Exclusive: Nuri Seferi anulon meçin në Tiranë
1 min readEdhe pse ishte paraparë që boksieri nga Korita e Gostivarit, Nuri Seferi, të mbroj titullin në Shqipëri ose Kosovë, deri te kjo nuk ka ardhur pasi organizatorët siç duket kanë dështuar. Lajmin ekskluzivisht e zbulon per “Kosova Boxing”, “Tajsoni Shqiptar”. “Dëshira ime e madhe ishte që të mbroj titullin WBO në Tiranë, këtë edhe e shpreha haptazi mirëpo pas pritjes së gjatë rreth përgjigjes definitive, deri te ajo nuk erdhi. Unë nuk kam kohë për të pritur dhe vendosa që këtë ballafaqim ta zhvilloj më 7 korrik në parameç të duelit të Klichkos që poashtu e mbron titullin në Bern”, deklaroi Seferi.
Ndryshe, në pyetjen tonë se si do të rrjedhin përgatitjet për këtë paraqitje të rëndësishme në ring, ai tha se të njëjtat do ti zhvilloj në Zvicër dhe Gjermani. “Kundërshtari im për mbrojtjen e titullit ende nuk dihet, mirëpo kjo do të vendoset në ditët në vijim. Sa i përket përgatitjeve të mija, ato do ti zhvilloj në klubin tim, kurse fazën përfundimtare do ta zhvilloj në Hamburg ku edhe do të kem sparinge”, tha Nuri Seferi. Ndryshe, Seferi 35-vjeçar ka bilanc prej 31 fitoreve (19 KO) e gjashtë humbjesh.
Avdyl Salihu
17 Maj 2012