Suat Laze (22-6-1, 6 KO) i ka bërë vetës dhuratën më të mirë për ditëlindjen e tij të 39-të duke mposhtur pakistanezin me nënshtetësi italiane, Shoaib Zaman (4-7-0, 1 KO) me vendim unanim pas 6 raundeve. Kjo fitore vjen për boksierin tonë pas dy vite e gjysmë.

“Kisha pak tremë sepse një kohë të gjatë nuk kisha boksuar dhe në dy raundet e para nga paniku pata frikë se si do t’ia dalë. Por, nga raundi i tretë e deri te i fundit i gjashti e dominova meçin duke fituar pa asnjë problem” theksoi Laze për Kosova Boxing.

Laze dy herë kampion i Italisë dhe sfidues i titullit evropian EBU-EU i Bashkimit Evropian, ka një reputacion dhe respekt të madh në Itali por edhe tek gjithë shqiptarët, sepse kariera e tij është ndjekur me suksese dhe arritje të mëdha duke qenë vetmohues.

Ai nuk dëshiron të ndalet duke ndjekur ëndrrën e tij që së paku të fitoj edhe një titull të vlefshëm në karierën e boksierit.

”Do të boksoj sërish në prill dhe besoj që gjatë këtij viti të sfidoj edhe një herë titullin e Italisë ose edhe ndonjë titull tjetër” tha Laze.

Kosova Boxing si medium ka mbështetur boksierin tonë me vite të tëra duke publikuar vlerat e vërteta të boksierit tonë.

www.kosovaboxing.org
27 shkurt 2019