RTK

RTKLive
2 Dhjetor, 2024

Analizë: Krasniqi vërteton cilësitë e kampionit i ri evropian

2 min read

 

Artan Vërbica
3 maj 2018

Fjalët janë të pakta nga ajo që ka shfaqur mbrëmë Robin Haxhi Krasniqi kundër ukrainasit Stanislav Kashtanov. Si asnjëherë më parë ka qenë në nivelin më të lartë duke mos i dhënë edhe asnjë rast më të vogël Kashtanovit duke e mposhtur bindshëm.

Mjeshtrinë e tij Krasniqi e demonstroi në mënyrë të përkryer duke qenë në elementin e tij që nga fillimi deri në mbarim. Gjithçka e filloi mirë kur në raundin e parë arriti me një direkt të djathtë duke e qëlluar nën sy Kashtanovin, me këtë goditje i tregoi se sa vështirë do ta ketë. Më duket se edhe pse ishte raundi i parë, ishte vendimtar, ku Krasniqi në raundet në vazhdim me përpikëri i vazhdoi duke qenë në element, ndërsa Kashtanov në kërkim të këndjelljës, por u pa që e kishte të vështirë. Krasniqi vazhdoi duke fituar tetë raundet rresht në vazhdim duke qenë në konceptin dhe elementin e tij. Kampioni i ri evropian po i afrohej titullit që do të pasuronin sertarin e tij të titujve. Kashtanov zgjohet në raundin e nëntë duke qenë më i mirë se Krasniqi, por sërish Krasniqi e fiton të dhjetën. Raundi i parafundit i takoi sërish Kashtanovit, ndërsa raundi i fundit Krasniqi me kujdes iu shmang çdo dueli duke fituar pastërt duelin.

Gjatë gjithë kohës e kisha bindjen që Krasniqi do ta përmbyll meçin para kohe, por që Kashtanov u dëshmua edhe një herë që ka nofullën dhe kokën e fortë. Kashtanov dukej si një George Chuvalo i viteve 70-ta kur edhe Muhammed Ali nuk kishte arritur ta nakautoj, duke pranuar mjaft goditje të fuqishme duke qëndruar deri në fund.

Nga numërimi im Krasniqi e fitoi meçin me rezultat të thellë 118-111.

Krasniqi në të kaluarën ka fituar mjaft tituj të vlerësuar si WBO Europe dy herë, WBO International dy herë dhe WBA Inter-continental dy herë, tituj mjaft të çmuar, por titulli EBU apo titulli i kampionit evropian është më i madhi që ka fituar ndonjëherë duke ditur historinë e këtij brezi që e kanë fituar më të famshmit në Evropë, i cili daton që nga viti 1963.

Sigurisht që Krasniqi pas këtij triumfi do të diskutoj situatën e secilit version botëror me gjithë ekipin e tij, SES Boxing. Me fitoren e titullit EBU ai do të zë një vend në TOP-15 të versionit WBC pasi dy federatat EBU-WBC kanë bashkpunimin e ndërsjellë. Ai nuk duhet të marrë me nxitim asgjë, por të mbroj titullin e EBU-së, së paku një herë duke u afruar edhe më shumë në ranglistat botërore duke pritur mundësinë më të mirë.

Të gjithë duhet të jemi krenar me triumfin e Krasniqit. Ai akoma ka për ti dhënë sportit të boksit.

www.kosovaboxing.org

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.