbunja
Naim TerbunjaDebutuesi më i mirë në boksin profesionist për këtë vit është Naim Terbunja. Terbunja zhvilloi pesë meçe duke fituar të gjitha. Përformanca e Terbunjes ndaj disa kundërshtarëve e vë atë në krye të debutuesve për këtë vit. Terbunja kishte një konkurrencë të denjë ku disa shqiptar debutuan me mjaft sukses këtë vit, si Gëzim Tahiri 6-0 (4 KO), Butrint Rama 4-0 (3 KO), Agron Smakiqi 3-0 (3 KO), Fitim Latifi 3-0 (2 KO), Enver Halili 2-0 (2 KO), por Terbunja me këto pesë fitore renditet në pozitën e 187-të në ranglistën botërore dhe kjo e sjellë atë në pozitën e parë të renditjes tonë.

Terbunja debutoi me fitore ndaj Vladimir Spasojeviqit, duke e mposhtur në Suedi me vendim unanim në katër raunde.  Pastaj e mposhti Marijan Markovic në Podujevë me vendim unanim në katër raunde, për të vazhduar me fitore edhe ndaj lituanezit Krill Psonko me vendim unanim në katër raunde. Fitoren e katërt e arriti në Prishtinë ndaj një boksieri me mjaft kualitet, polakut Bartomilej Grafka duke e fituar me vendim të gjyqtarëve pas gjashtë raundeve. Dhe fitoren e fundit e arriti ndaj serbit Srdjaan Mihajloviq me vendim unanim në Suedi.

Këta janë TOP-5 i debutuesëve për 2012:

  1. Naim Terbunja – 5-0
  2. Fitim Latifi – 3-0
  3. Gëzim Tahiri – 6-0 (4 KO)
  4. Butrint Rama – 4-0 (3 KO)
  5. Enver Halili – 2-0 (1 KO)

Boksieri më i mirë amator 2012 – Ibrahim Balla
Ibrahim Balla Epiteti i boksierit më të mirë amator shqiptar i takon boksierit tonë shqiptar që mbron ngjyrat e Australisë, Ibrahim Balla. Balla e përfaqësoj Australinë në kategorinë bantam deri 56 kg në Lojërat Olimpike “Londra 2012”. Ai ishte boksieri i vetëm shqiptar në Londër. Ai kaloi pengesën e parë ku e mposhti marokenin Aboubaker Seddik Lbida. Ky meç kishte përfunduar me rezultat të barabartë 16:16, por Balla ishte më i mirë në raundin e tretë që ishte përcaktues. Në xhiron e dytë u takua me bullgarin Detelin Dalakliev të cilin nuk arriti ta mposhte. Balla bëri një luftë të fortë, por pësoi me rezultatin 14:10. Paraqitja e Ballës në “Londra 2012” la mbresa të mira. Balla që ishte edhe kampion i Oqeanisë e meriton epitetin e boksierit më të mirë amator shqiptar të vitit 2012.

Ibrahim Balla ka paralajmëruar profesionizmin ku me 21 Janar do të debutoj në boksin profesionist.

Boksierja më e mirë e vitit 2012 – Azize Nimani
Azize NimaniBoksierja që bëri bujë këtë vit është kush tjetër veç talentja jonë e madhe Azize Nimani. Nuk është vetëm Kosova Boxing që e ka e cilësuar gjithë kohën si talente e rallë, së fundmi edhe AIBA e ka cilësuar si talenten e së ardhmes së boksit olimpik për femra.

Nimani mori pjesë në kampionatin botëror në Qunhuangado të Kinës duke treguar shkathësit e saj. Ishte vetëm një hap afër Lojrave Olimpike “Londra 2012” ku kaloi dy xhiro në kampionatin botëror, por fatkeqësisht nuk arriti të shijon ëndrrën e saj për të marrur pjesë në Londër. Nimani në xhiron e parë u takua me boksierën nga Kosta Rika, Pamela Richardson të cilën e mposhti me rezultat bindës, 23 me 6. Në xhiron e dytë Nimani pati punë me fituesën e medaljes së bronzt, të tretën në Botë nga kampionati fundit botëror “Barbados 2012”, Hanne Maekinen duke e mposhtur me rezultat, 14 me 11. Këto rezultate, jo rastësisht e kanë dëshmuar Nimanin si njërën ndër boksierët më të mirë në Botë. Por, u eliminua nga kampionja e dyfishtë botërore Ren Cancan me rezultat të ngushtë 14 me 11.

Të gjitha mediat botërore e kishin lavdëruar startin e fortë të Nimanit në kampionatin botëror, duke eliminuar edhe të tretën e botës, Hanne Maekinen. Por, ajo që ka qenë e mirë për shtetin e Kosovës, ka qenë se ajo edhe në faqen zyrtare të AIBA-së, Nimani prezentohet si e Kosovës, por që bën pjesë për Gjermaninë, gjë që i jap imazh të mirë vendit tonë.

Azize Nimani për herë të tretë me radhës zgjidhet boksierja e vitit nga Kosova Boxing.

Kosova Boxing
31 Dhjetor 2012

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.