RTK

RTKLive
9 Tetor, 2024

Histori : Aziz Salihu dy herë fitues i medaljës së bronzt në kampionatet evropiane, në Tempere 1981 dhe Budapest 1985

3 min read

Pasi Bajram Hashani fitoi medaljen e parë të bronzt në kampionatin evropian me 1975 në Katowicë të Polonisë, u deshtën gjashtë vite për të dal një tjeter shqiptar që do të fiton ndonjë medalje evropiane, ai ishte Aziz Salihu. Legjenda e boksit shqiptar Aziz Salihu mori pjesë gjithësej në gjashtë kampionate evropiane për 12-vite, Keln 1979, Tempere 1981, Varnë 1983, Budapest 1985, Torino 1987 dhe Athinë 1989. Në këto kampionate Salihu fitoi medaljen e bronzt me 1981 në Tempere të Finlandës dhe me 1985 në Budapest të Hungarisë. Po fillojmë me rend duke treguar të gjitha plasmanet në kompeticionin evropian:

1979, Keln Gjermani – Në kampionatin evropian në Keln, Aziz Salihu ka arritur deri në çerekfinale ku takohet me kampionin e Hungarisë, Ferenc Somodi. Hungarezi fitoi boksierin tonë me rezultat të ngushtë 3:2.

1981, Tempere, Finlandë – Salihu nga Tempere kthehet me medalje. Ai doli që pas gjashtë viteve të fiton përsëri ndonjë shqiptar medalje. Salihu në çerekfinale mposhti bullgarin Petar Stojinov me 4:1, ku me pas në gjysmëfinale humbi nga rusi, Vyacheslav Yakovlev me 3:2. Ky ishte një sukses i madh për boksin tonë në atë kohë.

1983, Varnë, Bullgari – Në Varnë, Salihu nuk ishte me fat në short,  pasi në çerekfinale takohet me njërin ndër boksierët më të mirë në histori të boksit amator, gjermanin e bllokut lindor të asaj kohe të Gjermanisë, Ulli Kaden. Kadeni e mposhti me rezultat 4:1.

1985, Budapest, Hungari – Në Hungari, Salihu përsëri udhëton me ambicie të mëdha. Pasi fitoi medaljen e bronzt olimpike me 1984 në Los Angelos, Salihu në Budapest ishte i bindur se do të fitoj të artën por edhe kësaj radhe u kthye me të bronztën, që mund të quhet prapë sukses. Në çerekfinale takohet me suedezin me origjinë turke, Hakan Brock, ku e mposht bindshëm me 5:0. Brock nga viti 1989-1991 kishte bërë karierë të sukseshme në boksin profesionist duke arritur rekord 11 fitore (8 KO), 3 barazime, 0 humbje . Në gjysmëfinale takohet përsëri me hungarezin Ferenc Simodi që ishte përballur me 1979, ku ishte e vështirë të fitohet pasi ishte vendas, dhe kjo ndodhi më pastaj ku fitorja iu dha hungarezit 4:1, çka ishte e kuptueshme. Salihu kthehet në Prishtinë me medalje të bronzt.

1987, Torino, Itali – Në Torino Salihu në çerekfinale takohet me vendasin, italianin Biaggio Chianese ku humb me 3:2. Në këtë kampionat kishte marr pjesë edhe një tjetër boksier shqiptar, ai ishte Abedin Lika. Lika kishte mposhtur polakun Juliosz Sozcak me 5:0 por humbi në çerekfinale nga gjermani Andreas Tews me 5:0. Të dy u kthyen pa medalje.

1989, Athinë, Greqi – Në Greqi, Aziz Salihu në çerekfinale takohet me bullgarin Svilen Rusinov ku humb me rezultat të ngushtë 3:2.

Kosovaboxing.org kontaktoi ish-boksierin tonë Aziz Salihu. Ai ishte i gëzuar për përkujtimin e rezultateve të tij. Salihu deklaroi se shumë herë i janë bërë padrejtësi por ky ka qenë fati i tij dhe ka bërë aq sa ka mundur. Ne e njoftuam për pjesmarrësit që do të jenë në Moskë. Ai nëpërmjet Kosovaboxing.org uron, Enea Kovaçin, Aleksandër Ramën, Kristian Demaj dhe Fatlum Zhutën. “Suksese të gjithëve, të gjithë jemi shqiptar , le të fiton ndonjëri ndonjë medalje”, theksoi Salihu. Për sukseset e tëra të Aziz Salihut mund ti lexoni tek rubrika e jonë “Legjendat”. Aty do të jeni më shumë të informuar reth karierës së tij.

Këto ishin disa statistika dhe të dhëna për boksierin e madh Aziz Salihu i cili solli mjaft rezultate në arenën ndërkombëtare, mirpo ne u ndalëm vetem në të kampionateve evropiane pasi fillon me 4 Qershor. Nesër mund të lexoni për Luan Krasniqin, i cili është shqiptari i parë që fitoi medaljen e artë në kampionat evropian në Velje të Bullgarisë me 1996.

Artan Vërbica
2 Qershor 2010

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.