Analizë: Krasniqi pranë një suksesi të ri
3 min readArtan Vërbica
30 maj 2018
Dueli i së shtunës që do të zhvillohet në “weeArena” në Bad Toelz në Bayern të Gjermanisë, ndërmjet boksierit tonë Robin Haxhi Krasniqit dhe Stanislav Kashtanov do të hap një kapitull të ri, apo më mirë të themi do të qel një faqe të re për boksierin tonë, nëse do të dal fitues, e këtë e presim me optimizmin dhe shpresën më të madhe. E themi këtë pasi Krasniqi dylufton për herë të parë për brezin më të çmuar të boksit evropian, titullin më të vjetër të kontinentit evropian të familjes së madhe të EBU-së. Meçi Krasniqi dhe Kashtanov do të zhvillohet në kategorinë super të mesme për titullin vakant të EBU-së.
Konsiderojmë që rruga e Krasniqit deri më tani ka qenë mjaft e vështirë me shumë sfida, e cila na ka sjellë gjithmonë pakjartësi dhe emocione. Në shumë duele Krasniqi ka dal fitimtar, por ëndrra e tij dhe shumë shqiptarëve ka mbetur akoma e pa realizuar duke dëshiruar të shpallet kampion i botës. Pse dhe si! Me këtë pyetje më janë drejtuar shumë adhurues dhe simpatizies të Krasniqit, prandaj për këtë temë koha do të na dëshmojë për tu analizuar dhe shtjelluar, por Krasniqin e shohim që nuk iu ka ndarë asnjëherë këtij rrugëtimi që edhe më tutje është duke e ndjekur.
Mendimi im personal por jo përfundimtar është se Krasniqi në disa raste është nxituar. Ai pati tre raste të mira, kundër Cleverly-t, Brahmer-it dhe Abraham-it, ku edhe pse pësoi, ai në të gjitha këto humbje u largua nga ringu kokë lartë duke u prezantuar denjesisht. Një gjë tjetër që neve na ka bërë krenar është fakti që Krasniqi asnjëherë nuk ka manipuluar me publikun e tij qoftë gjerman apo shqiptar, duke mos ndjekur fitoret e sigurta me kundërshtar të dobët, por duke boksuar me më të mirët e kohës duke dëshiruar të jetë kampion i vërtetë. Ai është kampion i madh, sepse me të vërtetë gjithmonë është prezentuar denjësisht dhe përkundër rezultatit të mirëpritur apo negativ, ai na ka bërë krenar.
Disa ditë na ndajnë nga përballja tjetër të Krasniqit me një kundërshtar shumë të fortë si Kashtanov, një sfidues i vërtetë i cili sikur se Krasniqi ka një bagazh të madh prej 36 fitoreve (21 KO) dhe dy humbje nga 38 përballje sa ka zhvilluar në boksin profesionist. Sikur se Krasniqi, edhe Kashtanov meriton respektin dhe që të dy boksierëve i ka munguar fati sportiv, ku edhe Kashtanov ka sfiduar një herë titullin e kampionit të botës, që ishte pranë, por që nuk e fitoi.
Ajo që më pëlqen është fakti që Krasniqi akoma është i uritur. Ai po vazhdon të ndjekë ëndrrën e tij, që ndoshta një ditë edhe do të realizohet, triumfi e titullit të kampionit të botës.
Dueli i shtunës i 2 qershorit do të na qartësoj të gjitha, potencialin e Krasniqit ku edhe pse do të ketë një kundërshtar të fortë do të na dëshmoj se ka forcë për fitore dhe tituj të tjerë. Më pëlqen rruga që e ka zgjedhur, një rrugë me e ngadaltë duke mos nxituar, një herë titulli i kampionit evropian e pastaj ai botëror.
www.kosovaboxing.org