Histori: Luan Krasniqi, boksieri i fundit shqiptarë që fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror në Berlin 1995
3 min readShkruan: Artan Vërbica
Prishtinë, 6 tetor 2015 – E kujtoj me nostalgji vitin 1995 kur në një botim të përditshmës Zëri, lexova një shkrim për Kampionatin Botëror në boks që po mbahej në Berlin të Gjermanisë. Titulli që zënte vend në faqen e sportit kishte të bënte me një talent të boksit shqiptarë i cili po përfaqësonte Gjermaninë, e ai ishte Luan Krasniqi, për të cilin për herë të parë po ndëgjoja. Intervistën me Krasniqin e kishte zhvilluar gazetari i njohur Anton Berishaj. Edhe pse isha i ri 16-vjeçar pasioni për boksin vazhdonte tek unë, sikur te dija që edhe unë një ditë të shkruaja për boksin. Dhe kjo pas disa viteve u bë realitet për mua, por gjithsesi ishte edhe motivim për mua. Nuk e njihja Luan Krasniqin, por isha kurreshtar për të kuptuar se cili ishte ai, por gjithsesi u bëra krenar dhe i caktova vetit detyrë për mos ta harruar asnjë ditë për të përcjellur shtypin ditor, për të parë se si do të shkojnë zhvillimet e tij në Kampionatin Botëror që po zhvillohej në Berlin të Gjermanisë.
Titulli i parë shkruante kështu që edhe më shumë më bënte kurreshtar: “Do ta rrëzoj Felix Savonin nga Froni”. Ishte titull i çuditshëm sepse kubanezi Savon ishte i paprekshëm dhe i njihja cilësit e tij, sepse ai për katër Kampionate Botërore (Reno, SHBA -1986, Moskë, Rusi – 1989, Sidnej, Australi – 1991 dhe Tempere, Finlandë -1993) ishte shpallur kampion i botës dhe ishte favorit kryesor edhe kësaj radhe të rrëmbente të artën.
Gjatë intervistës e kutjoj akoma në kujtesën time kur njëra nga pyetjet ishte, si cili është Luan Krasniqi, cilit boksier i përngjan! Ai nuk veçoi ndonjë boksier të huaj, por tha: “Kam zemrën e Aziz Salihut, goditjen e Xhevdet Pecit dhe teknikën e Abedin Likës”.
Meçin e parë preliminar, Krasniqi e pati me uzbekun, Alisher Avazbayev, të cilin e mposhti me ndërprerje në raund të parë. Në meçin e dytë preliminar, Krasniqi u takua me bjellorusin Sergey Dychkov, të cilin e mposhti poashtu me ndërprerje në raund të tretë. Në çerekfinale Krasniqi takohet me ukrainasin, Wladimir Klitschkon, të cilin e mposhti me rezultat, 6 me 2. Në gjysëmfinale Krasniqi pati punë me turkun, Sinan Samil Sam, të cilin e mposhti me rezultat, 7 me 3. Dhe finalja e madhe zhvillohet me kubanezin Felix Savon, ku Krasniqi nuk arrinë ta fitoj. Ishte thjeshtë eksperienca dhe superioteti i Savonit i cili dominoi meçin ndërsa që Krasniqi u mundua dhe dukej i nërvozuar në finale, duke humbur përballjen. Krasniqi për shtetin mik Gjermaninë fitoi të argjendtën dhe i bëri krenar gjithë shqiptarët.
Në atë botë nuk e dija për kualitetin e Wladimir Klitschkos, Sinan Samil Samit, Sergey Dychkovit, etj. Tani Klitschko për 11-vitet e fundit është kampion i botës në boksin profesionist, ndërsa Krasniqi e kishte mposhtur me 1995. Dhe poashtu Sinan Samil Samin, kampion botëror më pas në botërorin e Hjustonit me 1999. Sinan Samil Samin e mposhti edhe në boksin profesionist në duelin për titull të kampionit evropian me 2004 duke i rrëmbyer brezin.
Nga ai moment Krasniqi pati përpjetësën duke prekur majën e boksit botëror. Pas botërorit të Berlinit, me 1996 fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian në Velje të Danimarkës, dhe po atë vit fitoi medaljen e bronzt në Lojrat Olimpike në Atlanta të SHBA-ve. Krasniqi me 1996 kaloi në profesionizëm ku fitoi dy herë titullin e kampionit evropian dhe ishte sfidues i titullit të botës ku fati i mungoi në fund të jetë edhe kampioni i botës në boksin profesionist.
Krasniqi mbetet boksieri më i sukseshëm shqiptar i të gjitha kohërave.
www.kosovaboxing.org