Krasniqi më 16 mars lufton për titull bote kundër Cleverly
3 min readBoksieri junikas Haxhi (Robin) Krasniqi do të sfidojë uellsianin Nathan Cleverly për titullin e botës në versionin WBO në peshën gjysmë të rëndë, në Britani të Madhe më 16 mars. Kështu është vendosur të mërkurën në Budapest, ku kampet e të dy boksierëve kanë dorëzuar ofertat e tyre për organizim të meçit.
Kampi i kampionit Cleverly ka bërë ofertë më të madhe, 500 mijë dollarë, dhe e ka siguruar organizimin e duelit, ndërkohë kampi i Krasniqit ka ofruar 431.650 dollarë.
Krasniqi kishte shpresuar që të siguronte organizimin e kësaj sfide të madhe, megjithatë është i lumtur që më në fund gjërat janë qartësuar dhe do të ketë mundësinë të luftojë për titull bote.
“Për mua ka qenë shumë me rëndësi që ndeshja të caktohet nga WBO-ja, që Cleverly të mos ketë më mundësi që të shtyjë meçin siç ka vepruar në dy raste. Kjo ishte më e rëndësishmja. Ku do të mbahet meçi, për mua nuk ka shumë rëndësi”, ka thënë Haxhi Krasniqi të mërkurën për gazetën. Ai aktualisht është kampion i “WBO International”. Krasniqi tashmë ka nisur përgatitjet për meçin që vendos titullin e botës, e që deri më tash nuk e ka fituar asnjë shqiptar.
“Jam shumë i koncentruar për këtë meç. Jam duke ushtruar shumë dhe i gatshëm për detyrat më të rënda që i ka sporti i boksit”, ka shtuar Krasniqi.
Si qytete të mundshme organizatore të sfidës janë përmendur Londra, Liverpooli dhe Cardiffi.
Promotori i Krasniqit, Ulf Steinforth është optimist se Krasniqi do të rikthehet nga Britania me titull bote.
“SES ka ofruar 431.650 dollarë për ta sjellë këtë duel në Gjermani. Edhe pse kemi bërë ofertë më të vogël, jam optimist se Robini do të sjellë këtë titull të rëndësishëm në Gjermani”, ka thënë Steinforth, që është shef i kompanisë promovuese gjermane SES-Boxing.
Clevelry kishte shpresuar t’i ikte Krasniqit dhe të bënte ndonjë luftë unifikuese në SHBA apo të përballej me ikonën Bernard Hopkins. Mirëpo, presidenti i WBO-së, Francsico Valcarcel, ka bërë të qartë se Cleverly duhet të përballet me Krasniqin që është numër një në renditjen e WBO-së.
Krasniqi e Cleverly ishin paraparë të luftonin në prill të këtij viti, mirëpo uellsiani e pati anuluar përballjen për shkak të një virusi.
“Kjo luftë është shumë motivuese për mua, pasi më ka qëndruar mbi kokë për një kohë të gjatë, kështu që vërtet dua të largoj këtë djalosh nga rruga. Unë duhet të sigurohem që të jem në nivelin e duhur dhe ta fus në shpatë. Pas kësaj e di se do të vijnë luftërat e mëdha. Jam shumë i kënaqur me vendimin final. Tash mund të koncentrohem që të jem i përgatitur maksimalisht”, ka thënë Cleverly, të mërkurën për mdiat britanike.
Krasniqi 25-vjeçar në boksin profesionist ka zhvilluar 41 meçe, duke i fituar 39 (15 KO) prej tyre, ka pësuar vetëm dy herë. Kundërshtari i tij Cleverly 25-vjeçar, i ka zhvilluar 25 meçe dhe i ka fituar të gjitha, 12 prej tyre me nokaut.
Deri më tash asnjë boksier shqiptar nuk ka arritur të fitojë ndonjë nga katër titujt e rëndësishëm të boksit profesionist (WBC, WBA, IBF dhe WBO). Luan Krasniqi kishte boksuar në shtator të vitit 2005 për titullin WBO në peshën e rëndë dhe u mposht me nokaut teknik në raundin e nëntë nga amerikani Lamon Brewster. Ndërkohë Shpend Abazi, më 2007 luftoi për titullin IBF në kategorinë pendël, ku në Danimarkë pësoi me nokaut teknik në raundin e nëntë nga amerikani Robert Guerrero.
Shkumbin Sekiraqa (Koha Ditore)
20 dhjetor 2012